fbpx
Lajme

Esati, djali që u rrëzua nga skelja, që sot e sundon Zvicrën

Historia e Esatit është një në një milion. Kishte shkuar rastësisht në Zvicër, por tash ‘perandoria’ e tij biznesore shtrihet në çdo cep të këtij shteti.

Një djalë i ri nga komuna e Deçanit, që kishte diplomuar në një unviersitet privat në Prishtinë, që kishte shkuar në Zvicër për t’i ndihmuar djalit të axhës që kishte nevojë për ajrin e pastër të Alpeve, që gjatë asaj kohe sa po qëndronte atje kishte vendosur që të punonte në ndërtimtari, një ditë ishte rrëzuar nga një skele duke i thyer të dyjat këmbët, duke përfunduar në ‘krraba’ për disa vite.

Foto1
Në kushte normale një tregim për një djalë që ka kaluar nëpër këso situatash do të përfundonte këtu. Mirëpo për Esatin kishte filluar këtu. Ai, për më pak se 10 vjet, rrëzime dhe ngritje, ka arritur ta pushtojë shtetin zviceran. Vitin e kaluar biznesi i tij, Lika, ka pasur qarkullim mbi 500 milionë euro.


Kush e njeh edhe dikë tjetër me një CV të tillë? Unë për vete jo.

Atë ditë që e vizitova në selinë qëndrore, në periferi të Cyrihut, Esati ishte duke u nxituar për në Dubai.

“Jo more, vonë kam ardhë unë në Zvicër”, – më tha, kur e pyeta nëse kishte lindur në këtë shtet.

“Baba më tha me ardhë me djalin e mixhës, i cili kishte probleme me mushkëri dhe i duhej të qëndronte në Alpe dikund. Unë erdha me e shoqëru”.

“Edhe?”

“Edhe fillova me punu në ndërtimtari. Fillova me punu gjithçka, me ly, me zidu me i bo krejt punët që kërkohen në këtë industri”.

“Nuk e ke pasë askënd këtu a?”

“Jo, bile u rrëzova prej skeles, llom u bana”.


Në zyrën e Esatit ishin edhe dy vëllezërit e tij, Fatmiri dhe Beni. Të tretë po i grahin punëve në Zvicër.

Çfarë në fakt bëjnë këta?

Të gjitha punët, prej A deri në Zh. Këta e blejnë pronën, e ndërtojnë atë dhe e shesin. Biznesi Lika tashmë i ka bërë mijëra ndërtime, në të gjitha hapësirat e Zvicrës, në çdo kanton dhe në shumë qytete.

I fundit, por më i rëndësishmi, është projekti që janë duke e zhvilluar në Davos, kryeqytetin botëror të biznesit, aty ku njëherë në vit takohen njerëzit që e kanë në pronësi më shumë se gjysmën e planetit tonë, qytetin ku zbarkojnë mijëra ‘privat jet’ nga e gjithë bota.

“Aty po e ndërtoj një hotel me mbi 20 mijë metra katror”, – po tregonte në prezentim Loren Sinaj, një djalë nga Vlora, i diplomuar në universitetin e Gjenevës, që tash ishte pjesë e kompanisë Lika.

Foto2 

“Ne bashkëpunojmë me të gjitha bankat më të mëdha të Zvicrës. Emri i kompanisë Lika ka zënë vend në emrat e kompanive më serioze në vend. I kemi dyert e hapura kudo”.

Kompania Lika në disa vitet e fundit, për çdo vit është dyfishuar. Në vitin e fundit gati është trefishuar në qarkullim. 

Si është e mundur, posaçërisht kur po flasim për një vend si Zvicra, ku konkurrenca është mjaft e ashpër?

“Unë i kam borxh këtij shteti sa të jam gjallë”, – këtë frazë e përseriste Esati gjatë gjithë kohës.

“Këtu, nëse punon, nëse çohesh herët në mëngjes, nëse nuk ndalesh gjithë ditën, askush nuk ta ka inati. Këtu e dojnë punëtorin. Kam dëgju, ose dëgjoj llafe, qysh në Zvicër ua kanë inati të huajve. Kjo nuk është e vërtetë. Ndoshta ata që nuk punojnë kanë probleme. Unë i kam borxh këtyre njerëzve sa të jam gjallë”.

“Kur ke ardhë, a ke pasë shtetësi, ose diçka të Zvicrës?“

“Jo bre kurrgjo, kam ardhë me duar në xhepa. Tash i kam krejt çka të duhet”.

Esati, gjatë punës së tij, asgjë nuk i lë fatit. Në një vend si Zvicra ti duhet të bësh diçka që të tjerët nuk e bëjnë, ose nuk besojnë që mund të bëhet.

Kështu, bie fjala, ai në një rast, kishte rrezikuar duke kryer ndërtime në një hapësire që ishte afër një centrali nuklear.

“Të gjithë mendonin që nuk bën të ndërtohet aty, sepse realisht në atë hapësirë njerëzit ishin më të prekur me kancer, thoshin që ndikon centrali nuklear. Sido që të jëtë unë fillova të ndërtoj, sepse të tjerët nuk e kishin bërë. I gjithë projekti përfundoi me sukses, çdo gjë u shit, u rrit edhe vlera e atij vendbanimi”, – tregonte ai.

Raportet e tij me banorët e vendeve ku ndërton janë të shkëlqyeshme. Nuk ka se si të mos jenë, kur ai vazhdimisht i falëndëron dhe u është mirënjohes për mundësinë që ia kanë dhënë.

Foto4 

Tash kompania Lika është në përfundim të selisë qëndrore. Pamja e kësaj selie është spektakolare. Aty janë angazhuar arkitektët më në zë të botës, siç janë të angazhuar edhe në shumë projekte të tjera të tij.

Gjatë gjithë kohës që e kaluam së bashku, Esati e kishte merak të fliste për shqiptarët e suksesshëm në Zvicër.



“Drejtor i kësaj banke është Gjoni, një shqiptar i jashtëzakonshëm”, thoshte ai, duke përmendur shqiptarët e suksesshëm.

foto5 

Në Kosovë a e ke ndërmend të bësh dicka?

Aty qeshet. Kishte marrë pjesë në një privatizim të një toke në afërsi të QMI-së, por që per arsye banale i kishte dalë një pengesë, me një pronë që po i zinte rrugën.

“Kam mujtë me intervenu, sepse të gjithë i njoh, por nuk kam deshtë. Qashtu ka mbetë”.

Esati, por edhe vëllezërit e tij, janë të gatshëm që të marrin përsipër iniciativa serioze zhvillimore në Kosovë, por edhe më tutje nuk shohin që ka plane serioze prej anës tonë.

Kurse, derisa Kosova ta mendojë një plan serioz, derisa Kosova mos ta trajtojë diasporën dhe njerëzit e suksesshëm si Esati jo si njerëz që japin ndihma, por si thesar të mundshëm për investime, kompania Lika do të vazhdojë ta nderojë Zvicrën.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close