fbpx
Lajme

Albin Kurti pritet t’i nënshtrohet pa kushte LDK-së, pasi zgjodhi njëanshëm Kryetarin e Kuvendit

Kur u shfaq në foltore për ta propozuar Glauk Konjufcën për Kryetar të Kuvendit, Albin Kurti i habiti të gjithë.

Isa Mustafa u përgjigj menjëherë, i dha pa asnjë kusht votat e LDK-së për të, dhe po ashtu i habiti të gjithë.

Në atë që dukej si një lojë shahu, secili prej tyre mendoi se fitoi me shah-mat.

Por, ky triller politik, i zhvilluar të enjten, ka kthyer mbrapshtë përpjekjet e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndërtimin e Qeverisë, për çfarë dy partitë ishin zotuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke i shndërruar kështu përkohësisht dy liderët në humbës dhe jo në fitues.

Raportet mes dy subjekteve politike qartazi janë lënduar skajshmërisht dhe besimi ka rënë në pikën zero.

Sipas asaj që ka deklaruar Isa Mustafa, të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së kanë rënë tërësisht në ujë.

Në skajin tjetër politik, fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin, në një situatë kur më nuk e ka të sigurt partnerin që do t’ia mundësonte ngjitjen në Zyrën e Kryeministrit, nuk po e çojnë këmbët në Presidencë për ta marrë mandatin.

I vetmuar, ai tashmë ka vetëm një zgjidhje: ta hapë pakon për LDK-në, duke iu nënshtruar pa kushte asaj, në mënyrë që ta mundësojë arritjen e marrëveshjes. Ky duket se do të jetë një nënshtrim i domosdoshëm i dinjitetit.

Burimet thonë se Vetëvendosje është e gatshme të dorëzohet para kërkesave të LDK-së, ndërkohë që në kampin tjetër pazari është rritur.

Megjithatë, kjo mund të mos ia sigurojë atij realizimin e ëndrrës për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës.

Në LDK, thonë burimet, ndjehen të fyer me aktin e së enjtes, kur Albin Kurti njëanshëm hodhi në votim Glauk Konjufcën për postin e Kryeparlamentarit, gjë që u përjetua si thikë në shpinë për LDK-në dhe që gjithashtu i shkaktoi një plagë të madhe marrëveshjes së mundshme për bashkëqeverisje.

Isa Mustafa, megjithatë, nuk i ka mbyllur të gjitha rrugët.

“Kur të arrihet te ura, mandej vendoset si me e kalu urën… Shohim dhe bëjmë”, ka deklaruar ai, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close