Geci: Shefqet Krasniqit në burg i thash se për Kosovën kontribuoi Vatikani e jo Arabia
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, i cili tani po qëndron në paraburgim shtëpiak, ka deklaruar se për çështjen e Kosovës dhe të shqiptarisë më shumë kanë kryer punë Vatikani sesa Arabia Saudite.
Geci, në një prononcim për “Zërin”, ka treguar për qëndrimin në burg, si dhe bisedat që i kishte me imamin Shefqet Krasniqi.
“Unë nuk jam falur, por jam mysliman tradicional. Besoj në Zot, besoj në mbrojtjen e pragut të shtëpisë, mbrojtjen e vetvetes, mbrojtjen e nderit të familjes. Nuk jam falur sepse nuk është puna që nuk di, s’e kam praktikuar të falem”, ka thënë ai.
Geci më tej tregon se i ka thënë Shefqet Krasniqit që për çështjen e Kosovës, Vatikani ka qenë vendi që ka kryer punë.
“Unë e kam respektuar Shefqet Krasniqin. Kanë qenë disa thashetheme se unë s’e kam pranuar në qeli, por ato gjitha janë gënjeshtra”, ka thënë Geci.
Hoxha Shefqet Krasniqi ka rrëfyer për kohën që ka kaluar në paraburgim në një dhomë me Gani Gecin. Në emisionin “Rruga e ndriçuar” ai ka treguar për raportet me të akuzuarin për vrasje.
“I kam than: o Gani Geci, kam qef me të pa në Xhenet, e tybe dije qe s’ka xhenet pa namaz”, ka treguar Krasniqi. /Zëri/