Biseda e “Grupit të Kumanovës” me një agjent maqedonas: Cila UDB, Sasha po e shtin Angellovin
Komuna e Deçanit gjatë ditës së sotme ka përuruar shtatoren e të vrarit në Kumanovë, Beg Rizaj. Në këtë ceremoni pjesmarrës kishte qenë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili kohë më parë nga buxheti i shtetit për familjet e “Grupit Kumanova”, kishte ndarë 290 mijë euro, shkruan Insajderi.
Rizaj së bashku me dhjetëra kosovarë kishin marrë pjesë në konfliktin e armatosur në mes të ashtuquajturit “Grupi i Kumanovës” dhe shërbimeve të sigurisë së Maqedonisë.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur më 9 maj të vitit 2015, ku kishin mbetur të vrarë vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Kurse, humbën jetën edhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, shkruan Insajderi.
Të vrarë në këtë ngjarje kishin mbetur edhe Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, dy ndër anëtarët kryesor të grupit. Rizaj ishte varrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.
Kurse, të burgosur kishin mbetur 31 anëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Kumanovës”.
Autoritetet maqedonase e kishin cilësuar këtë ngjarje, si sulm ndaj rendit kushtetues të shtetit..
Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj kishin lidhje të forta me një spiun të Agjencisë së Inteligjencës së Maqedonisë ( DSK). Dy udhëheqësit e grupit të Kumanovës kanë incizuar një bisedë me agjentin në fjalë.
RTV Dukagjini kishte siguruar një kopje të këtij incizimi që ka shërbyer si provë për strukturat vendëse e ndërkombëtare të sigurisë për të zbuluar prapaskenat e ngjarjes në Kumanovë.
Biseda është zhvilluar disa javë pasi që Rizaj dhe Ndrecaj kishin sulmuar një pikë kufitare në fshatin malor Gushicë të Likovës në kufirin Maqedoni-Kosovë.
Ndrecaj dhe Rizaj nuk e kishin pritur ndërhyrjen e policisë maqedonase gjatë aksionit në Gushicë, dhe dyshojnë se janë tradhtuar nga agjenti maqedonas. Kjo konfirmohet edhe gjatë bisedës.
RTV Dukagjini nuk ka qenë në gjendje që të vërtetojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e bisedës.
Biseda 1
Mirsadi: Qysh jeni?
Agjenti: Mirë qysh jeni ju, qe tu këqyrë futboll. Familjen si e ke?
Mirsadi: Mirë krejt juve qysh jeni
Agjenti: Bereqet versen mirë
Mirsadi: A ju ka marrë malli?. E kam humb numrin se mu lëshuan UDB-ja.
Agjenti: Cila UDB?
Mirsadi: Të krejt dynjasë.
Agjenti: Q.. UDB-në e n..
Mirsadi: Po thotë Begu nuk ja kem q.. kurrë.
Agjenti: Ku jeni?
Mirsadi: Në mes të Likovës
Agjenti: Jo bre në Likovë
Mirsadi: Po po ne ua shk…. shërbimet juve.
Agjenti: E di unë, për atë u kam kërkuar
Mirsadi: Eh more dajë…
Mirsad Ndrecaj dhe personi që dyshohet të jetë agjent bisedojnë pastaj për një reagim që Mirsadi kishte bërë në Facebook pas incidentit në Likovë. Ish pjesëtari i UCK-së kishte shkruar në rrjetin social se sulmin në pikën kufitare e kishin organizuar djemtë më të mirë të UCK-së.
Biseda 2
Agjenti: Ta kam lëshuar një porosi por ai numër nuk po të bënë. E pashë mbrëmë reagimin
Mirsadi: Cilin?
Agjenti: Atë që e ke shkru në facebook. Që UCK-ja e ka marrë bazën
Mirsadi: A të pëlqej?
Agjenti: Shumë mirë, shumë mirë
Mirsadi pastaj fillon të akuzoj ish udhëheqësin e Shërbimit Inteligjent të Maqedonisë Sasha Mihajllov për dekonspirim.
Biseda 3
Mirsadi: Sasha asht tu e bo ata. Sasha po e shtin Angellovin, Ai Angellovi gjithë ka gjujt shtremt. Nuk ka mund kurrë drejte.
Në fund të bisedës ata i kërkojnë agjentit që të vijë në Prishtinë, por pasi e mbyllin telefonin, flasin me kërcënim se nëse vjen do t`i qërojnë hesapet me te.