fbpx
Lajme

Drejtori i AKI-së fshehu të kaluarën e tij politike, ishte këshilltar i ministrit të PDK-së dhe pjesë e strukturave të AAK-së

Procedura e emërimit të kryeshefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka hedhur hije të forta dyshimi mbi deklarimin e rrejshëm të së kaluarës politike të Petrit Ajetit, të emëruar në këtë pozitë më 15 prill.

I ngarkuari i kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani për pozitën e kryespiunit të shtetit, ka fshehur të kaluarën e tij politike, ka zbuluar Gazeta Insajderi.

Në CV-në e prezantuar të tij nga institucionet e shtetit më 15 prill, nuk janë prezantuar dy pozita politike të cilat Petrit Ajeti i kishte mbajtur para se të emërohej në udhëheqje të AKI-së.

Edhe pse Ajeti e kishte fshehur në CV-në e tij që institucionet ia kishin bërë publike në ditën e emërimit si drejtor i AKI-së, ai me vite të tëra ka qenë pjesë e strukturave të AAK-së dhe vazhdon ta ruajë afërsinë me njerëzit e këtij subjekti politik.

Në vitin 2009, Petrit Ajeti kishte qenë kandidat i AAK-së për asamblist në Komunën e Gjilanit, ku në zgjedhjet lokale kishte marrë vetëm 207 vota.

Petrit Ajeti, aktualisht drejtor i AKI-së, kishte qenë edhe kryetar i rinisë së AAK-së në Komunën e Gjilanit, por edhe anëtar i kryesisë së AAK-së në Komunën e Gjilanit dhe anëtar i Këshillit Drejtues të AAK-së në nivel qendror.

Në vitin 2013, Petrit Ajeti kishte shërbyer si këshilltar për siguri i Agim Çekut, ish-ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë Thaçi 2. Por, e kaluara e tij brenda kabinetit të Çekut është fshehur nga institucionet e shtetit në ditën e emërimit të kryespiunit të ri të shtetit.

Shërbimi i Ajetit në kabinetin e ish-ministrit Çeku dëshmohet nga të dhënat publike në uebfaqen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes më 13 dhjetor 2013, bëhej e ditur se Petrit Ajeti – në cilësinë e këshilltarit për siguri të asokohe ministrit Çeku – kishte udhëtuar në një vizitë zyrtare bashkë me ish-ministrin në Napoli të Italisë.

Nga burime të afërta më drejtorin e AKI-së, mësohet se Ajeti është shumë i afërt me bashkëshortin e presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriun, i cili gjithashtu vjen nga Komuna e Gjilanit.

Me bashkëshortin e presidentes Osmani, Ajeti kishte krijuar afërsi të madhe nga studimet në Shkenca Politike dhe gjatë punës në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ajeti mësohet se është emëruar drejtor i AKI-së me përkrahjen direkte të Prindon Sadriut, por ai është i afërt edhe me Shemsi Sylën, aktualisht zëvendësministër i Mbrojtjes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në strukturën drejtuese të AKI-së, aktualisht janë dy ish-zyrtarë të AAK-së, Petrit Ajeti si drejtor dhe Burim Ramadani si inspektor i përgjithshëm.

Për fshehje të informacioneve dhe jo sinqeritet, AKI-ja i rrëzon të gjithë zyrtarët publikë nga verifikimi, duke i detyrar kështu që të japin dorëheqje nga postet publike. Fshehja e të kaluarës nga njeriu kryesor që i është besuar siguria e shtetit përbën precedent të rëndë.

Bazuar në nenin 4 të Ligjit për AKI-në, agjencia të cilën aktualisht e udhëheq Ajeti është përgjegjëse për verifikimin e sigurisë së zyrtarëve të vet.

“AKI-ja do të mbrojë sigurinë e aktiviteteve, informacionit, punonjësve dhe pronës së vet nëpërmjet mjeteve përkatëse, duke përfshirë verifikimin e kandidatëve, të punonjësve dhe të të kontraktuarve sipas nevojës”, theksohet në paragrafin e parë të nenin 4 të Ligjit.

Petrit Ajeti, zëvendësoi Kreshnik Gashin në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Gashi u shkarkua në dhjetor të vitit të kaluar me vendim të ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe asokohe u.d. të presidentit, Vjosa Osmani.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close