fbpx
Lajme

Dosja e CIA-s për Xhafer Devën: Politikani gjenial që luftoi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Politikani nga Mitrovica, Xhafer Deva, ka marrë vëmendje të madhe gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Pas gjithë kësaj kohe, Ministria e Kulturës në Kosovë ka marrë përsipër ta restaurojë shtëpinë e dikurshme të Ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar me shqetësim pas lajmit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, duke pretenduar se ai kishte qenë bashkëpunëtor i nazistëve që e kryen Holokaustin, gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj vranë sistematikisht rreth gjashtë milionë hebrenj në të gjithë Evropën e pushtuar nga ta ose rreth dy të tretat e popullsisë hebraike të Evropës, shkruan Demokracia.com.

Nё vitin 1944, Xhafer Deva ishte emëruar Ministёr i Punёve tё Brendshme nё Qeverinё e Shqipërisë. Në pranverë të po atij viti, ai e kishte ngarkuar një ndër krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejanin, që ta krijonte divizionin SS “Skanderbeg”, i cili, sipas disa historianëve, i kontribuoi kryerjes së krimeve ndaj hebrenjve.

Nga ana tjetër, mbështetësit shqiptarë të aktivitetit të Xhafer Devës e lidhin rolin e tij kryesisht me formimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”. Xhafer Deva konsiderohet nga këta si themelues dhe kryetar i shquar i këtij formacioni ushtarak e qeverisës në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë.

Pavarësisht të dyja anëve, qëndrimet e të cilave tashmë diheshin, shtëpia e Devës është konsideruar monument i veçantë nga Kosova, e cila tash e disa vite planifikon restaurimin këtij objekti.

Ish-pronari i kësaj shtëpie interesante në Mitrovicë, Xhafer Deva, mbetet figurë polarizuese e historiografisë. Ai qe anëtar i Qeverisë shqiptare që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjerë ishte thjesht bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë.

Xhafer Deva vdiq më 25 maj të vitit 1978.

Dosja e CIA-s për Xhafer Devën, 1947: Një politikan gjenial, i cili flet 10 gjuhë të huaja

Ata që e japim vlerësimin përfundimtar për figurat politike gjithandej globit, amerikanët, e kanë vlerësuar lart figurën e Xhafer Devës.

Në dosjen e shërbimit informativ të SHBA-së, CIA, viti 1947, Xhafer Deva paraqitet si politikan gjenial, i cili flet 10 gjuhë të huaja.

Në këtë dosje përmenden aktivitetet e Xhafer Devës, duke filluar nga viti 1943 kur ai bën përpjekje për themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. “Më 14 shtator të vitit 1943, themelohet Komitetit Ekzekutiv me anëtarët: Xhafer Deva, Ibrahim Biçaku, Asim Abdurahman, Vehbi Frashëri, Ekrem Telhaj, Mihal Zallari, Bedri Peja. Gjermanët i dërgojnë komitetit armët e italianëve që kishin kapitulluar: 10 mijë pushkë, 10 milionë fishekë, 60 armë të rëndë dhe të lehta, 200 mortaja dhe dy tanke, të cilat i jepen Kadri Cakranit për forcat e Ballit Kombëtar”, thuhet në dosjen e CIA-s, shkruan Demokracia.com.

Sipas kësaj dosje, më 16 shtator të vitit 1943, Lidhja e Dytë e Prizrenit themelohet në Prizren me iniciativë të Xhafer Devës, Musa Shehut, Asllan Boletinit, Tahir Zajmit, Pjeter Vuçajt… Në këtë takim marrin pjesë përfaqësuesit e rajoneve të Kosovës, Dibrës, Tuzit, Strugës dhe Ulqinit. Kjo ngjarje zgjat deri më 20 shtator të vitit 1943, ku merren një sërë vendimesh: Deklarata e vullnetit të popullit për bashkim të Kosovës, Ulqinit, Dibrës dhe Strugës, si pjesë integrale të Shqipërisë së Pavarur. Krijimi i një organi ekzekutiv apo Komitet Qendror me qendër në Prizren dhe nënkomitete në të gjitha zonat e lira; Mbrojtje e etnike kundrejt çfarëdo sulmi; Zgjedhje demokratike të delegatëve, që do të përfaqësojnë rajonet e çliruara gjatë Asamblesë Konstituive në Tiranë, etj.

Jeta dhe vepra e Xhafer Devës sipas CIA-s

Xhafer Deva lindi më 21 shkurt të vitit 1904 në një familje të pasur shqiptare në Mitrovicë. Shkollën e mesme e kreu në shkollën franceze në Selanik, pastaj vazhdoi studimet në Stamboll në kolegjin amerikan “Robert College”, i cili u gradua më titullin shkencor. Pas “Robert College” në Stamboll, Xhafer Deva vazhdoi studimet në Graz të Austrisë, ku kreu edhe studimet për inxhinieri. Pastaj shkoi në Egjipt, ku punoi në “Ottman Bank”. Më vonë punësohet në një firmë të madhe britanike në Turqi.

Xhafer Deva fliste 10 gjuhë: angleze, gjermane, frënge, turke, serbo-kroate, arabe, greke, çeke, bullgare, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe. Ai kishte aftësi të jashtëzakonshme, sidomos në aftësitë inxhinierike të minierave dhe aftësitë bankare.

Në vitin 1931, kthehet në Mitrovicë ku e riorganizon fabrikën për përpunimin e drurit dhe brenda disa viteve bëhet sipërmarrësi më i suksesshëm në Mbretërinë Jugosllave.

Aktivitetin politik e fillon në vitin 1941, menjëherë pas kapitullimit të Jugosllavisë nga Gjermania. Ai u përpoq të shpëtonte shqiptarët e Kosovës, të cilët ishin nën dominimin e Ushtrisë Gjermane dhe shqiptarët nuk merrnin pjesë në administratë civile. Gjermanët pranuan që administrata në Kosovë të udhëhiqet nga shqiptarët dhe Xhafer Deva ishte zgjedhur për ta formuar administratën shqiptare. Serbët kundërshtuan ashpër, por Deva ishte zotuar për të mbrojtur interesat shqiptare. Për arsye politike dhe taktike, gjermanët nuk donin që Kosova dhe viset tjera shqiptare të bashkoheshin me Shqipërinë.

Kulmin e karrierës e arriti në vitin 1943, kur u emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme të Shqipërisë. Në muajt e pranverës ngarkohet një ndër krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejani, të krijonte divizionin SS “Skanderbeg“. Xhafer Deva ishte betuar për të mbrojtur interesat shqiptare dhe luftimin e komunizmit. Ai ishte i pamëshirshëm në luftimin e komunizmit.

Deva ishte i pari, i cili kishte zbuluar që Këshilli Nacional Çlirimtar kontrollohet komplet nga Moska.

Xhafer Deva ishte i pasuksesshëm në luftimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Ai ishte pro perëndimor dhe luftoi që forcat demokratike të fitonin në Shqipëri.

Xhafer Deva ishte lideri më karizmatik i shqiptarëve në Kosovë, duke marrë parasysh edukimin dhe aftësitë e tij, ai është një faktor shumë i rëndësishëm për CIA-në, për ta përmbysur regjimin komunist në Shqipëri. /Demokracia.com/

Një pjesë e dosjes së CIA-s për Xhafer Devën:

v

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close