fbpx
Lajme

Djali i Remzi Hoxhës: Vrasësi i babait kishte çip përgjimi në këmbë, britanikët ndihmuan në largimin e tij

Ardian Hoxha, djali i biznesmenit kosovar Remzi Hoxha, i zhdukur në rrethana që implikojnë regjimin e parë ‘Berisha’ (1992-1997), ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve AMA, në të cilën jep versionin e vet të ngjarjes tragjike. Sipas tij, babai i tij u ka mbetur në dorë gjatë torturave njerëzve të Gazidedes, ndërsa për këtë të fundit hamendëson se “i është shpejtuar vdekja”. Legjenda metropolitane thotë se Remzi Hoxha ka patur dijeni mbi faktin që Presidenti Berisha ka patur një takim me Millosheviçin, gjë që në fakt nuk është provuar e dokumentuar deri më sot.

Por të njëjtën tezë mbron dhe djali i Remziut. Madje, realiteti që ai tregon është edhe më i pasur se sa vetë legjenda. Ardiani thotë se përveç një takimi të Berishës me Millosheviçin më 30 maj të vitit 1993, në Shën Naum, në të cilin ka marrë pjesë dhe Gligorovi (të bën përshtypje që jepet një datë e saktë), ka pasur dhe një takim të Bashkim Gazidedes me Arkanin (1995), në Shkodër. Lidhur me këtë të fundit, ashtu si dhe me tregëtinë e armëve e të naftës në favor të Millosheviçit, thotë i intervistuari, është informuar Presidenti i atij moti, Berisha; është informuar nëpërmjet mikut të Remzi Hoxhës, Pjetër Arbnorit, dhe zyrës së LDK-së në Kosovë.

Por asgjë nuk ka ndodhur. Më saktë, e vetmja gjë që ndodhi ishte zhdukja e Remzi Hoxhës, i cili – kjo lihet në kuptohet në intervistë – ishte i rrezikshëm, ngaqë dinte. I vetmi person që mund të dëshmojë lidhur me vdekjen e Remzi Hoxhës është Ilir Kumbaro, i cili u ka ikur nga duart policëve britanikë disa ditë më parë; është shpallur ‘wanted’.

Zoti Ardian, si e shikoni sjelljen e fundit të autoriteteve britanike të drejtësisë me çështjen “Kumbaro”. Përse nuk iu vendos nje çip përgjues në këmbë, siç veprohet me të tjerët?

Në fakt çipi i ishte vendosur atij fillimisht, por më vonë si duket ia kanë hequr ketë çip dhe për këtë jemi duke hulumtuar se si ka ndodhur. Ky veprim duket si një veprim i qëllimshëm dhe amator, duke patur parasysh sa i ndjeshëm është rasti. Ne mendojmë se autoritetet britanike qëllimisht kanë ndihmuar ikjen e Ilir Kumbaros për arsye që ende nuk i dimë, të cilat mund të jenë të shumta, dhe nesë ata duan ta dëshmojnë të kundërtën ata duhet ta arrestojnë Ilir Kumbaron dhe ai të sillet para drejtësisë. Nuk janë aq naive dhe amatore institucionet e Britanisë së Madhe, të një shteti që është model për të gjitha vendet e botës.

A keni kontaktuar me autoritetet e këtij vendi për të marrë sqarime rreth këtij skandali nëse mund ta quajmë keshtu dhe çfarë ju kanë thënë ?

Ende nuk kemi kontaktuar me ta zyrtarisht, përveç se jemi njoftuar nga mediat. Jemi duke u angazhuar në këtë drejtim dhe do ta zbardhim të gjithë këtë deri në fund. Nuk është e mundshme të bëhen lëshime të këtilla pa qëllim. Ky do të jetë ndër skandalet më të mëdha që autoritetet britanike janë involvuar kohëve të fundit.

A mendoni se dhe Gjykata e Lartë vonoi zbardhjen e vendimit për ekstradim me qëllim që t’i jepte kohë avokatit mbrojtës të lironte nga disa kushte Kumbaron dhe me tej gjykatën qe ai të arratisej?

Më në fund u dëshmua se Gjykata e Lartë qëllimisht e kishte zvarritur zyrtarizimin e vendimit të datës 14 tetor, 2011, ku mbeti në fuqi masa e “arrestit me burg” për Ilir Kumbaron për më tepër se 1 muaj, duke qenë e precizuar me ligj që çdo vendim i gjykatës duhet bërë zyrtar brenda 2 javësh. E kam thënë edhe më herët që Drejtësia në Shqipëri ndikohet shumë nga klanet mafioze shtetërore, dhe kjo edhe një herë e dëshmon këtë.

A keni informacion nëse Kumbaro ka dale nga Britania e Madhe dhe çfarë mendoni për gjetjen dhe kapjen e tij në të ardhmen? A do të ketë ndonjë përgjegjës për këtë skandal?

Nuk kemi informacion nëse ai ka dalë nga Britania e Madhe apo jo, por jam i bindur se Shërbimet Sekrete të Britanisë së Madhe e kanë këtë informacion. Është e pamundur që gjithçka që ndodhi të kalojë aq lehtë dhe aq naivisht. Sidoqoftë, përgjegjësinë për këtë e merr Policia e Londrës dhe Gjykata, me të cilat normalisht se do të merremi në të ardhmen e afërt.

Familja juaj dhe ju vetë vazhdimisht keni hetuar rreth fatit të të dashurit tuaj, babait, bashkëshortit, vëllait, Remzi Hoxha. Deri ku keni arritur me gjurmët e ndjekura? Po për kërkimet rreth trupit, që mund të ishte dhe një provë e fortë ndaj autoriteteve të asaj kohe?

Ne kemi hetuar vazhdimisht, qysh nga dita e parë dhe të gjitha faktet tregojnë se babai im, Remziu, është torturuar aq shumë sa që në javën e parë ka vdekur nga torturat, që fillimisht mund të mos ketë qenë qëllimi i kriminelëve të SHIK-ut të asaj kohe. Më pas, nuk kanë ditur se çfarë të bëjnë janë munduar t’i humbin gjurmët dhe e kanë zvarritur të gjithë këtë proces me mënyrat e veta, dhe tash mbas 16 viteve, kur pretendojmë të kemi demokraci dhe të përgatitemi të hyjmë në Europë, shihni se si vepron shteti kriminel dhe drejtësia e vendit.

Kush mendoni se ka dhënë urdhrin e rrëmbimit të babait tuaj?. Përse ai u mor me forcë në atë mënyrë?. Në atë kohë u hodhën pista se babai juaj biznesmen bënte punë antikombëtare ndaj dhe u mor për verifikim… Si eshte e verteta?

Urdhëri për zhdukjen e babait tim ka ardhur nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë të asaj kohe, dhe e gjithë kjo u bë që të mos dalin në publik bizneset sekrete në mes udhëheqësve të lartë shtetëror të Shqipërisë dhe atyre të Serbisë, që më vonë i bëri publike edhe ish-kryetari i Malit të Zi, siç ishin furnizimet me naftë, armatim, etj.

Çfarë mbani mend nga ajo ngjarje e 16 viteve më parë ?

Për disa vite ishim të hutuar fare, sepse nuk dinim se çfarë është duke ndodhur. Me kalimin e viteve i kuptuam të gjitha dhe i verifikuam ato. Është me të vërtetë e rëndë të kujtoj ato momente sepse më rikujtojnë të gjithë atë “film” rrënqethës. Nuk di se si mund të përshkruhet ndjenja kur një fëmije i zhduket babai dhe nuk dihet për vite për fatin e tij. Le ta imagjinojë secili për veten e tyre. Çfarë do të ndjenit? Ka shumë pak gjëra në jetë më të rënda se kjo.

Si u vendos familja juaj në Tiranë pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990. A keni jetuar në ndonjë qytet tjeter të Shqipërisë?

Ne erdhëm në Tiranë, duke u larguar nga regjimi Serb dhe shërbimet sekrete që ishin të shtrira edhe në Maqedoni. Ne erdhëm në mëmëdhe për të filluar një jetë të re, ku do të jetonim të gjithë së bashku dhe në liri, duke mos i përjetuar më dhunat që kishim nga Serbët, deri tek shpërthimi me bombë në oborr të shtëpisë.

Gjatë kësaj kohe, a keni pasur kërcenime direkte apo indirekte, teksa kërkoni drejtësi?

Nuk kemi pasur kërcënime direkte apo indirekte nga askush. Ne jemi familje shumë e madhe dhe mjaft e fuqishme dhe nuk na ndal dot asnjë kërcënim. Për më shumë, ne jemi duke kërkuar për fatin e jetës së më të afërmit tonë dhe nuk ka asnjë forcë që mund të na ndalojë për të gjetur drejtësinë për fatin e babait tim.

Si mendoni, përse është zhdukur në këtë mënyrë babai juaj?. U torturua për informacionet që kishte, apo kishte zbuluar ndonjë skandal qeveritar të madh?

Çfarë do të kishte skandal më të madh se Sali Berisha duke i shitur naftë dhe armatim Sllobodan Millosheviçit, ose takimit të Bashkim Gazidedes me Arkanin ?. Dhe e gjithë kjo kur në Kosovë po persekutoheshin me mijëra Shqiptarë. Këto informata i shkuan Sali Berishës përmes Pjetër Arbnorit, që ishte mik shumë i mirë i babait tim, dhe zyrës së LDK-së në Kosovë, të cilën e kishin njoftuar për këto takime. Një lajm i tillë për publikun në Shqipëri do të rrezikonte pafund karrierën politike të udhëheqësve të asaj kohe.

Nëse po, për çfarë bëhet fjalë. Pasi në media gjatë këtyre viteve është folur për një takim të ish famëkeqit që shfarroste kosovarët, Arkanit, me ish-presidentin Sali Berisha dhe te ndjerin Gazidede në Shkodër. A është e vertetë ?.

Është e vërtetë. Takimi i Sali Berishës me Sllobodan Millosheviçin dhe Kiro Gligorovin kishte ndodhur më 30 maj, 1993, në Shën Naum të Maqedonisë, kurse takimi i Bashkim Gazidedes me Arkanin ka ndodhur në vitin 1995, në Shkodër.

A mund ta mbyllë qeveria shqiptare këtë skandal duke e zvarritur, me fshehje të Kumbaros, deri në këto vdekje misterioze apo sëmundje te personazheve te dyshuar në rrëmbimin e babait tuaj? Apo më në fund do të vendoset drejtësia?

Unë mendoj se kjo është politika të cilën është duke e ndjekur qeveria shqiptare, siç kishte ndodhur edhe me Bashkim Gazideden, për të cilin mendoj se “i është shpejtuar vdekja”, dhe ka tentime që të shtyhet sa më shumë verdikti i fundit. Sidoqoftë, unë megjithatë shpresoj që ata burra dhe gra që ndjejnë se kanë dinjitet dhe që nuk duan të trashëgojnë një shtet dhe ardhmëri të këtillë për fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre, të punojnë në zbardhjen e këtij rasti dhe të çojnë drejtësinë në vend.

A keni ndonjë mesazh për qytetarët shqiptarë, drejtësinë, autoritetet dhe institucionet?

Unë apeloj tek të gjithë njerëzit që mund të kontribuojnë në zbardhjen e rastit të babait tim, në çfarëdo mënyre, sado e vogël të jetë, që të ajpin kontributin e tyre për zbradhjen e të vërtetës dhe në gjetjen e trupit të babait tim. Nëse nuk veprojmë tani, një gjë e tillë mund t’i ndodh secilit nga ju, dhe fëmijët apo nipërit e mbesat tuaja të kenë të njëjtin fat të cilin e kisha unë dhe familja ime. Gjeni pak guxim dhe veproni, sepse vetëm në këtë mënyrë do të luftojmë kriminelët dhe krimin i cili e pengon shumë zhvillimin e vendit dhe standardin jetësor të çdo qytetari. Janë mbi 16 vite, nga 365 ditë, që jetojmë me dhembje të jashtëzakonshme. Vetëm mendoni se si do t’a përjetonit ju në rast se juve ju kishte ndodhur një gjë e tillë dhe do ta kuptonit sado pak se si ndihemi ne.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close