fbpx
Lajme

Filmi serb me Çun Lajçin fitoi në Festivalin e filmit në Napoli, shqiptarët paraqiten si agresor në Kosovë

Në këtë film protagonist kryesor është Nenadi, një fëmijë serb që sipas skenarit detyrohet të dalë përtej enklavës së tij serbe për të bërë shokë fëmijët shqiptarë në mënyrë që të varrosë gjyshin e tij. Në filmin e përkrahur nga qeveria serbe luan edhe aktori i njohur shqiptar, Çun Lajçi, raportonte KTV.

Dalja nga enklava serbe e përshkruar si e krishterë është një mision shumë i vështirë në filmin “Enklava” të regjisorit serb, Goran Radovanoviq. Filmi premiera e të cilit është dhënë këto ditë në Beograd, flet për një 10 vjeçar serb me emrin Nenad që jeton në një fshat serb të Kosovës.

Sipas regjisorit ai provon të bëjë të pamundurën, të shtrijë dorën e miqësisë për myslimanët që e rrethojnë enklavën e tij të krishterë.Ai miqësohet me Bashkimin dhe fëmijë të tjerë, por gjërat vështirësohen kur i vdes gjyshi dhe duhet të varroset në pjesën shqiptare. Në filmin e mbështetur nga Ministria e Kulturës në Serbi luan edhe aktori i famshëm shqiptar, Çun Lajçi.

Regjistori Radovanoviq filmin e tij e paraqet kryesisht si konflikt fetar – të krishterë myslimanë dhe jo fort si etnik shqiptaro-serb. Urrejtja e bazuar në frikë për atë që është ndryshe ende ndanë dy komunitetet etnike.Frika është mungesa e dashurisë.

Prandaj, heroi në këtë film është një 10 vjeçar që e bën atë që është e paimagjinueshme për të dyja komunitetet në Kosovë – të krishterë dhe myslimanë – të bësh një mik në anën e kundërt”, ka thënë regjisori. Filmi është koproduksion serbo-gjerman dhe është mbështetur mes tjerash edhe nga televizioni publik gjerman ZDF.

Filmi  për të cilin aktori kosovar Çun Lajçi u kritikua që luajti rolin e një gjyshi shqiptar në një enklavë serbe, ka triumfuar në një nga festivalet e rëndësishme të filmit në Evropë, “Napoli Film Festival”, raportonte Insajderi.

“Enklava” është filmi i Serbisë i propozuar për Oscar, vitin e kaluar, në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, por që nuk arriti as të futej në listën e të nominuarve, por në kategorinë e filmit më të mirë në  Evropë dhe Mesdhe në festivalin e Napolit, është zgjedhur më i miri.

Në film tregohet historia e një fëmije serb që detyrohet të shkoj nën përcjellje të tankeve serbe në shkollë, që është në një fshat të Kosovës, që serbët i quajnë enklava.

Qasja e filmit në përgjithësi tregon shqiptarët që jetojnë në Kosovë si agresor dhe arsye pse serbët jetojnë ende në të ashtuquajtura “enklava”.

Aktori kosovar Çun Lajçi ishte kritikuar pikërisht se ka luajtur në një film me qasje të tillë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close