fbpx
Lajme

‘Pika’ spektakël me arrestime – Të gjithë policët e arrestuar nëpër kufi, tashmë të lirë

‘Pika 1’ dhe ‘Pika 2’. Dy aksione të Inspektoratit Policor të Kosovës nëpër pika kufitare, kishin bërë që të bien nën pranga rreth 80 policë. Megjithatë, kur kanë kaluar gjashtë muaj nga aksioni i parë, e pesë muaj nga aksioni i dytë, të gjithë policët e arrestuar janë të lirë.

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka konfirmuar se të gjithë zyrtarët policorë janë të lirë. Megjithatë, ai e ka vlerësuar të papranueshëm faktin që ata vazhdojnë të jenë të suspenduar. Sipas Zeqirit, kjo mund t’i kushtojë me shumë buxhet pasi institucionet mund t’i kthejnë në punë policët.

Kryesindikalisti i Policisë ka theksuar se në këtë formë, cenohet edhe imazhi i Policisës së Kosovës si institucion. Sipas tij, ka pasur mundësi që policëve t’iu dërgohet ftesa, e të mos arrestohen para mediave.

“E kemi quajtur spektakël kur zyrtarët policorë arrestohen para mediave, dhe ndiqen si kriminelë, dhe personat e dyshuar në gjykatë dërgohen përmes ashensorit e jo përmes para mediave. Ky është spektakël. Pse mos t’i dërgohet ftesa, përderisa IPK ka pretenduar se ka siguruar prova. Pse mos të ftohet polici, nuk ka asnjë rast që IPK-ja ka ftuar zyrtarë policorë, e ata nuk janë përgjigj. Jo vetëm IPK-ja por edhe institucionet e drejtësisë. Cila është arsyeja e këtij spekaktli, po duan ta dëmtojnë imazhin e policisë, shtetit. Shumica e rasteve të IPK-së që janë trajtuar, shumica absolute janë kthyer të pafajshëm në punë dhe janë duke punuar”, tha për gazetën Nacionale kryesindikalisti Zeqiri.

Sulmet e shpeshta ndaj policëve në veri, Sindikata e Policisë kërkon zbardhjen e rasteve - NACIONALE

Zeqiri ka treguar për Nacionalen një detaj të rëndësishëm. Ai ka thënë se përkundër që 3 policëve iu është konfirmuar se nuk janë më nën hetime, ata nuk po kthehen në punë.

“Ne kemi siguruar një vendim prej Prokurorisë Speciale që kanë ndërprerë hetimet për 3 zyrtarë të arrestuar pa prova. Kanë arrestuar njerëz të pafajshëm. Si është ajo thënia, 100 të dyshimtë më mirë me qenë në liri, se një i pafajshëm në burg. Çka është skandaloze me këtë vendim që Prokuroria ka ndaluar hetimet në mungesë të provave, ne mund të themi se ata janë të pafajshëm. Kurse, IPK-ja i mbanë dosjet në zyre, dhe nuk i kthen njerëzit në punë. Dëmi është i pariparueshëm”, deklaroi Imer Zeqiri.

Në aksionin Pika 1 ishin arrestuar 50 zyrtarë policorë në dy pika kufitare: Qafë Morinë e Qafë Prushë. Kurse, një muaj më pas, 26 policë të tjerë ishin arrestuar në pikën kufitare në Morinë. Një numër policësh ishin arrestuar edhe nga Shqipëria.

Avokatët kundër ‘spektaklit’

Agon Rrecaj është avokat i njërit prej policëve të arrestuar në muajin mars. Ai ishte liruar pas një kohe, dhe procedurat po zhvillohen përderisa ai është në liri.

Rrecaj ka sqaruar për Nacionalen se Prokuroria vetë, kishte bërë kërkesë që atij t’i caktohet masa e paraqitjes në stacionin policer.

“Klientit tim fillimisht i ishte caktuar masa e paraburgimit 14 mars 14 prill, pastaj pas kërkesës për vazhdim, e kemi kundërshtu dhe Gjykata ka refuzuar dhe e ka caktuar arrestin shtëpiak. Ka qëndruar një muaj e pak në arrest shtëpiak. Dhe pas kësaj Prokuroria ka bërë kërkesë që t’i ndalohet arresti shtëpiak, me masën e paraqitjes në stacion policer për një kohë të caktuar. Më tutje nuk kanë pasur kurrfarë ndalesa”, ka thënë fillimisht Rrecaj.

Sipas tij, përveç se në raste të tilla dëmtohet karriera e individëve, më shumë dëmtohet edhe institucioni, e në rastin konkret Policia e Kosovës.

“Realisht normal që karriera dhe puna personale dhe këto imazhi i secilit person dëmtohet. Por, mendoj që më shumë po dëmtohen institucionet sepse po i nisn rastet me pompozitet, po i bëjnë mediale sikur kena parandaluar apo kemi zënë një grup kriminal të organizuar , e në fakt kanë qenë disa zyrtarë të cilët dyshohen kanë marrë rysfhet për mos me i zbatu detyrat, por kurgjë ma shumë nuk ka. E në fund të procedurës, qytetarët sikur po iu humb siguria juridike, shih këta persona për çka u akuzuan e pse u dënuan. Siguria juridike e qytetarëve po cenohet, dhe qytetarët presin dicka tjetër, e në fund kur vendoset dicka tjetër, shtrohet pyetja cka ndodhi”, deklaroi për gazetën Nacionale avokati Agon Rrecaj.

Dilema për këtë rast, kishte shfaqur edhe kryetari i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, Bekë Berisha. Ai kishte deklaruar se gjithçka ishte bërë me urdhër nga politika.

“E përmendim rastin kur janë koritë 100 policë të Kosovës, janë arrestuar në uniformë. Qëllimi ka qenë me bë njëfarë Shoë, dhe qëllimi ka qenë me shpërbly me poste e grada disa policë të pushtetit. Kanë spiunu për kolegët e vetë, e këta nuk janë më të mirë hiç, e di saktë se individë janë shpërlbyer për këtë degradim të Policisë së Kosovës. Cka kemi mbërri? Ka humb vullneti i Policisë”, kishte deklaruar në një intervistë për Nacionalen deputeti i AAK-së.

Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se policët e arrestuar, janë të gjithë të suspenduar. “Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se të gjithë zyrtarët e arrestuar si të dyshuar në operacionin Pika 1 dhe 2 janë të suspenduar bazuar në rekomandimin e IPK-së dhe në interesin e procedurës hetimore”, thuhet në përgjigje.

Çfarë thuhej në dosjen e Prokurorisë?

Në kohën kur ishte zhvilluar aksioni Pika 1, gazeta Nacionale kishte siguruar dosjen e Prokurorisë. Aty thuhej se këta policë, kishin pranuar ryshfet në mënyrë që të lejojnë kontrabandë nëpër dogana.

Përveç mallrave, qysh nga koha e pandemisë, këta zyrtarë policorë kanë mundësuar për shumë persona kalimin e kufirit, në kundërshtim me masat anti-covid.

“Prej muajit gusht deri në muajin dhjetor të vitit 2021 në pikën kufitare Qafë-Morinë, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje dhe në vazhdimësi duke vepruar në mënyrë të organizuar por edhe individualisht, me qëllim të përfitimit material për vete dhe të tjerët, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Kjo në atë mënyrë që kanë pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë duke u mundësuar të hyjnë në territorin e Kosovës përmes shmangies së pagesave të tarifave doganore dhe vendimet e qeverisë së Kosovës për masat anti-covid, ashtu që kanë pranuar deri në 400 euro ryshfet”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë që e ka siguruar gazeta Nacionale.

Përgjigje për këtë rast nuk ka kthyer as Prokuroria Speciale e Kosovës.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close