Bie çmimi i naftës në tregjet botërore, në Kosovë po ndodh e kundërta
Aktualisht në tregjet botërore çmimi i derivateve të naftës është duke rënë, por në vendin tonë po ndodh e kundërta, ku për çdo ditë, për një litër vlera është ngritur nga 8 deri në 10 cent.
Sipas Oil Price, një barrel naftë e papërpunuar po tregtohet me 124 dollarë nga 128 dollarë që ishte në fillim të ditës. Po ashtu, nafta WTI po tregtohet me 119 dollarë kundrejt 124 dollarë për barrel.
Ditë më parë, naftëtarët kanë paralajmëruar se çmimi i naftës për një litër do të arrin në 2 euro, shkruan Telegrafi.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari gjatë një konference për medie ka thënë se nuk ka bllokadë të furnizimit me naftë në tregun e Kosovës.
Hajdari gjithashtu ka theksuar se së bashku me Autoritetin e Konkurrencës janë duke i identifikuar marrëveshjet e tregtarëve, për manipulime të mundshme me produkte në treg.
“Ne nuk mund t’i kontrollojmë çmimet, por mund të marrim masa. Ne kemi marr masa të ndryshme, duke filluar nga nafta. Mund të këtë edhe devijime të çmimit në treg, ku tregtohen furnizohen ndoshta dje në Durrës, kurse sot caktojnë çmimin sipas bursës”, tha Hajdari.
Kurse, kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës ka theksuar se sanksionet e vendosura karshi Rusisë kanë prekur çmimet e pothuajse secilit sektor.Ai ka shtuar se kjo krizë po dikton rritjen e çmimit të naftës. /Telegrafi/