Amerika s’di gjithçka: Fjalët e mëdha bizare që tha njeriu i VV-së për zgjedhje
Çështja e zgjedhjeve ka acaruar sërish situatën në veri të Kosovës, dhe dje për këtë çështje foli njeriu kryesor i partisë në pushtet (VV) për zgjedhjet (në KQZ), Sami Kurteshi, dhe i cili ishte ‘shok-bomba’ e vërtetë e mbrëmjes. Çka tha Kurteshi?
E kemi dëgjuar Kurtin. E kemi dëgjuar Sveçlën. Pra, kemi dëgjuar gjithçka. Por, meqë në pyetje kësaj here janë zgjedhjet, atëherë në interes të publikut janë edhe mendimet e Sami Kurteshit. Sidomos kur kujtojmë se kush është Sami Kurteshi.
Dhe… intervista që ndodhi në Klan Kosova s’mund të ishte më e çuditshme. Sami Kurteshi, anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor – ndoshta sepse donte të thoshte gjëra të mëdha që t’i jepte kuptim asaj daljeje në televizion – tha gjëra të mëdha.
Ta nisim nga mesi. Ta nisim nga Amerika.
Kurteshi harron fjalët e tij, ‘shkarkon’ Sveçlën
Sami Kurteshi në intervistë iu nxori telashe gazetarëve pasi kontestoi se nuk po e citonin në mënyrë të drejtë ambasadorin amerikan Jeff Hovenier. Ky i fundit tha që nuk kishte kushte për zgjedhje. Dhe ata, u detyruan ta lëshonin gjithë kronikën ku tregohej se çka kishte thënë ambasadori amerikan. Ai tha që s’kishte kushte për zgjedhje.
Kushteshi megjithatë pretendoi se kushtet mund të krijoheshin ndërkohë, në një moment. Pra, zgjedhjet mund të mbaheshin – dorën në zemër, ambasadori amerikan nuk e thotë në mënyrë eksplicite që ato duhet të shtyhen – pasi të krijoheshin kushtet (dhe sipas tij, kushtet do të krijoheshin).
Por, më pas harroi se çfarë kishte thënë duke u rikthyer në realitet nga një pyetje e gazetares.
“Kujt duhet t’i besojnë qytetarët tash, z. Kurteshi, ambasadorit Hovenier apo Xhelal Sveçlës?” – ishte pyetja e gazetares.
“Xhelal Sveçlës,”- u përgjigj z. Kurteshi pa u kujtuar se nuk kishte për çka të vendoseshin Sveçla dhe Hovenieri në peshore, sepse kujtohuni që fillimisht tha se mund të krijohesin kushtet. E, nga ‘mania’ për të thënë fjalë të mëdha, tha: “Përndryshe duhet ta shkarkojmë. Kaq.”
Uh! Qe edhe pak Kurtesh nga kjo pjesë:
“Domethënë ministri Sveçla duhet të shkarkohet, nëse nuk mbahen zgjedhjet?” – pyeti gazetarja.
“Unë nuk thashë duhet të shkarkohet. Nëse ministri Sveçla nuk mund të garantojë, nuk ka informata, atëherë duhet të mendojë dy herë çka po bën. Por unë i besoj ministrit të Punëve të Brendshme. Në momentin që s’i besoj, s’ia qes votën.” – u përgjigj Kurteshi.
Amerika s’di gjithçka, burgosi pa faj njeriun për 34 vjet
Po! Kjo është arsyeja pse sipas Sami Kurteshit edhe Amerika mund të gabojë. Ai përmendi një rast në të cilin një person Amerika (e madhe bre Amerika) e kishte mbajtur në burg për 34 vjet pa faj.
“Nuk ka informim absolut askund në botë. As amerikanët nuk e kanë informimin absolut. Kemi raste kur njerëzit i kanë mbajtë 34 vjet burg, ë, 34 vjet burg për vepra (në Amerikë) që nuk i kanë bërë edhe jon’ liru. Domethënë s’i kanë informatat absolute… “ – tha 62 vjeçari nga Gjilani.
Më 2021 ishte liruar pas 34 vitesh Benjamine Spencer si i pafajshëm. Po më 2021 ishte liruar pas 34 vitesh Curtis Crosland si i pafajshëm. Më 2018 ishte liruar pas 34 vitesh Darrell Siggers si i pafajshëm. Më 2015 ishte liruar pas 34 vitesh Lewis Fogle si i pafajshëm. Nuk e dimë cilin prej këtyre e kishte në mendjen e tij të mrekullueshme Sami Kurteshi.
Është e vërtetë që Amerika (dhe jo vetëm Amerika) ka probleme me dënimet e gabueshme, por a na flet kjo diçka për inteligjencën e saj në veri të Kosovës? Sami Kurteshi mund të thoshte se 2 për qind e amerikanëve besojnë që toka është e rrafshët.
Natyrisht, Amerika s’di gjithçka. Por, ambasadori amerikan dinte më shumë për situatën në veri se Albin Kurti, sipas Albin Kurtit.
+18
Sami Kurteshi kohët e fundit nuk ka qenë aq i pranishëm në publik, dhe disi jemi çmësuar me gjuhën e rëndë që kërkon një “+18” në ekran gjithë kohës.
“Shteti e ka për detyrë që ta arrijë qëllimin dhe e arrin qëllimin. Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka kërkue pushtetin për shtypje, siç ka ngja me pushtetet tjera që kanë shku deri në vrasje,” – tha ai në një episod të intervistës.
Besojmë se po fliste për rastin e aktivistit Astrit Dehari, që Kurteshi konsideron se është vrarë nga Qeveria e Isa Mustafës.
Kurteshi rrit fjalët e mëdha
Dhe, natyrisht, ai s’mund të mos rriste edhe më shumë fjalët e tij të mëdha. Dilema sipas tij ishte hamletiane: të jesh a të mos jesh. Përsëri, edhe për çështjen e targave.
“A është Kosova ‘fejld’ (deshi të thoshte ‘failed’ në gjuhën angleze) state a nuk është?” – tha z. Kurteshi në shpjegimin e tij.
Fjalët e mëdha vetëm sa e trimëronin Kurteshin, që vazhdonte më tej duke thënë:
“S’kemi punë me dështimin e Qeverisë. Kemi punë me dështimin e shtetit. Dhe ky shtet nëse dështon, ka me dështu si për pozitën si për opozitën. Përndryshe, dështimi është i shtetit.”
Ose edhe më poshtë:
“Sigurisht se do të ketë dalje në zgjedhje… qëllimi kryesor është mos të ketë veprim demokratik atje. Me i tregu botës që Republika e Kosovës nuk e kontrollon një pjesë të territorit atje. Asnjë qeveri nuk e ka atë të drejtë të lejojë që një shtet të bëjë agresion dhe t’i tregojë botës se kemi shtet të dështuar.”
Ne vetëm mund të shpresojmë që pas shtyrjes së zgjedhjeve, të mos përdoren fjalët e Kurteshit për ta turpëruar Kosovën.
Ndërkohë, Kurteshi e quajti Listën Serbe – e cila e kishte deri muajin e kaluar një ministër në Qeverinë Kurti – edhe organizatë terroriste. Por, natyrisht, kjo dhemb më pak tash e do të dhemb më shumë nëse Lista Serbe rikthehet në qeverisje.
“Qëllimi i fundit që po e ndjek Serbia është që të dëshmojë – me mashën e vet që me gjasë është organizatë terroriste, ose pjesë politike e një organizate terroriste – se shteti i Kosovës nuk e kontrollon një pjesë të shtetit të vet.”