fbpx
Lajme

Surroi në librin e tij tallet me Azem Sylën: hante mollën me të njëjtën dorë me të cilën mban edhe briskun

Nga Veton Nevzadi – Për ta lexuar librin “Këmbët e gjarprit’ të Veton Surroit nuk më shtyu as djegëja e disa ekzemplarëve tij (përmbushës të profecisë së autorit për heretizëm), as diskutimi pro e kontra, as fyerjet e lëvdatat, por reklamimi me pompë në mediumin televiziv (pronë e autorit) edhe gjashtë muaj pas promovimit të tij fillestar.

I.

Përderisa e lexon “Gjarprin…” me një vëmendje të shtuar, habitesh se si është e mundur që një njeri me një aftësi briliante për t’i thënë dhe analizuar gjërat me aq elegancë, bie paradoksalisht e thellë në grackën e stereotipeve të krahinave dhe katundeve njejtë sikur të ishte ndonjë qytetar i rëndomtë diku në trotuaret e Prishtinës apo kudo gjetiu nepër Kosovë.

Gjatë gjithë librit mbi 80 herë përsëritet pasuesi “Hashim Thaçi, i quajturi Gjarpri”, sa që të krijohet përshtypja se këtij libri me 222 faqe, nga autori i mungon vetëm një dedikim me këto fjalë në fillim të tij: “Hashim Thaçit, i quajturi Gjarpri, i cili me katundarinë, hipokrizinë dhe determinizmin e tij më shërbeu si motivim për t’i shkuar deri në fund këtij libri”.

Libri “Këmbët e gjarprit’ në momentumin politik që është botuar ka përkuar me metodën me të cilën i është qasur ardhjes në pushtet Edi Rama pak para fitores së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Dallimi mes Ramës dhe Surroit është se ky i fundit nuk ishte kandidat për Kryeministër të Kosovës ndërsa “Kurban-i” i Ramës ishte gjithashtu platformë politike e së ardhmës për Shqipërinë. “Këmbët e Gjarprit” në pjesën më të madhe është një tendencë për demonizim të një personi dhe një strukture, duke mos përjashtuar asnjëherë edhe momente kur ka të vërteta, sidomos me gjendjen ekonomike dhe arsimore të krijuar në vend.

Libri reflekton mosdurim të thellë mes “dy elitave shoqërore”, të cilat janë prodhim i zhvillimeve historike të dy konteksteve të ndryshme kohore dhe politike në Kosovë. Njëra e krijuar nga fëmijët e ish komunistëve shqiptar që udhëhoqën Kosovën deri në shkatrrimin e Jugosllavisë, të cilët pretendojnë në një vazhdimësi elitare me bazë në këtë trashëgëmi, dhe tjetra që është në krijim e sipër nga eksponentë që u shfaqën bashkë me rrethanat e jashtëzokonshme gjatë lëvizjes së armatosur nën llogon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të organizuar nga, siç thotë Surroi “ të posaarriturit, fëmijë të fshatit, si Hashim Thaçi”.

Autori është i “apasionuar” me protagonistit tij, saqë nuk hjekë dorë nga ndjenja e posesivitetit që kishte krijuar atëbotë në relacion me udhëheqësit politik gjatë Konferencës së Rambujesë, shih për këtë e pengon fakti që ai nuk është gjithnjë nën vëzhgimin e tij. Personazhi i tij “zakonisht ishte diku, skutave të Kështjellës”!
Skenari i një filmi në Hollywood në këmbim të nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë që kinse i premtohej protagonistit të autorit nga James Rubin është një fakt i çuditshëm që unë nuk arrita ta kuptoja në plotëni. Në mungesë të fakteve këtë pohim mund t’a fusim në kategorinë e fiksionit (të cilin e kam ndëgjuar në reklamën e librit, por nuk e hasa në ndonjë fletë të tij). C’kishte të bëjë një skenar filmi me një marrëveshje për paqe në vitin 1999? Po flasim për rrethana tërësisht të ndryshme nga ato që janë sot. Sikur të thoshte për vitin 2014 ndoshta edhe do t’a merrja në konsideratë për shkak të dominimit që personazhi I librit ka në partinë e tij dhe në skenën politike në Kosovë, mirëpo në vitin ’99 ai nuk posedonte fuqinë e njejtë politike që e ka sot. Ai, atëbotë, siç e thotë edhe Surroi, në skenën politike ishte nga “ të posaarriturit, fëmijë të fshatit…”.

II.

Ka edhe momente komike në libër të cilat të bëjnë për të qeshur, por që shfaqin përçmimin me të cilin shikohej nga Surroi kjo elitë politike në formësimin e saj. Mënyra se si pas darkës e han mollën Azem Syla me të njëjtën dorë me të cilën mban edhe briskun ose kur thotë “o, nuk jom ka e di a p’i bje NATA Serbisë, se me dit, hiç se ves k’ta (dora e drejtuar kah Hashim Thaçi). Apo pretendimi për uzurpim të gjuhës nga kjo elitë, ku politikës tashmë i thuhet pulitik dhe institucioneve – ustutucione. Janë këto margaritarë të atyre momenteve komike të cilat për nga doza e cinizmit nuk mbeten vetëm komike, por edhe diskretituese në të njëjtën kohë.

Është ironi e fatit edhe periudha e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për autorin e librit, pasiqë si përfaqësues i elitës ish-komuniste, si rezutat i humbjes së zgjedhjeve me subjektin e tij politik pak muaj para kësaj dite, nuk mundi të jetë pjesa zyrtare e këtij momenti historik. Këtu e gjej edhe justifikimin për përqeshjen që i bën “flamurit peshqir” të Republikës së Kosovës dhe arsyetimin jo bindës për motivet mbi të cilat Heroi Kombëtar Adem Jashari filloi të quhej Legjendar. Kombet kanë nevojë për mite dhe kush tjetër do ta meritonte këtë epitet më shumë se Adem Jashari.

Edhe çështja e diskutueshme e UÇK-së në këtë libër më duk më pak “heretike” sesa që pretendojnë të tjerët (sidomos ata që e dogjën këtë libër). Dihet nga të gjithë që UÇK nuk ishte ushtri konvencionale për shkak të rrethanave në të cilat është krijuar dhe ka funksionuar. Gjithashtu ka shumë të vërteta për rolin që LPK kishte në krijimin e kësaj force, por edhe një fakt përmbyllës se FSK dhe Ushtria e Kosovës si ushtri konvencionale po ndërtohet mbi trashëgiminë ushtarake të UÇK-së. Të tjerat pas kësaj janë të parëndësishme.

Kur flitet për orientimet ideologjike të partive politike është e vërtetë se ato në të shumtën nuk përkojnë më aktet që i ndërrmarrin në terren, sidomos kur janë në pushtet. Është i vërtetë pohimi i autorit se PDK përgatitej nga Partia Laburiste e Anglisë që të akomodohej në hapësirën e një partie me orentim të majtë, përveç kësaj edhe celulat prej nga janë organizuar eksponentët e PDK-së kanë lidhje me LPK-në, e cila njihet për konceptin majtist të saj. Askush nuk i ka të njohura arsyjet pse PDK papritur ka zhvendosë polin e saj ideologjik drejt gjirit të partive të djathta.

Veprimet që janë marrë shpesh bijnë në kundërshtim me ideologjinë politike në të cilën është orientuar PDK, pasi rritja e punësimit në sektorin publik nuk ka të bëjë asgjë me të djathtën, do të duhej të ishte e kundërta, pra krijimi rrethanave të favorshme për zhvillimin e sektorit privat. Ulja e kostos së shkollimit nuk ka të bëjë asgjë me të djathtën, përderisa shitja e aseteve dhe pronave publike përkon me saktësi. Këtu edhe qëndron poenta e autorit.

III.

Në anën tjetër, tendenca për të glorifikuar konceptin ekonomik dhe zhvillimor të Fadil Hoxhës dhe të Veli Devës bie në kundërshtim me një fakt historik të pamohueshëm. Komunizmi si sistem politik dhe ekonomik është dëshmuar si i dështuar përfundimisht në vitin 1989 . Të krahasosh këto dy periudha historikisht dhe politikisht është paradoksale sepse megjithatë ky sistem (demokracia dhe kapitalizmi) është sistemi mbi të cilin i mbajnë shpresat jo vetëm të kosovarët, por e gjithë bota e lirë dhe progresive. Nëse nuk do të jetë Thaçi, do të jetë dikush tjetër që do t’i ecë proceset përpara, ndërsa sistemi politik do vazhdojë të jetë ky që është tash.

Përderisa lexoj pjesën ku trajtohen negociatat mes Kosovës dhe Serbisë më bëhet se ndëgjoj një tekst të një kënge të mirënjohur të grupit “Minatori”: “Kur të folsh me ata të doket vetja shka”. Aq lirë qenka shitë Kosova për karrierën personale të një individi, saqë sikur në vigjilie të rënies së komunizmit të mos ishte autori njëri ndër iniciatorët për formimin e një partie politike panjugosllave që kishe për qëllim ruajtjen e Jugosllavisë edhe do t’i besoja.

Konsideroj se në këtë libër ka edhe të vërteta, sidomos ato që kanë të bëjnë me periudhën e vonshme të qeverisjes së Thaçit. Ka ngecje dhe lëshime në kuptimin kualitativ dhe përmbajtësor te arsimi në secilin nivel, shëndetësia nuk ka shenja të këndelljes dhe po fundoset në skandale, poashtu edhe zhvillimit ekonomik i duhen më shumë vullnet politik, dinamikë, programim dhe përgjegjësi. Me një fjalë, shteti në të shumtën e rasteve ka dështuar në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, me përjashtim të sektorit publik ku progresi është i ndjeshëm. Si rezultat i kësaj gjendje kemi devijime të ndryshme në shoqëri, veçanërisht këto të fundit më ekstremizmin fetar islamik.

E pavërtetë është gjëma e madhe që i paska ndodhë Kosovës sipas autorit në dy mandate të fundit politikës në Kosovë. Kosova ka ekzistuar para Veton Surroit dhe Hashim Thaçit dhe do të jetojë dhe ekzistojë edhe pas tyre. Një lexues i huaj do të mund të mendonte se kemi të bëjmë më një nomenklaturë që e paska udhëhequr Kosovë për më shumë se gjysmë shekulli, e jo vetëm 6 – 7 vite.

Libri “Këmbët e gjarprit” fillon me një hamendje hipotetike të autorit nëse do të “dukej Kosova ndryshe sikur në pranverën e vitit 1999, Hashim Thaçi të bëhej arsimtar i historisë në Malishevë”.

Një pyetje e njëjtë vetëm e kthyer në drejtim të autorit do ishte kështu: Si do të dukej dhe a do të ishte ky që është Veton Surroi nëse në një vit të largët të shekullit të kaluar, ish udhëheqësi komunist kosovar Fadil Hoxha të vendoste që mos të martohej me hallën e tij? A do ti kishte mundësi për të bërë karrierë politike babai i autorit dhe rrjedhimisht, ai a do t’i kishte ato mundësi që i kishte për tu shkolluar dhe për të mësuar si qërohen mollët?/rajonipress/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close