DOKUMENT | Ministria e Albulena Haxhiut me udhëzim të ri që kufizon edhe më shumë kompensimin e avokatëve të ish-krerëve të UÇK-së, sot përfundoi afati për konsultim publik
Ministria e Drejtësisë është duke e ndryshuar sërish Udhëzimin Administrativ për t’i kufizuar edhe më shumë pagesat e avokatëve për ish-krerët e UÇK-së, që po gjykohen në Hagë.
Saktësisht, sot, më 30 janar 2024, ka përfunduar edhe dita e fundit e konsultimit publik për ndryshimet e reja që është duke i bërë Ministria e Drejtësisë lidhur me kufizimin e mëtejmë të pagesave të avokatëve për të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë, shkruan Demokracia.com.
Kjo po shkakton telashe shtesë në mbrojtjen e të akuzuarve që po gjykohen në Hagë.
Në udhëzimin e ri administrativ që po përgatitet nga Ministria e Drejtësisë synohet sërish të caktohen limite për kompensimin e avokatëve të ish-krerëve të UÇK-së.
Me anë të nenit 2 të Udhëzimit të ri Administrativ, Ministria e Drejtësisë synon t’i japë fund shqyrtimit të mbështetjes financiare në raste të veçanta të paraqitur nga mbrojtja kur tejkalohet shuma e përcaktuar në marrëveshjen bazë, shkruan Demokracia.com.
Në Udhëzimin e kaluar Administrativ, Nr. 08/2022, gjithashtu i nënshkruar nga ministrja Haxhiu, “në raste të veçanta, kur për shkaqe objektive, kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar tejkalon shumën e përcaktuar në marrëveshje, Njësia i propozon Komisionit, shqyrtimin e saj. Propozimi përmban arsyetimin me shkrim”.
Sipas Udhëzimit Administrativ të deritashëm, Komisioni kishte për detyrë të shqyrtojë “rrethanat që kanë çuar në tejkalim të tarifave të pëcaktuara me këtë Udhëzim Administrativ dhe varësisht nga arsyetimi, e aprovon apo refuzon të njëjtën”.
Por, me Udhëzimin e ri Administrativ, i cili ka dalë në shqyrtim publik më 12 janar 2024 dhe ka përfunduar sot, më 30 janar 2024, këto dy paragrafe [2 dhe 3] do të fshihen. Kjo do të thotë se kërkesat e kësaj natyre nuk do të ketë bazë më për t’u shqyrtuar nga Komisioni dhe rrethanat kur tejkalohet tarifa as që do të shqyrtohen më. Linku: https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=42246
Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin Nr. 05/L-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Speciaizuara.
Ky ligj ka përcaktuar qartë qëllimin dhe fushëveprimin e tij.
Gjatë ditës së sotme, u raportua se avokati Gregory Kehoe dhe ekipi i tij nga kompania “Greenberg Legal Associates”, do të largohen nga rasti i Thaçit në Gjykatën Speciale në Hagë për shkak të pagesës. Në anën tjetër, vëllai i Thaçit, Idriz Thaçi, po ashtu e ka konfirmuar mosvazhdimin e kontratës me avokatin Kehoe dhe ekipin e tij për shkaqe financiare në vitin 2024.
Avokat kryesor i ish-presidentit Thaçi tani është avokati i njohur Luka Misetiq.