Escobar: Qeveria Kurti nuk po punon me ne, nuk na trajtojnë si partner, po e minojnë dialogun
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka përsëritur mesazhin e dhënë edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, mbi shqetësimet se Qeveria e Kosovës nuk po i trajton si partner.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, edicioni në gjuhën serbe, ai është pyetur se pas retorikës së ashpër amerikane, a mund të ketë edhe pasoja praktike për qeverisjen e Albin Kurtit.
Escobar nuk ka dhënë detaje mbi këtë, por ka theksuar se deklaratat e dhëna në publik flasin qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Nuk dua të hyj në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse qeveria e Kosovës nuk na trajton si partner, nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara. Mendoj se ambasadori (Jeffrey) Hovenier (ambasadori i SHBA-së në Kosovë, ed.nov) e ka thënë më së miri – kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik.” – ka thënë ai.
Tutje, Escobar ka përmendur edhe vendet që s’e njohin pavarësinë e Kosovës, e të cilat sipas tij kur shohin që shteti ynë nuk përmbush obligimet, e vështirëson edhe mbrojtjen e argumenteve për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Pyetur mbi çështjen e dinarit, ai ka folur fillimisht për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tij përfshin edhe zgjidhjen e çështjes së dinarit.
“Ka dy gjëra të rëndësishme për këtë: njëra është se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe – formimi i së cilës është obligim dhe për ne duhet të përmbushet – përfshin zgjidhjen e çështjes së dinarit në mënyrë transparente, elektronike në në përputhje me ligjet e Kosovës. Dhe ne e mbështesim atë. Me fjalë të tjera, ky është një problem që do të zgjidhej përmes Komunitetit. Kemi disa shqetësime për këtë: i pari është ndryshimi i papritur i ligjit. Institucionet përgjegjëse nuk i befasojnë qytetarët e tyre me ndryshime administrative që do të prishin jetën e tyre të përditshme.” – është shprehur ai.
Emisari amerikan i ka bërë të qarta pritshmëritë që kanë nga Serbia, duke thënë se duhet të nxjerren para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Bajnskë të Zveçanit.
“Ka pritshmëri të qarta nga Beogradi në dialog dhe ata përmbushën disa gjëra, si pranimi i targave dhe dokumenteve doganore të Kosovës. Dhe ne duam që Serbia ta bëjë këtë duke e futur në mënyrë të pakthyeshme dhe formale në ligje apo rregullore. Kjo pritet nga Serbia. Por ka disa gjëra të tjera që janë premtuar dhe nuk janë bërë – për shembull nxjerrja para drejtësisë e atyre që janë përgjegjës për pjesëmarrjen në sulmin në Banjska më 24 shtator. Nuk është pjesë e dialogut, por është shumë e rëndësishme për pajtimin rajonal.” – u shpreh ai. /NACIONALE/