fbpx
Lajme

Dokumentet: CIA gati t’iu ofronte nga 500 mijë dollarë Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut nëse dezertonin, synohej rrëzimi i regjimit brenda vjeshtës së 1954

Agjencia Qendrore e Zbulimit amerikan, CIA ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në përpjekjet për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri në fillim të viteve ’50. Në ato vite ekzistonte një mundësi shumë e mirë për CIA-n që të përmbyste një nga regjimet që ishte nën varësinë e Bashkimit Sovjetik. Sipas një dokumenti, amerikanët ishin gati tu ofronin para Hoxhës dhe shehut në mënyrë që të dorëzonin pushtetin.

30 qershor 1953-Plani i veprimeve agresive të operacionit

Në rrethana ideale objektivi i operacionit është përmbysja e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, deri në vjeshtën e vitit 1954. Duke parashtruar veprimet për t’u ndjekur para grushtit të shtetit, ne supozojmë se Greqia, Jugosllavia e Italia do të mbajnë një qasje bashkëpunuese dhe do të pranojnë të mos ndërhyjnë në Shqipëri, përveç rasteve kur u kërkohet asistencë. Në këto kushte rekomandimet tona do të ishin: Zgjerimi i menjëhershëm i Komitetit Shqipëria e Lirë për të përfshirë të gjitha fraksionet politike të emigrantëve shqiptarë, veçanërisht BKI dhe grupin e Ali Këlcyrës.

Printimi i kartëmonedhave lek për furnizimin e agjentëve

Prokurimi i menjëhershëm i 5 nëndetëseve për të vendosur bllokadë të plotë të transporteve detare nga brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nëndetëset nuk duhet të kenë shenja dalluese si amerikane, por si mjete pirate pa flamur, dhe me ekuipazh vullnetarësh pa dokumente. Ato do të veprojnë nga Italia e Greqia, vende të cilat do të ndihmojnë në vendosjen e bllokadës duke ndaluar tregtinë me Shqipërinë. Rekrutimi dhe stërvitja e 1000 deri në 1500 shqiptarëve si forcë goditëse në kohën e grushtit të shtetit. Forca goditëse do të hyjë në Shqipëri nga Greqia e Italia, si dhe me mjete amfibe nga deti.

Më tej në 1954 do të zhvillohen rekrutimet dhe infiltrimet sapo ta lejojë moti. Ekspertët tanë parashikojnë nisjen e aktiviteteve të rezistencës dhe të krijimit të një bërthame të stërvitur e cila të organizojë popullatën. Këta ekspertë do të veprojnë kryesisht në zonën e veriut ku tashmë ekziston një fillesë strukture rezistence. Ata do të furnizohen nga ajri me armë, municione e ushqime për revoltën. Ushqimi duhet të kihet parasysh në mënyrë që forcat e rezitencës të mos vuajnë nga bllokada ekonomike që pritet të vendoset mbi vendin. Në fillim të verës të merren peng ambasadorët shqiptarë në Romë dhe Paris, dhe të njoftohet me mjetet e propagandës klandestine se ata kanë dezertuar. Programi i fletushkave dhe transmetimeve radio të intensifikohet me komente gjithnjë e më të ndezura dhe referenca ndaj ditës së revoltës.

Për të paktën dy muaj para grushtit të shtetit fletushkat të lëshohen çdo javë. Të infiltrohet në Shqipëri me mjetet më të sigurta, një agjent i nivelit të lartë amerikan me autorizim për të kontaktuar me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, të cilëve do t’i ofrojë deri në 500 000 dollarë dhe siguri për të ardhmen, në këmbim të dezertimit të tyre. Dezertimi duhet të përfshijë urdhrat për ushtrinë dhe sigurimit për të ulur armët në momentin e duhur. Transmetimet radio nga udhëheqësit e emigracionit të nxisin ndjekësit e tyre t’i bashkohen lëvizjes së rezistencës. Anëtarët e juntës ushtarake të lëshohen në Shqipëri për të drejtuar kryengritjen në ditën e caktuar.

Deri në gusht 1954, veprimet e koordinuara të forcave të rezistencës dhe të forcës goditëse duhet të rezultojnë në përmbysjen e suksesshme të pushtetit komunist dhe vendosjen në fuqi të një qeverie të përkohshme të pranueshme sipas kujdesit të OKB. Gjatë këtij revolucioni forcat e stërvitura të rreth 4000 shqiptarëve që pretendohet se ekzistojnë në Greqi dhe Jugosllavi, së bashku me njësi të ushtrive greke e jugosllave, të qëndrojnë në gatishmëri në rast nevoje.

Pas suksesit të operacionit ushtritë e huaja duhet të tërhiqen menjëherë jashtë kufijve të Shqipërisë. Flota e Gjashtë amerikane do të angazhohet në manovra në detin Jon dhe Adriatik duke asistuar në zbarkimet e mjeteve amfibe dhe duke ndihmuar revolucionarët nëse është nevoja. Flota nuk duhet të marrë një rol aktiv, përveç rastit kur thirret për ta bërë. Ajo do të mbetet në zonë për disa javë për të dekurajuar veprime hakmarrëse nga Bashkimi Sovjetik ose satelitët e tij. Më tej Shqipëria do të procedojë me zgjedhjen e qeverisë demokratike. Megjithëse disa nga rekomandimet e paragrafëve të mësipërm nuk janë thelbësorë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës, dashamirësia e qeverive jugosllave, italiane e greke janë të domosdoshme.

23 tetor 1951

Britanikët e Valuable thonë se kanë nevojë për leje nga Ministria e Jashtme dhe ushtria për fondet e krijimit të batalionit shqiptar në një brigadë ndërkombëtare, të mbledhjes së armatimeve dhe materialeve, si dhe nisjes së trajnimeve. Ata thanë se sipas planit të tyre, stërvitjet në Maltë do të nisin menjëherë. Në lidhje me këtë ne deklaruam propozimin për zgjerimin e forcës aktuale në 500 njerëz dhe të një njësie elitare oficerësh brenda saj. Megjithëse propozimet mund të sjellin dyfishimin e përpjekjeve, kjo mund të sjellë probleme koordinimi. Kjo është e lidhur gjithashtu me masën e simpatisë dhe e rezistencës brenda ushtrisë së Shqipërisë. Është parashikuar gjithashtu armatosja e popullatës civile simpatizante ndaj lëvizjes, në mënyrë që ajo të duket si një kryengritje e brendshme. Një operacion i tillë duhet të jetë i shpejtë, simuluan dhe nuk duhet të nisë pa i siguruar strategjia e plotë dhe e suksesshme për përmbysjen e regjimit.

Në planet tona duhet të përfshihen armë për 10.000 njerëz dhe mbi të gjitha, çelësi i operacionit është që shqiptarët të bëhet të kuptojnë se kryengritja është reale (kjo të arrihet me anë të teksteve të nxehta të fletushkave që do të lëshohen vetëm pak ditë para operacionit). Plani të përfshijë dezertimin masiv të ushtrisë dhe të bëhet që trazirat të duken totalisht të brendshme. Dezertimi masiv duhet të jetë i menjëhershëm. Për depërtimin në tre zonat e caktuara ku do të lëshohen furnizimet dhe armatimet për nacionalistët, duhet të bëhet sa më poshtë: 1. Të sigurohet bashkëpunimi sekret i Greqisë dhe Jugosllavisë, ose 2. Bashkëpunimi sekret i Greqisë dhe neutraliteti dashamirës i Jugosllavisë. Greqia të bashkëpunojë për zbarkimet detare dhe fazën logjistike të operacioneve, kryesisht në lidhje me fluturimet e avionëve ushtarakë. Sasi të konsiderueshme ushqimesh duhet të lëshohet, të paktën aq sa për njerëzit që do të armatosen. Dy javë janë caktuar si koha e llogaritjes së masës së ushqimit për mbështetjen e revoltës.

Komunikimet

Komunikimet duhet të organizohen paraprakisht dhe grupet e komunikimit duhet të veprojnë nga secila prej zonave të lira. Britanikët thonë se nuk e shikojnë mundësinë e një operacioni të tillë para pranverës 1953, duke kërkuar një vit për përgatitjet. Me sa duket është gjithashtu e rëndësishme që Komitetit Shqipëria e Lirë të mos i jepet mundësia të ndërtohet si një qeveri e emigracionit apo as si qeveria e mundshme pas çlirimit. Në fakt ne duhet të presim që KSHL të shprehet në favor të zgjedhjeve të sponsorizuara prej nesh, pasi fuqitë kërkojnë të evitojnë një luftë të mundshme civile pas çlirimit. Vetëm për rrëzimit të regjimit të vjetër, duhet të nisë ngritja e profilit të Komitetit, edhe kjo duke u shprehur si në favor të operacionit dhe jo duke u prezantuar si komandues i tij. Inteligjenca më e mirë për Shqipërinë duket se është ajo që ka ardhur nga shërbimet greke, edhe pse është e turbullt dhe jo sipas interesave kryesore të BGFiend/Valuable. Marrjet në pyetje të refugjatëve shqiptarë ndodhin shumë kohë pas arratisjes së tyre në sistemin grek, prandaj po bëhet e nevojshme që ne të stacionojmë një marrës në pyetje në veri të Greqisë.

Britanikët besojnë se informacioni i ardhur nga Italia nuk është i favorshëm, duke marrë parasysh që ata kanë lidhje tregtare me Shqipërinë dhe një ambasadë në Tiranë. Ndoshta italianët besojnë se ne kërkojmë t’u marrim të gjitha informatat, por gjithsesi besojmë se marrëveshja jonë e këmbimit të informacionit me italianët nuk është ezauruar siç pritej. Problemi i arritjes së inteligjencës së mirë mund të zhduket me aktivizimin e agjentëve të specializuar, ose me shfrytëzimin e dezertorëve të nivelit më të lartë. Mes të tjerave ne kemi konsideruar të favorshme skemat e dezertimit të zyrtarëve të ambasadës, siç ishte rasti i Romës, ku u ofrua ndihmë në rast të këmbimit me inteligjencë të vlefshme. Kemi rënë dakord që britanikët të merren me kontaktin, duke përcaktuar kredibilitetin e tij, dhe nëse është e mundur, të realizojnë dezertimin.

Politika

Britanikët kanë deklaruar se pozicioni i tyre në lidhje me Komitetin Shqipëria e Lirë duket të ulet në përgjegjësitë e mëparshme, dhe daljen nga “operacionet”. Ata besojnë se operacionet vetëm ngacmuese nuk mund të krijojnë bazën për riorganizim ose rindërtim, prandaj kërkojnë ribërjen e Komitetit, rritjen e fuqive të tij, për ta kthyer në një vegël të fortë dhe jo vetëm në një grup njerëzish. Edhe pikëpamjet tona janë të ngjashme, sa i përket zgjerimit të tij. Ne besojmë se funksioni i Komitetit duhet të jetë si mbulesë e aktivitetit tonë, ashtu dhe burim propagande dhe organ i shqiptarëve të interesuar në mirëqenien e popullit (çështjet operacionale nuk duhet të pranohen në asnjë rrethanë në kuadrin e Komitetit). Ne kemi rënë dakord se preferojmë një ndryshim në strukturën e komitetit për të eliminuar sistemin aktual të dyfishtë, dhe krijimin e një grupi drejtues me nëngrupe, anëtarët e të cilëve herë pas herë humbasin në rotacion.

Nga nëngrupet e komitetit, një mund të punojë specifikisht me propagandën, pastaj me mirëqenien, ndërsa junta ushtarake e tij të jetë një degë e papublikuar. Kemi rënë dakord se përbërja e KSHL të jetë vazhdimisht objekt ndryshimesh, dhe jo një dyqan i monopolizuar. Kjo gjë duhet bërë e qartë për anëtarët. Kryeziu nuk duhet të shkarkohet nga posti i tij por vetëm të kritikohet ashpër. Ne kemi rënë dakord se nëse nuk marrim veprime të tilla rinovuese, prestigji i Komitetit në Shqipëri mund të dëmtohet shpejt. Mbështetja e tij anglo-amerikane e pengon Komitetin nga kritikat e brendshme. Kjo vjen nga indiferenca e popullatës ndaj aktivitetit të Komitetit, kryesisht prej të infiltruarve të nivelit të ulët, bisedat e tyre për gjërat që do të vijnë dhe mospërputhja e realitetit të tyre me kushtet brenda Shqipërisë.

Operacionet

Është dhënë miratimi për rinisjen e operacioneve. Deri tani 39 njerëz kemi infiltruar në vend, 12 gjenden ende aty, 2 prej të cilëve duke operuar në mënyrë aktive. Kemi kryer 5 operacione lëshimesh fletushkash, dhe 31 fluturime klandestine mbi Shqipëri, në një total prej 46 orësh, gjatë të cilave kemi lëshuar rreth 4000 kg armë, furnizime e municione. Janë kryer 23 fluturime klandestine në të cilat janë infiltruar 39 njerëz. Shtatëmbëdhjetë prej tyre janë rikthyer në Greqi, shtatë kanë dezertuar të Tito, katër janë kapur dhe kanë dalë në gjyq. Në operacionet e britanikëve janë infiltruar katër grupe agjentësh, një prej të cilëve ka bërë kontakt me bazën. Nga infiltrimet nga deti, është ekzekutuar një dalje, ose eksfiltrim i suksesshëm. Kemi nevojë për integrim më të thellë mes operacioneve tona dhe të britanikëve.

Në të kaluarën, agjentët tanë të nivelit të ulët janë konsideruar më shumë të dëmshëm se të dobishëm. Si rezultat i këtij kalibri të ulët të agjenturës, edhe palët në Komitetin Shqipëria e Lirë kanë pasur tendencë të mbrojnë më shumë interesat partiake sesa ato të kombit. Kemi qenë dakord se të gjitha problemet e grupeve në 1951 kanë ardhur nga niveli i ulët i agjentëve të furnizuar nga Komiteti. Brenda kufizimeve të logjikshme, kufiri grek do të vazhdojë të përdoret në të dy drejtimet përveç anëtarëve të Ballit Kombëtar. Do të ishte e dëshirueshme të tejkalohej ky kundërshtim nga ana e Greqisë dhe e BK. Britanikët kanë raportuar se infiltrimet fillestare nga deti kanë qenë të suksesshme dhe se kjo metodë pritet të përdoret më gjerë në të ardhmen. Sipas kushteve të caktuara operacionale kjo formë infiltrimi dhe eksfiltrimi (dalje, rikthim) është një formë e leverdishme dhe praktike me ndihmën e marinës britanike.

Planet për 1952

Ne do të trajnojmë 8-10 agjentë transmetues radio për misionet afatshkurtra të kontaktimit të zyrtarëve shqiptarë (kryesisht të ushtrisë) dhe për vendosjen e kontakteve të përhershme radio. Gjithashtu do të fokusohemi në detyrat e veçanta si dezertimet, mbledhja e inteligjencës dhe propaganda për sabotazhe. Do të vazhdojmë rekrutimet e individëve të nivelit të lartë dhe do të mbyllim rekrutimet e agjentëve nga Kompania e Gardës. Ashtu si britanikët, ne do të synojmë që operacionet e 1952 të jenë më klandestine. Parimet operacionale të britanikëve janë të ngjashme me tonat dhe ata janë dakord për koordinim më të ngushtë meqenëse dhe fusha e veprimit është ngushtuar. Masa e koordinimit e arritur në të kaluarën është gjykuar si e paplotë edhe pse ishte e tillë prej ruajtjes së parimit të “mospërfshirjes operacionale”.

Siguria e operacioneve

Është pranuar nga anëtarët e Komitetit se shqiptarët dinë për operacionet klandestine thuajse sa dhe vetë agjentët, prandaj KSHL duhet të përjashtohet tërësisht nga operacionet. Për operacione më të vogla e më të fshehta në 1952, Kompania e gardës dhe kampe të tjera do të lihet jashtë tërësisht në lidhje me rekrutimin e agjentëve. Zakoni i këmbimit të letrave është ditur që ka qenë burim i dekonspirimit të planeve tona ndaj grekëve dhe italianëve, prandaj zgjidhja e vetme është kufizimi i marrjes së informacione nga këta “shkrimtarë të palodhur”. Britanikët e Valuable raportojnë përdorim të suksesshëm të skemës së Fermës së Punës për nga ana e sigurisë dhe gjithashtu e detyrimeve morale.

Theksojmë se britanikët nuk janë prekur nga probleme si gjendja e rëndë e familjeve. Skema e fermave kolektive mund të parandalojë një shpërndarje të madhe të shqiptarëve dhe humbjes së gjurmëve të tyre në rast nevoje për mobilizim. Më vonë këta njerëz ata i përfshinë në Brigadën Ndërkombëtare Britanike. (Duke marrë parasysh pamundësinë e Kompanisë së Gardës për furnizimin me agjentë të cilësisë së operacioneve vërtet klandestine, ne po studiojmë mundësinë e përdorimit të saj si një njësi për lëshimin e individëve të panevojshëm). Ne konsiderojmë me vlerë studimin e mundësisë së blerjes së një toke, plantacioni apo prone në territore tona koloniale nëpër botë për grumbullimin dhe ekzistencën e njerëzve të panevojshëm.

Fillimisht u mendua për periferinë e kryeqytetit por ideja është që ky investim të arrijë të bëhet të paktën i vetëmjaftueshëm. Megjithëse na është ofruar nga britanikët, ne do të përpiqemi të mos përdorim modelin e tyre të Fermës së Punës. Për problemin e heqjes qafe të individëve të panevojshëm do të negociohet dhe në Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit në Gjenevë.(SOT)

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close