fbpx
Lajme

Burimi i shpifjeve ndaj UÇK-së rrjedhë nga “Libri i Bardhë i Serbisë”, “klani kriminal i Drenicës”

Shteti i Serbisë e ka botuar para, gjatë dhe pas luftës librin propagandistik i quajtur “Libri i Bardhë”. Librin e ka shpërndarë në shumicën e vendeve të botës. Shumë akuza ndaj UÇK-së kanë rrjedhë nga ky libër i quajtur i Bardhë, por në fakt është i Zi dhe shumë shpifës.

Bardhyl Mahmuti / Mashtrimi i Madh

Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme, e asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia, ua shpërndau falas institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale.

Versioni i këtij «Libri të Bardhë» u ribotua nga regjimi i Milošević-it në vitin 1994 dhe në vitin 2005 , ndërsa në vitin 2001 dhe 2003, i plotësuar dhe i modifikuar në përputhje me ndryshimin e konteksteve politike ndërkombëtare, u publikua nga regjimi i “ri” i Beogradit.

Strukturat e mafies shqiptare sipas «Librit të Bardhë»

Për ta ilustruar “funksionimin klanor” të shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe “ndarjen precize territoriale”, në të cilën “familjet e caktuara kontrollojnë një vend të caktuar dhe aktivitetet kriminale në atë vend”, Shërbimi Sekret Serb publikoi strukturat e këtyre “familjeve mafioze shqiptare”. Sipas skemës së sajuar nga ky shërbim, në Kosovë ekzistojnë shumë “familje të vogla kriminale”. Por, këto “familje të vogla” janë nën ndikimin dhe kontrollin e «Klanit të Drenicës», «Klanit të Dukagjinit» dhe «Klanit të Llapit», tri “familjeve të mëdha kriminale që dominojnë Kosovën.” Me qëllim që të ndërlidhin luftën çlirimtare të Kosovës me krimit e organizuar, autorët e “librave të bardhë” pohojnë se klanet e lartpërmendura e kanë ndarë Kosovën në tri zona interesi: zonën e Drenicës, të Dukagjinit dhe të Llapit. Në të tri zonat, që korrespondojnë me tri zona operative të strukturës ushtarake të UÇK-së gjatë luftës së Kosovës, “aktivitetet kriminale udhëhiqen dhe kontrollohen nga ish-udhëheqës të UÇK-së, të cilët pas luftës u transformuan në udhëheqës të strukturave politike.” Për këtë arsye, kujtdo që i intereson të hulumtojë se kush e kontrollon një veprimtari të caktuar kriminale në një krahinë të caktuar, duhet të shikojë se cili ishte komandat i asaj zone operative të UÇK-së gjatë luftës së Kosovës. Në funksion të kësaj, pas faqes 22 të «Librit të Bardhë», të botimit të vitit 2003, si shtojcë publikohet skema organizative e komandantëve të Zonave Operative të UÇK-së.


Kjo skemë organizative e komandantëve të zonave operative të UÇK-së pasohet me skemën organizative të strukturave kriminale.

Kufizimi në “kokën” dhe në “tetë” degëzime të «Klanit të Drenicës» bëhet me qëllim që të aludohet në «oktapodin», që figurativisht simbolizon mafien! Madje, për të mos e prishur “imazhin e oktapodit” në skemë nuk figurojnë disa figura që në brendi të «Librit të Bardhë» stigmatizohen si njerëz kyç të këtij “klani”

«Klani i Drenicës», i cili në disa raste paraqitet edhe me emërtimin «Grupi i Drenicës», përshkon tërë materialin stigmatizues të Shërbimit Sekret Serb. Por, përveç stigmatizimit të «Grupit të Drenicës», si emërtim i përgjithshëm, në «Librin e Bardhë» stigmatizohen veç e veç “bartësit”2 e këtij «grupi». Që nga Hashim Thaçi, i cili konsiderohet si “koka”, “organizatori”, “shefi” i “organizatës kriminale të «Grupit të Drenicës»”3 , Xhavit Haliti, që konsiderohej “ndër figurat qendrore të krimit të organizuar në Kosovë dhe «Grupit të Drenicës»”4 e deri te Azem Syla5 , Kadri Veseli6 , Fatmir Limaj7 dhe personalitete tjera të UÇK-së, stigmatizohen nga Shërbimi Sekret Serb si anëtarë të një “organizate terroriste dhe kriminale”. Ky “grup” akuzohet për veprimtari “kriminale” të kryera para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës së Kosovës. Sa i përket periudhës para dhe gjatë luftës në Kosovë, «Grupit të Drenicës» i ngarkohen vrasjet, rrëmbimet, burgosjet, keqtrajtimet e civilëve të komuniteteve të ndryshme që jetonin në Kosovë, duke vënë theksin e veçantë mbi serbët dhe shqiptarët «besnikë» ndaj Serbisë. Krahas vrasjeve dhe keqtrajtimeve të njerëzve, këtij “grupi” i ngarkohen edhe “kontrabanda me armë, trafikimi me narkotikë, me prostitucion, trafikimi me qeniet njerëzore si dhe shitja e organeve njerëzore!”1 Pas përfundimit të luftës, listës së veprimtarive kriminale, Shërbimi Sekret Serb ia shtoi edhe “kontrollin mbi tregtinë e naftës, derivateve të naftës, cigareve dhe mallrave tjerë me akcizë, të cilat u lehtësuan me depërtimin e «Grupit të Drenicës» në strukturat e pushtetit lokal dhe qendror.”2 Të gjithë atyre që u intereson të shohin se deri në cilat përmasa përpiluesit e të ashtuquajturave raporte sekrete të agjencive inteligjente perëndimore, të publikuara edhe në internet, janë mbështetur në thëniet e Shërbimit Sekret Serb për të përpiluar “raportet e tyre”, kanë mundësi të binden se kemi të bëjmë me përvetësim e sajimeve serbe si të ishin rezultate të “zbulimeve të tyre”. Të gjithë emrat e kriminelëve, “familjet kriminale”, strukturat e tyre, raportet mes tyre dhe marrëdhënjet me pushtetin politik janë kopjuar nga «librat e bardhë». Nuk e di nëse mund të quhet “plagjiaturë” kjo formë e veprimit të “shërbimeve inteligjente” që përzgjodhën dhe publikuan materiale propaganduese serbe në emër të “Shërbimit Sekret Informativ të KFOR-it amerikan dhe NATO-s”, në emër të “Shërbimit Sekret të Gjermanisë” dhe një numër raportesh tjera të kësaj natyre të “shërbimeve inteligjente” të shteteve perëndimore. Pas një analize krahasuese të përmbajtjes së këtyre raporteve me burimin serb të informatave del qartë se nuk është dashur ndonjë “inteligjencë” e madhe nga këto “agjenci” për të kopjuar propagandën serbe. Madje nuk kanë pasur nevojë as për përkthyes, sepse «librat e bardhë» dhe disketat me “27000 faqe materiale për krimet e shqiptarëve të Kosovës” ishin botuar dhe shpërndarë falas në disa gjuhë të botës.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close