Albin Kurti në mbrojtje të krimit dhe korrupsionit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sa ishte opozitar, betohej se në qeverisjen e tij nuk do ta lejonte korrupsionin. Por, si pushtetar, shumë njerëz të tij u përfshin në afera korruptive.
Albin Kurti e mbrojti Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, i cili dyshohet se u përfshi në një skandal ndërkombëtar të shpëlarjes së parave. Ai e mbrojti edhe kryeshefin e KEK-ut, mikun e tij Nagip Krasniqin. Po ashtu, e mbrojti edhe mikun e tij tjetër, Ridvan Muharremin, i akuzuar për përfshirjen në dallaveret me rezervat shtetërore.
Në prill të vitit 2022, tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Slloveni, mediat sllovene raportuan për një skandal të madh financiar. Akuza ishte e rëndë, hiç më pak se shpërlarje parash.
Në këtë skandal u përfshi edhe Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci, emri i të cilit ishte krahas kryetarit të Partisë për Liri në Slloveni, Robert Golob, shkruan Demokracia.com.
Sipas televizionit Planet TV, politikani slloven po hetohej ndërkombëtarisht për disa transaksione që i kishte pasur nga një burim serb i furnizuesit energjetik slloven GEN-I te kompania e ambasadorit Berishaj, MB Cosulting në Mal të Zi.
Në bazë të këryre raportimeve, bëhej fjalë për 600 mijë euro, ku dyshohet se kompania e ambasadorit kosovar i ka marrë dhe gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme duke i kthyer te Golobi.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar tregonte se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe ishin derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Raportimet thonin se në bazë të dokumentacioneve të siguruara, ngjarja kishte ndodhur mes viteve 2019 dhe 2020.
Martin Berishaj i ka mohuar këto akuza, duke paralajmëruar padi ndaj medies që ka publikuar skandalin dhe duke i quajtur shpifje.
Mirëpo, pak ditë pasi ky skandal plasi në media, Agjencia Kundër Korrupsion kishte nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së ambasadorit Berishaj.
Një muaj pas AKK-ja nisi procedurat e vërtetësisë së pasurisë, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishte konfirmuar se kishin nisur hetimet ndaj ambasadorit Berishaj për raportim të rremë të pasurisë.
Më vonë, nga AKK është ngritur kallëzim penal kundrejt Martin Berishajt.
Lajmin e kishte konfirmuar vetë Agjencia. Kallëzimi penal ndërlidhet me mosdeklarimin e kompanisë që Berishaj e posedon në Mal të Zi.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Berishaj është në pronësi edhe të dy kompanive të tjera me seli në Kosovë, “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C.”. Ambasadori Berishaj asnjërën nga këto nuk i kishte deklaruar në formular.
Thellimi i skandalit
Në dhjetorin e vitit të kaluar, skandali i ambasadorit do të thellohej edhe më shumë. Kësaj radhe, raportimi u bë nga mediumi slloven Pozhareport. Për më keq, në këtë raportim të ri përmendet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Detaje të reja nga hetimi i Golobit, tashmë kryeministër slloven dhe GEN-I’të u shfaqen me pretendimet se një pjesë e parave duhej të shkonte në Kosovë për Kurtin.
Sipas asaj që raportohej nga gazeta Pozareport, një pjesë e parave nga GEN-I në Beograd kishin shkuar në Kosovë gjatë asaj kohe, më saktë te “rrethi i kryeministrit Albin Kurti, për të cilën gjë, shërbimi i inteligjencës serbe BIA thuhet ta ketë ditur”.
Berisha u ftua edhe në Komisionin Hetimor për Energji të Kuvendit të Kosovës.
Albin Kurti, Vjosa Osmani, Donika Gërvalla dhe figura të tjera kyçe të pushtetit në Kosovë, e kanë mbrojtur në mënyrë mjaft të çuditshme ambasadorin Martin Berishaj për skandalin e madh financiar të tij.
Dyshime se Kurti u financua me para të dyshimta të GEN-it
Më 6 janar të këtij viti, gazeta sllovene “Prava” ka botuar një artikull të gjatë, ku hulumtohen lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt me kompaninë GEN-I.
Në shkrim përmendet edhe Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, mbi të cilin hidhen dyshime se është financuar nga paratë e filialit të GEN-I në Tiranë, ku janë transferuar 14 milionë euro. Tutje, Prava shkruan se dyshohet që paratë e GEN-I në Tiranë janë përdorur për të financuar fushatën e Kurtit.
Në hulumtimit e titulluar “Si e paguan Martin Berishajn nga kompania sllovene GEN-I! Ku përfunduan gati 100 milionë euro”, theksohet se ambasadori i Kosovës ka përfituar qindra mijëra euro në mënyrë të dyshimtë. Në fakt, gazeta shkruan se nëpërmjet operacioneve akrobatike të kontabilitetit, kompania sllovene GEN-I me filialet e saja në Beograd, Sarajevë e Tiranë, kanë mbuluar gjurmet e gati 100 milionë eurove.
Nga këto 100 milionë euro, për të cilat raporton Prava, 60 milionë janë transferuar në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa miliona të tjera në filialet e GEN-I në Beograd e Tiranë.
Albin Kurti, me të cilin Berishaj ka një afërsi, u angazhua në mbrojtje të tij, shkruan Demokracia.com.
Lideri i VV-së e kishte falënderuar përzemërsiht ambasadorin Berishaj në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Po ashtu, edhe Martin Berisha kishte qenë anëtar i Kryesisë së VV-së.
Në nëntor 2022, ambasadori Martin Berishaj kishte raportuar për herë të parë para deputetëve të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Ai kishte thënë se nuk ka asnjë lidhje me GEN-in në Beograd dhe se nuk ka pranuar para prej tyre, kurse për kompaninë e tij “MB Consulting” tha se është firmë që e ka formuar në vitin 2017 dhe se e njëjta nuk funksionon nga viti 2020.
Edhe në rastin e kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi, kryeministri Albin Kurti, e ka shfrytëzuar Kuvendin e Kosovës për ta sulmuar prokurorin Blerim Isufaj, pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti njëjtë sikurse edhe deputetët dhe anëtarët e partisë së tij ka hedhur sulme ndaj Prokurorisë.
Nga salla e Kuvendit, Kurti ka thënë se Prokuroria nuk është marrë me rastet e kaluara në KEK, duke mbrojtur kështu kryeshefin e arrestuar të KEK-ut.
“Është e vërtetë që dje u arrestua kryeshefi i KEK-ut. Tash ai është në ndalim dhe është sistemi i drejtësisë ai i cili merret me çështjen e tij. Kjo çështje ka fakte dhe ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Në anën tjetër është fakt që pati gëzim opozitar për arrestimin e Krasniqit. Ne e dimë që në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse, por që nuk janë trajtuar nga prokuroria. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetra fakte, dëshmi materiale, për keqpërdorime që ka gjetur aty, mirëpo zelli i Prokurorisë për tu marrë me keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero, e zelli i Prokurorisë për tu marrë me kryeshefin që i solli fitime KEK-ut ka qenë maksimal”, ka thënë Kurti.
Kurti pretendon se ky rast ka ndodhur për shkak të mosemërimit të Blerim Isufajt, Kryeprokuror të Shtetit.
“Dhe kjo lidhet me figurën e prokurorit Blerim Isufaj, i cili rastin e vrasjes së Dino Hasanaj e kategorizoj si vetëvrasje. Bëhet fjalë për një prokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet Kryeprokuror. Vendi më i lakmuar në republikën tonë del të jetë pozita që bën alokimin e rasteve e ky është kryeprokurori i shtetit. Sistemi lëngon se kemi një prokuror që nganjëherë s’don, nganjëherë s’din”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, asnjëherë nuk ka folur as për arrestimin e mikut të tij Ridvan Muharremit.
Ditën e arrestimit të tij, Kurti ka refuzuar të flasë për aksionin e Policisë së Kosovës në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.
“Për çështje të tjera jashtë efiçiencës deklarohemi gjatë ditës sot”, ka thënë Kurti shkurtimisht.
Nën dyshimin për përfshirje në keqpërdorimin e rezervave shtetërore, Policia e Kosovës arrestoi edhe Ridvan Muharremin, pronarin e furrës të shndërruar në restorant “Bukë e Zemër”, i cili është i afërt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Aksionet e Policisë së Kosovës janë zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.