fbpx
Lajme

Dyshime mbi tenderin milionësh, Komuna e Prizrenit ia përgatiti rrugën kompanisë që ta shpallë fituese

Komuna e Prizrenit, e cila drejtohet nga kryetari Mytaher Haskuka i Lëvizjes Vetëvendosje, në muajin mars të këtij viti kishte shpallur tender për “Furnizim me zhavorr për rrugët e paasfaltuara të Komunës së Prizrenit”. Në këtë kontratë është paraparë vlera e tenderit në shumën prej 1.5 milion euro por në bazë të rregullores kjo shumë mund të rritet plus 30%, e ku vlera totale mund të arrijë rreth 2 milionë euro. Për këtë tender kanë konkurruar gjithsejtë 6 kompani ndërtimi, ndërkaq vlera më ulët për njësi është paraparë si kriter bazë për dhënien e tenderit. 

Indeksonline i ka përcjellë që nga fillimi proceduarat dhe kriteret e këtij tenderi milionësh dhe në kriteret që janë vënë nga autoriteti kontraktues Komuna e Prizrenit ka shumë dyshime në mënyrën se si është përgatitur dosja e këtij tenderi. Përveç disa specifikave që kërkohen në këtë tender figuron edhe ajo e largësisë së gurëthyesit që duhet ta ketë kompania nga qyteti i Prizrenit. Në kriter figuron që: Operatori Ekonomik (OE) duhet të sjellë dëshmi se ka në pronësi gurëthyesin i cili është në një largësi jo më shumë se 15 km nga qyteti i Prizrenit. 

Duke e parë që ky kriter hedhë hije dyshimi se tenderi është i përgatitur për një firmë të caktuar, Indeksonline i ka dërguar pyetje Komunës së Prizrenit duke kërkuar sqarime se pse janë vendosur këto kushte, dhe cilat rrugë të fshatrave dhe qytetit të Prizrenit do të shtrohen me zhavorr dhe a është përgatitur ky tender milionësh për një firmë të caktuar? Por as pas 3 javësh nuk ka marrë përgjigje për këto çështje. 

Me datë 31 maj të këtij viti, Komuna e Prizrenit e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “EUROVIA” SHPK edhe pse kjo kompani nuk ishte me çmim më të lirë por renditej e treta me çmimin më të lirë për njësi. Por është pikërisht kompania “EUROVIA” SH.P.K. e cila e ka në pronësi gurëthyesin jo më larg se 15 kilometra nga Komuna e Prizrenit. 

Indeksonline javën e kaluar ka kontaktuar përmes telefonit me drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasemi, për ta pyetur rreth dhënies së këtij tenderi por ai e ka mohuar se është dhënë ky tender: “Jo, jo kjo nuk është e vërtet akoma është në procedura ky tender dhe këto që po thoni ju janë vetëm shpifje, ju lutemi më dërgoni pyetje në e-mail dhe ju përgjigjem”.

Më vonë Kasemi ka kthyer përgjigje lidhur me pyetjet tona, mirëpo ai nuk e mohon që ky tender i është dhënë kompanisë “EuroVia” por thotë se tenderi është ende në proces dhe po presin kohën e ankesave në OSHP për ta shpallur përfundimisht fituesin. 

“Sipas informatave të marra nga Zyra e Prokurimit, zyrë e cila është e pavarur dhe operon në bazë të procedurave ligjore të përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik, tenderi është në fazën e pritjes së afatit të paraparë për parashtrim të ankesës në OSHP dhe ende nuk kemi kontratë të nënshkruar”.

Indeksonline ka siguruar njoftimin për vendimin e ku thuhet se Komuna e Prizrenit shpërblen me kontratë kompaninë “EUROVIA”SH.P.K në vlerë totale 20.05 euro për njësi ku figuron si kompania e tretë më e lirë. 

Drejtori i shërbimeve publike nuk ka sqaruar se cilat rrugë dhe sa kilometra do të shtrohen në tenderin rreth 1.5 milonësh të dhënë nga Komuna e Prizrenit. 

“Komuna e Prizrenit është njëra ndër Komunat me shtrirje territoriale më të madhe në Kosovë, ku nën administrimin e saj i përfshin 74 fshatra, ku shumica e tyre janë zona malore si dhe është njëra ndër komunat të cilës iu është rritur kufiri urban, me zhvillimet e reja urbane dhe me shtimin e shërbimeve të tjera komerciale dhe shërbyese. Rrjedhimisht, ne si njësi kërkuese i kemi analizuar të gjitha kërkesat e qytetarëve, bizneseve prodhuese, bujqve dhe zhvillimeve të reja urbane të cilat parashihen sipas Planit Zhvillimor Komunal. Vlera e projektit në shikim të parë mund të duket e lartë por nëse shikohet realisht me anë të kësaj kontrate planifikohet të realizohet zhvillimi i qytetit në tre vitet e ardhshme në zonën urbane, rurale dhe malore”, thuhet në përgjigjen më shkrim nga drejtori i shërbimeve publike në Komunën e Prizrenit.

Ndërsa për kriterin e gurëthyesit, Kasemi thotë se ky kriter është hequr gjatë fazës së shqyrtimit dhe pas kërkesës së sqarimit të tenderit nga njëri prej operatorëve ekonomik dhe se kjo gjë mund të verifikohet në platformën elektronike të Prokurimit Publik. 

“Pas kërkesës për sqarime të tenderit nga një OE, ky kusht është hequr me formularin për korrigjim të gabimeve në DT dhe NJK, që i bie që në verzionin final të dosjes së tenderit nuk është më një kriter i tillë. Kjo mund të verifikohet edhe në platformen elektronike të Prokurimit Publik”, thuhet në përgjigjen e Kasemit.

Por në platformën online të prokurimit publik, kriteri për gurëthyesin që duhet të jetë 15 kilometra nga qyteti i Prizrenit figuron ende.

Dy kompanitë që kanë dalë me çmim më të lirë se kompania fituese “Eurovia” kanë bërë ankesë në autoritetin kontraktues por këto ankesa janë refuzuar me arsyet se janë të pabazuara. E kontaktuar nga Indeksonline kompania “Renelual Tahiri” ka thënë se kjo është një padrejtësi që i është bërë nga Komuna e Prizrenit dhe se do të bëjë ankesë dhe gjatë kësaj jave do ta dërgoi lëndën në Gjykatën e tenderëve. Ndërsa për vlerën e tenderit ata thonë se është tepër e lartë kur dihet se në Komunën e Prizrenit janë të asfaltuara të gjitha rrugët e qytetit dhe të fshatrave që i takojnë kësaj komune.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close