A provoi Ibrahim Kelmendi ta organizoi vrasjen e Xhavit Halitit me paratë të cilat i vodhi në Fondin “Vendlindja Thërret”

Dokumentet që posedon Insajderi tregojnë se si miliona marka të përfituara në emër të luftës së UÇK-së dhe Fondit “Vendlindja Thërret”,u shpërndanë në krijimin e bizneseve private, financimin e partive politike, blerjen e banesave, lokaleve dhe trojeve.
Katër burra vendosën të nënshkruanin një marrëveshje biznesore më 25 korrik të vitit 1999, vetëm një muaj e gjysmë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Prijësi i tyre ishte Ibrahim Kelmendi që kishte menaxhuar Fondin “Vendlindja Thërret” në Gjermani. Aksionarë tjerë në firmën e emërtuar “Eko Holding” ishin: Fadil Demiri, Ton Marku dhe Dukagjin Kelmendi, kushëri i Ibrahim Kelmendit. Secili prej të treve kishte nga 10 për qind.
Ibrahim Kelmendi posedonte 60 për qind. Dhjetë për qind të mbetura ruheshin për ndonjë aksionarë të ri.
Në arkat e kësaj kompanie u derdhën rreth 2 milionë marka të përfituara emër të UÇK-së dhe Fondit “Vendlindja Thërret”.
Po i njëjti, Ibrahim Kelmendi, thuhet se ka paguar 250 mijë euro për vrasjen e Xhavit Halitit vite më parë. Ende nuk dihet se a i ka shfrytëzuar paratë e vjedhura të Fondit “Vendlindja Thërret”, për të organizuar vrasjen e Xhavit Halitit.
Përmes një dëshmie në formë deklarate të shkruar theksohet se janë paguar 250 mijë euro për vrasjen e deputetit Xhavit Haliti, i cili ka qenë edhe nënkryetar i Parlamentit.
Për vrasjen e Xhavitit ka paguar shumën e parave Ibrahim Kelmendi, ndërsa ekzekutimi do të duhej ta kryente Florim Ejupi.
Dëshmia ka ardhur nga një person që pretendon se ka qenë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në disa vrasje, kërcënime, shantazhe e rrembime, i cili është treguar i gatshëm të dëshmojë edhe para Prokurorisë për këtë që ai e ka quajtur plan.
Dëshmitari i ka telefonuar Halitit, duke i kërkuar falje paraprakisht se ka qenë pjesë e këtij grupi. Pasi i ka treguar për këtë plan Halitit, ai e bërë dëshminë e tij edhe përmes një deklarate.
Mediat kosovare bëjnë të ditur se deklarata në zyrën e Kryeprokurorit Sylë Hoxha, është dorëzuar nga vetë Xhavit Haliti. Dëshmitari ka dhënë të paktën dy arsye se pse Ibrahim Kelmendi donte ta eleminonte Halitin në vitin 2003.
E para, sipas dëshmitarit, kishte të bënte me pretendimin se Kelmendi duhej të ishte në vend të Hashim Thaçit, por Haliti nuk e kishte lejuar një gjë të tillë.
https://shqiptarja.com/lajm/edhe-n-euml-kosov-euml-nbsp-250-mij-euml-euro-br-p-euml-r-vrasjen-e-deputetit-xhavit-haliti