fbpx
Lajme

Deputetja ruse: Për krimet e përbindshme të Thaçit është ditur mirë që para 20 viteve

Shaqir Vukaj*        

(Vijon nga numri i kaluar)

Moska herë pas here deklaronte se “me terroristët nuk do të ulej asnjë herë në tavolinën e bisedimeve”, madje përpiqej që të bindte edhe të tjerët.

Duke ecur me këtë logjikë, nga “terrorizmi i UÇK-së” u kalua në “terrorizmin kosovar”, në “terrorizimin shqiptar në Maqedoni”, e më vonë në “terrorizmin mbarëshqiptar”, madje si “një terrorizëm që lot rol kryesor në botë”. Me lajme për terroristët shqiptarë, UÇK-së terroriste, UKÇ-në (Ushtria Kombëtare Çlirimtare) terroriste, terroristët shqiptarë të Kosovës, terroristët shqiptarë të Maqedonisë, terroristët shqiptarë të Shqipërisë etj., mbusheshin gazetat e lajmet e kanaleve ruse, aq sa për rusët e thjeshtë fjala shqiptar jo radhë identifikohej me fjalën terrorist.

Ky ishte dhe qëndrimi i Moskës, dhe në të gjitha materialet zyrtare të asaj periudhe. UKÇ-ja (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) emërtohej njëlloj, “terroriste” si UÇK-ja. Kështu në një deklaratë të MPJ të Rusisë me dt.17 korrik thuhej: “Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se në Maqedoni veprojnë jo disa “kryengritës”, që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe të pakicës kombëtare, por terroristë të betuar”. Ndërsa më 13 gusht, po kjo Ministri deklaronte se “Si detonator i ngjarjeve të tanishme në Maqedoni, ka shërbyer vërshimi i terrorizmit dhe ekstremizmit nga Kosova”.

Me dt. 8 tetor presidenti Putin duke folur para Qeverisë ruse tha: “Atë që terroristët po bëjnë në Çeçeni që nga viti 1996, tani po e bëjnë në Kosovë, nga ku përpiqen të veprojnë edhe jashtë saj”.

Gjatë periudhës 2002-2008, Moska duke dashur të kundërshtonte e të pengonte pavarësinë e Kosovës, krahas tjerave, herë pas here sulmonte UÇK-në, duke përsëritur ato që ishin thënë shumë herë, por tashmë në kushte të tjera, kur sipas saj “terroristët, kriminelët, trafikantët, fundamentalistët etj. të UÇK-së ishin bërë politikanë, kryetarë partishkryeministra, ministra etj.”.

***

Është tepër domethënës qëndrimi i Moskës, mbas publikimit të Kujtimeve të Karla del Pontes. Të gjitha mediet ruse i kushtuan  një vend të dukshëm “krimeve të kryera nga shqiptarët kundër serbëve paqësorë”, ndërsa institucionet zyrtare  menjëherë u aktivizua me të gjitha mjetet e mundshme për ndërkombëtarizimin e problemit dhe për të “sqaruar deri në fund krimet e terroristëve shqiptarë dhe dënimin e tyre”.

Në një deklaratë të MPJ , të dt.8 prill 2008 thuhej: “Në Moskë po ndjekin me vëmendje si po zhvillohen ngjarjet rreth kujtimeve të ish Kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, Karla del Ponte, për hetimin e krimeve çnjerëzore në territorin e ish Jugosllavisë. Faktet që dolën në dritë për krimet çnjerëzore kundër popullsisë civile në Kosovë, të kryera nga luftëtarët e UÇK-së nën parullat e “luftës për pavarësi” janë shokuese. MPJ i është drejtuar Gjykatës së Hagës me kërkesë zyrtare për informacione, mbi krimet kundër serbëve të Kosovës që përmenden në Kujtimet e del Pontes dhe masat e marra për publikimin e tyre”.

Por Moska nuk u mjaftua me deklarata. Ajo  ndërmori veprime konkrete. Ato  ditë në Moskë thuhej me krenari se Rusia ka qenë nismëtare për hartimin e raportit të Dik Martit. Vetëm pak ditë mbas kësaj deklarate, delegacioni rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, propozoi, që Asambleja të merrte nën kontroll hetimin e krimeve të përshkruara nga Karla del Ponte. Kështu, kryetari i delegacionit rus Kosaçov, tha: “Ne mendojmë se në kushtet kur Tribunali hesht, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës duhet të marrë situatën në kontroll, duke marrë parasysh faktet që sillen në librin e del Pontes”, dhe shtoi se “Kjo Asamble ka përvojë për hetime të tilla, si për shembull ato për burgjet e CIA-s në Europën Lindore” (duke propozuar Dik Martin që të angazhohej me këtë punë, meqenëse ai kishte përvojë….).

Për të “ndihmuar” Dikun, që atëherë në Moskë filluan të flisnin me emra e akuza konkrete. Kështu, duke iu referuar gjyqit të Ramush Haradinajt, ‘Rossijskaja gazeta” e dt. 4 prill 2008 shkruante: “Nuk përjashtohet që së shpejti të ngrihet padi edhe kundër Hashim Thaçit për rrëmbim civilësh serbë me qellim shitjen e organeve”.

        Në muajin qershor, përfaqësuesi i Rusisë në OKB V.Çurkin deklaronte: “Ne e konsiderojmë si të pakënaqshme situatën në Gjykatën e Hagës. Ne presim nga Tribunali një raport të hollësishëm mbi masat e marra lidhur me zbulimet shokuese të ish prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, Karla del Ponte lidhur me faktet që deri kohët e fundit janë mbajtur të fshehura nga Tribunali”

        Ndërsa mbas publikimit të raportit të Dik Martit, Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Dumës ruse, Kosaçov në një intervistë dhenë radios “Eho Moskvi” me dt.20 dhjetor deklaroi: “Raporti ka qenë i iniciuar nga delegacioni rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, dhe këtë ne e kemi bërë sapo u publikuan të dhënat përkatëse nga goja e Karla del Pontes. Që nga ajo kohë është dashur një punë e kujdesshme për verifikimin e gjithë këtyre fakteve, dhe kjo vërteton se raporti nuk është përgatitur me ngut e brenda një afati të caktuar. Sigurisht që ne e kemi diskutuar këtë raport dhe unë i kam shprehur falënderimet zotit Marti, se raporti ishte përgatitur me ndershmëri e objektivitet, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë”.

Janë  tepër kuptimplote intervistat e Dik Martit për “Rossijsakaja Gazeta” dhe radion “Eho Moskvi”, mbas publikimit të raportit, ku ai pohonte se “Hetimi u bë me iniciativën e Rusisë” dhe  falënderonte Moskën për këtë nismë….

Raporti i Dik Martit pati një jehonë të gjerë në Rusi. Me këtë problem u morën ditë me radhë të gjitha mediet, ku u përsëritën ato që ishin thënë shumë herë për UÇK-në e Hashim Thaçin, por tashmë duke përsëritur  ato që ishin shkruar në raport, apo edhe më parë në librin e Karla del Pontes. Më e rëndësishmja ishte reagimi zyrtar i Moskës, që edhe një herë u përpoq ta shfrytëzonte këtë rast në mbrojte të politikës  së Beogradit, për të kundërshtuar përsëri pavarësinë e Kosovës.

Më dt. 15 dhjetor ishte në Moskë për vizitë Ministri Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Ministri i Jashtëm i Rusisë, S. Llavrov deklaroi: “Lajmet për trafik organesh njerëzore ka kohë që janë përhapur. Tani, siç e kuptoj unë, është bërë një punë profesionale për verifikimin e këtyre fakteve. Ky raport nuk duhet të mbetet një dokument sekret, por duhet përhapur sa më shumë”. Kjo ishte sa për ti “vënë vulën” atyre që kishte thënë Dik Marti, por kryesorja për Llavrovin ishte që, duke marrë shkas nga ky raport, të fliste kundër pavarësisë së Kosovës, madje ti kthehej edhe një herë këtij problemi, sepse sipas tij: “Problemi i Kosovës duhet të zgjidhet vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së” (që sipas Moskës, Kosova nuk mund të shpallej e pavarur)

Ndërsa më dt. 17 dhjetor, MPJ e Rusisë deklaroi zyrtarisht se nuk i njihte zgjedhjet në Kosovë, mbasi, siç tha zëdhënësi i saj Sazonov “Ato janë organizuar nga pushtetarë të një Republike të vetëshpallur…..”. Sipas MPJ të Rusisë “Përderisa në dokument bëhet fjalë për krime monstruoze, e për më tepër kur dyshohet si pjesëmarrës në veprimtarinë kriminale, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi…, mosnjohja e Kosovës, është edhe më e bazuar”. Por njëkohësisht MPJ ruse i kërkonte Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Që në sesionin e janarit ta diskutojë me seriozitetin më të madh këtë dokument dhe të marrë vendimet përkatëse”.

Po atë ditë deputeti rus Vjatkin, anëtar i delegacionit rus në Asamblenë Parlamentare deklaroi se “Të gjithë e dimë se këta njerëz (udhëheqësit e Kosovës) kanë një reputacion të dyshimtë, për të thënë më hapur, janë kriminelë lufte”. Ndërsa ambasadori i Rusisë në Beograd A. Konuzin në një intervistë dhënë radios “Gollos Rosii” akuzoi  OSBE-në se “Ka zhdukur arkivat” dhe pushtetarët e Shqipërisë se “Bllokojnë me të gjitha mënyrat çdo lloj hetimi për këtë problem”. Siç u shpreh ai: “Del qartë se udhëheqja e UÇK-së është e implikuar në shumë krime…..Akuzat për liderët kosovarë janë aq publike sa nuk mund të injorohen. Nuk mund të injorohen, jo vetëm sepse ato janë bërë në të kaluarën, por edhe sepse situata në këtë territor, nuk po rregullohet aspak”.  

***

            Kjo ka qenë gjuha e përdorur nga Moska zyrtare gjithë këto vite kundër UÇK-së  dhe drejtuesve të saj. Vendimi për fillimin e procesit gjyqësor sikur e “qetësoi” Moskën, sepse sipas, sipas saj, qëllimi u arrit.

Ashtu siç pritej, do të prononcoheshin Duma Shtetërore dhe Qeveria Ruse. Menjëherë, pa filluar gjyqi, deputetja e Dumes, Elena Pakina, anëtare e Komitetit të Jashtëm të Dumes Shtetërore deklaroi: “Për krimet e përbindshme të Thaçit është ditur mirë që para 20 viteve, por ata nuk e kanë ngacmuar gjithë këtë kohë, sepse mbas shkëputjes faktike të Kosovës nga Serbia, luftëtarët e saj i janë dashur për frikësimin e serbëve të mbetur në krahinë si dhe presion mbi Beogradin”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë më dt.9 nëntor doli deklaratë zyrtare, ku ndërmjet tjerave thuhej: “Është tepër e rëndësishme që të gjithë fajtorët që kanë kryer krime, të zbuluara me kohë nga raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dik Marti, të çohen para gjyqit dhe të marrin dënimin e merituar. Nuk mund të jenë të pa prekshëm. Është tepër i dukshëm “statusi” hijerëndë i të akuzuarve.

Rezulton se në krye të të ashtuquajturit shtet i Kosovës kanë qenë njerëz, për të cilët janë mbledhur shumë prova që lidheshin me veprimtarinë antiligjore të këtyre njerëzve, përfshijë terrorizmin dhe krimin e organizuar. Fatkeqësisht, përkrahësit perëndimor të Prishtinës kanë mbyllur sytë për këtë anë të biografisë të të përkëdhelurve të tyre. Tani po bëhet e qartë për opinionin shoqëror perëndimor se kë ka ndihmuar NATO, kur në vitin 1999 bombardoi Jugosllavinë e pavarur”.

Bën përshtypje fakti se në Moskë, nëpërmjet goditjes e dënimit të drejtuesve të UÇK-së, pretendohet jo vetëm të goditet UÇK-ja, si organizatë terroriste, mafioze etj. por të sulmohet e mundësisht të bëhet e pa qenë pavarësia e Kosovës.

Në vartësi nga ecuria e gjyqit në Hagë, Moska do të përpiqet me të gjitha mënyrat ta shfrytëzojë në interes të vet (Beogradit), në radhë të parë në punën me organizatat ndërkombëtare (kundër pranimit të Kosovës) dhe me shumë shtete (kundër njohjes së Kosovës).

***

Me të drejtë lind pyetja: Po tanët, qeveritarë e deputetë, diplomatë e zyrtarë,  ata që shkojnë nëpër Europë, në Strasburg e Bruksel, në OKB e shumë organizma të tjera ndërkombëtare, a e kanë ditur se ç’po përgatiste Dik Marti, dhe a janë marrë seriozisht me këto probleme? Në se nuk e kanë ditur, lind edhe  pyetje tjetër, më e rëndësishme. Vallë me çfarë merren terë këta njerëz që marrin rroga e dieta (të gjitha nga taksapaguesit), dhe sa i si i mbrojnë interesat e Shqipërisë e shqiptarëve ( të të gjithë shqiptarëve pa përjashtim, sepse tani ne po akuzohemi si komb). Dhe së fundi, në se e kanë e ditur, atëherë përse kanë heshtur?

         *Ish-ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close