fbpx
Lajme

Gjykata zbardh vendimin: SHISH i “Berishës” vrau Remzi Hoxhën si ‘agjent serb’, ja çfarë kërkoi Maqedonia

Tre të rrëmbyerit donin t’i bënin atentat Berishës” 

Artan Hoxha

TIRANË – “Tre personat e ndaluar nga agjentët e Shërbimit Informativ Kombëtar në tetor të vitit 1995, dyshohej se po organizonin një atentat kundër ish-presidentit të asaj kohe, Sali Berisha”. Kjo është pista kryesore me të cilën është justifikuar rrëmbimi dhe më pas “hetimi special” i shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, kosovarit Armand Loshaj dhe sarandiotit Ziso Kristopulli. Burime të policisë së Tiranës pohuan dje se “dyshimet për organizimin e një atentati kundër ish-presidentit Berisha, kanë vënë në lëvizje agjentët e vëzhgimit të SHIK-ut, të cilët kanë survejuar në rrugë operative tre personat që mendohej se kishin lidhje me këtë ngjarje”. Por ndërkohë ekziston edhe një pistë tjetër në lidhje me motivin e ndalimit të tre shtetasve në vitin 1995. Konkretisht bëhet fjalë për informacione që kishin ardhur nga shërbimi sekret Maqedonas, për SHIK-un shqiptar. Shërbimi Sekret Maqedonas kishte kërkuar ndalimin e Hoxhës me pretendimin se ai ishte i implikuar me grupin e nacionalistëve që organizuan atentatin kundër ish-presidentit maqedon Kiro Gligorov, i cili mbeti i plagosur rëndë në kokë pas një bombe të vendosur në autoveturën e tij. Gjithsesi të dyja versionet mbeten të zbardhen plotësisht gjatë hetimit të plotë të kësaj çështjeje. 

“Gazetari”

Një enigmë më vete përbën zhdukja e kosovarit Armand Loshaj, i cili ishte paraqitur në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1995 si gazetar austriak. Sipas burimeve të policisë, thuhet se Loshaj ka lëvizur në Shqipëri me pasaportë austriake, por me identitet të falsifikuar, detaj ky që hedh dyshime mbi objektivin e vizitës së tij. Sipas burimeve të cituara thuhet se identiteti i vërtetë i kosovarit, është Armand Loshaj, i moshës 30 vjeç. Në pasaportën e falsifikuar kosovari kishte emrin e vërtetë dhe një mbiemër austriak. Nga hetimi paraprak ka rezultuar se Loshaj kishte hyrë në Shqipëri si gazetar austriak por i paraqitur me kombësi shqiptare. Ai u ndalua nga agjentët e SHIK-ut, pas takimit që kishte bërë me Ziso Kristopullin, ku pretendonte se donte t’i merrte një intervistë këtij të fundit. Pas një “hetimi special” ai u zhduk pa lënë gjurmë. Nuk ka asnjë të dhënë për fatin e tij të mëtejshëm, apo për vendodhjen e eshtrave të tij nëse ai ka përfunduar i vdekur gjatë torturave. Burimi i cituar pohoi se në të vërtetë Loshaj, nuk ka qenë gazetar, ai thjesht e ka përdorur një gjë të tillë për të lëvizur lirisht nëpër Shqipëri. 

Hetimi

Hetuesit kanë zhvilluar dje seancat e para të pyetjeve me të tre ish-shikasit e arrestuar në mbrëmjen e së mërkurrës Arben Sefgjini, Budjon Meçaj dhe Avni Koldashi. Seancat e pyetjeve janë zhvilluar në praninë e avokatit mbrojtës, detyrë të cilën e ka marrë përsipër avokati i njohur Neshat Fana. Burime të hetimit deklaruan se gjatë pyetjeve, të arrestuarit kanë deklaruar se kishin zbatuar vetëm urdhrat e eprorëve të tyre dhe se nuk kishin vepruar me kokën e vet. Po ashtu ata kanë deklaruar se nëse do të ishin të përlyer në këtë histori, do të ishin larguar me kohë nga Shqipëria, si disa ish-oficerë të lartë të SHIK-ut të Gazidedes. Të arrestuarit kanë pohuar se kanë patur kohë plot 8 vjet për t’u larguar nga vendi, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë, pasi kanë qenë të bindur se kishin vepruar vetëm në bazë të urdhrave që u ishin dhënë nga eprorët e tyre. Tashmë pritet që brënda 48 orëve gjykata e Tiranës të vendosë masën e sigurisë për tre ish-shikasit. Ndërkohë, njeriu kyç për zbardhjen e së vërtetës mbi këtë ngjarje, mbetet i vetmi i mbijetuar nga ajo kohë Ziso Kristopulli. Burimet e cituara pohuan faktin se Kristopulli kishte dhënë një ndihmesë të madhe në zbardhjen e çështjes me dëshminë e tij të bërë dy muaj më parë para hetuesve të çështjes. 

BIZNESMENI

Kush është Remzi Hoxha

TIRANË – Shqiptaro-maqedonasi Remzi Hoxha me dokumente rezulton si banor i kryeqytetit fqinj Shkupit. Ai është i martuar me Sadije Hoxhën dhe ka pesë fëmijë. Remziu ka lindur në shkurt të vitit 1958 dhe është diplomuar në Universitetin e Prishtinës në fakultetin e kimisë. Në vitin 1989 ai dhe familja e tij janë vendosur në qytetin e Ferizajt në Kosovë, ku ka filluar dhe aktivitetin tregtar me një punishte prodhimesh argjendarie. Gjatë kësaj kohe Hoxha u aktivizua në lëvizjet sindikale të zejtarëve të vegjël lokalë, madje ishte kryetari i sindikatës së ekonomive të vogla dhe zejtarive në Ferizaj. Në këtë periudhë Hoxha është lidhur edhe me aktivistët e Lidhjes Popullore të Kosovës (LPK), një grupim ky që njihej jo vetëm pse aspironte krijimin e një Kosove të lirë por dhe pse mbështetej në idetë marksiste. Në vitin 1992, Hoxha shet banesën e tij dhe punishten në Ferizaj dhe vendoset në Tiranë, ku nis biznesin si pronar i firmës “Albatros”, e cila merrej me montimin e vetratave të duraluminit. Edhe gjatë kësaj kohe Hoxha ka vazhduar të ketë lidhje me LPK-në, madje ka qenë një ndër sponsorizuesit e saj me fonde të konsiderueshme. Aktiviteti i Hoxhës do të vinte në rritje, deri në tetorin e vitit 1995, kur ai u rrëmbye nga agjentët e SHIK-ut, dhe mendohet se ka përfunduar i vdekur pas afro tre muajsh “hetimi special”. Eshtrat mendohet të jenë varrosur në Kune të Lezhës, por asnjëherë nuk është gjetur varri i vërtetë i tij.A.Hoxha 

BASHKËSHORTJA

Sadije Hoxha përshëndet hetimet në Shqipëri

TIRANË- Bashkëshortja e Remzi Hoxhës, 41- vjeçarja Sadije Hoxha ka përshëndetur dje në mediat maqedonase veprimin e ndërmarrë ditët e fundit nga strukturat e specializuara të shtetit shqiptar. Sadija ka pohuar se familja e saj ishte interesuar qysh në vitin 1995 për të mësuar fatin e Remziut, madje nëpërmjet një letre kishin njoftuar ish-kryeprokurorin Alush Dragoshi, ish-presidentin Berisha, ish-kryetarin e parlamentit Pjetër Arbnori, ish-ministrin e Rendit Agron Musaraj dhe ish-shefin e SHIK-ut Bashkim Gazidede. Por familja Hoxha nuk mori asnjë përgjigje nga funksionarët më të lartë të shtetit shqiptar. Dje në mediat fqinje Sadije Hoxha ka thënë se “nuk di asgjë rreth fatit të burrit tim, por kam shpresë se ai mund të jetë gjallë. Shpreh falenderimin ndaj autoriteteve shqiptare që edhe pas tetë vjetësh janë duke punuar për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje të rëndë”. Më tej bashkëshortja e Remzi Hoxhës, ka thënë se do të ishte e kënaqur edhe nëse mësonte mbi fatin e vërtetë të burrit të saj, qoftë dhe i vdekur, por mjaft që t’i gjendeshin eshtrat. Në fund ajo ka deklaruar se gjatë këtyre 8 vjetëve pa Remziun ka kaluar një torturë të vërtetë, për veten dhe për fëmijët e saj jetimë. A.H

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close