EKSKLUZIVE: Agim Idrizi e njihte personalisht milicin serb Kërstiç i cili e vrau 6 vjeçarin Fidan Brestovci
Agim Idrizi kishte nisur dëshminë e tij kundër krerëve të UÇK-së dje dhe po e vazhdon edhe gjatë ditës së sotme.
Gjatë dëshmisë së tij, ai publikisht e ka pranuar se kishte shitur dru për policët serbë.
Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me gjyqtarët ndërkombëtarë, në vitin 2005 e kishin trajtuar rastin ku dëshmitar ishte Agim Idrizi.
Gjyqtarët ndërkombëtarë ishin: Martin Karopkin, Annunziata Ciaravolo dhe Linn Slattengren.
Gjatë arsyetimit të AKTGJYKIMIT, Gjykata kishte dhënë disa detaje interesante për dëshmitarin Agim Idrizi, i cili edhe sot po dëshmon në Gjykatën Speciale.
Deklaratën e parë kundër njerëzve të UÇK-së, Agim Idrizi e kishte dhënë për Boban Kërstiç, pjesë e Policisë së Serbisë, më 13 mars 1999. E njëjta deklaratë ishte përdorur si provë nga Gjykata kundër ushtarëve të UÇK-së.
Po ashtu, sipas Gjykatës, Agim Idrizi ishte një dëshmitar i vështirë për t’u kuptuar sepse përdorte shumë fjalë serbe.
“Ka raste të tjera kur përgjigjet e tij janë të vështirë për t’u kuptuar. Ai përdorte edhe shumë fjalë serbe që përkthyesit shqiptarë nuk i njihnin“, thuhej në dokumentin e Gjykatës.
Më tutje Gjykata në arsyetimin e saj e tregon rrëfimin e dëshmitarit Agim Idrizi, ku ai tregon se si ishte arrestuar nga disa ushtarë të UÇK-së dhe si ishte liruar në fund.
“Agimi u largua. Ai gjeti një copë xhami në një grumbull plehrash dhe preu litarin me të cilin i kishin lidhur duart pas shpine. Ai erdhi në një shtëpi dhe kërkoi strehim, por pronari e përzuri. Ai e fjeti pjesën tjetër të natës në një kashtë. Në mëngjes ai u përplas me disa oficerë të policisë serbe dhe kërkoi që ta çonin te një oficer që e njihte, Boban Kërstiç“, thuhet në vendimin e Gjykatës së UNMIK-ut.
Por, kush është Boban Kërstiç?
Boban Kërstiç është përmendur edhe në Tribunalin Penal për Ish Jugosllavinë në vitin 2005. Ai ishte pjesë e policisë serbe dhe inspektor përgjegjës për grumbullimin e armëve për qytetin e Ferizajt. Boban Krstiq e kishte vrarë një fëmijë 6 vjeçar, shqiptar, me emrin Fidan Brestovci.
Vrasja makabre e cila kishte ndodhur në vitin 1994 nga polici serb, Boban Krstiq, ishte raportuar edhe në mediumet e Bujkut e Rilindjes.
“Vrasësit e shqiptarëve, milicët e ushtarakët serbë, edhe pse disa prej tyre u nxorën para gjyqit sa për sy e faqe, pas dënimit formal, faktikisht janë në liri. Vrasësi i fëmijës gjashtëvjeçar Fidan Brestovci, milici Biban Krstiq u avancua në detyrën e zëvendëskomandantit në stacionin e milicisë në Kaçanik“, shkruante gazeta Bujku në vitin 1996.
Një dëshmitar i cili dëshmoi kundër krerëve të UÇK-së, para Agim Idrizit, deklaroi se është adhurues i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.
Po ashtu, edhe dëshmitari Agim Idrizi publikisht e ka shfaqur simpatinë për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.