fbpx
Lajme

EKSKLUZIVE / Izet Haxhia: Miku i Berishës dhe Bukoshit solli në Shqipëri atentatorët e Kiro Gligorovit

Në pjesën e parë të intervistës me Izet Haxhinë, ish-truproje dhe nga njerëzit më të afërt të Sali Berishës, ai pohoi se ekzistonte një linjë e tritolit që orientohej nga Berisha për qëllimet e tij politike.

“Autorët e vendosjes së këtyre bombave me tritol kanë qenë ish pjesëtarë të SHIK, të ish-policisë së atëhershme e trafikantë të ndryshëm – tha Haxhia në pjesën e parë botuar dje.

Duke dhënë detaje për këtë linjë, Haxhia tha: “Ishin grupet e jugut me qendër në Gjirokastër që financoheshin nga miku i Hajdarit, Ful Kalivopulli, i biri i Sokrat Kalivopullit, ish funksionar i lartë i PD…. Në atë kohë është vendosur tritol në ujësjellësin e Tiranës nga një i afërt i Berishës, janë vendosur tritole në shtyllat e tensionit të lartë në Qafë Krrabë nga grupi i kuksianëve, kuptohet të lidhur me PD…. Berisha porositi vendosjen e tritolit tek lokali i Lush Përpalit, se ky nxirrte pengesa në emërimet e njerëzve të SHIK…

Ai gjithashtu pohoi se në Dajt u stërvitën nga SHIK persona që u përdorën në 1997 për të vendosur eksploziv dhe për të shkaktuar terror dhe panik në popullsinë e Vlorës.

Në këtë pjesë të dytë të intervistës ai flet më gjerë lidhur me këtë…

Mira Kazhani: Ju folët për persona që u stërvitën nga SHIK në Dajt për qëllime terrori. Mund të thoni për çfarë u përdorën këta persona?

Izet Haxhia: Berisha dërgoi Sokol Mulosmanin në Vlorë në pranverën e ’97-ës me pjesëtarë të stërvitur nga SHIK në kampet në Dajt për akte terroriste. Ata u stërvitën për të vendosur tritol e për të shkaktuar panik në popullsinë e Vlorës. Qëllimi ishte për për t’ua hedhur fajin bandave të majta.

Në atë periudhë gjithashtu iu dërgua bandës së Kakamit një makinë e blinduar. Nëse dëshironi detaje ishte një Croma dhe qëllimi ishte për të sulmuar hotel Bolonjën në Vlorë ku qëndronin gazetarët e huaj që raportonin për gjendjen në Shqipëri, jo sipas dëshirave të Berishës.

Për këtë mund të pyesni edhe ish miq të Berishës, psh, Ylli Rakipin.

Mira Kazhani: Jeni ju gati të dëshmoni për këtë?

Jo vetëm për këtë. U arrit deri aty sa në ’97, Berisha priti në Shqipëri grupin e terroristëve që i kishin vënë bombën Kiro Grigorovit. Ata ofruan asistencë për të prodhuar dhe vendosur bomba në rrethet e jugut e sidomos në Vlorë.

Pasi nuk gjetën mbështetjen time logjistike, u detyruan të largoheshin pa kryer misionin.

Ndoshta nuk i kujtohet Berishës kush ia solli, por po ja kujtoj unë: I ka sjellë Tom Berisha, një mik personal i Saliut nga Kroacia dhe mik i Bujar Bukoshit.

Mira Kazhani: Thatë mes rreshtash më lart se dy partitë rivale kishin bandat e tyre, madje edhe vetë ju personalisht thoni se kishit logjistikë që nënkupton jo pak… Berisha apo opozita thotë që këto krime përfshirë sulmi ndaj ministrit ndodh sepse ai ka lidhje me krimin?

Izet Haxhia: Logjika thotë që po të jesh i lidhur me krimin, ky nuk ka pse të sulmon, aq më tepër nëse je mik me ta. Por edhe kur thonë të kundërtën që kjo qeveri po lufton kriminelët e për këtë qëllim po sulmohet, sipas logjikës time nuk qëndron. Grupet kriminale asnjëherë nuk kanë qenë aq të guximshëm në Shqipëri sa të sulmojnë shtetarë të lartë as kur shteti ka qenë fare i dobët.

Ndaj këmëngul që këto akte terroriste kanë një prapavijë të qartë politike dhe mbështetjen shpirtërore të ‘liderit antishtet’.

Atentati ndaj Gligorovit 1995

Mira Kazhani: Dmth bombat i urdhëron Berisha?

Izet Haxhia: Nuk ka nevojë sot që Berisha të thirrë vetë dikë e t’i thotë vendos bomba këtu e aty, megjithëse edhe kjo ka ndodhur në të shkuarën. Këta persona hidhen në veprime të tilla sepse iu bëhet e qartë që do të kenë mbështetjen e tij. Kur ai dëshmohet më i fortë se shteti, ata nuk e kanë frikë shtetin. Kujtoni bombat me telekomandë që u vendosën në Tropojë e që kanë vrarë me dhjetëra vetë. Financuesit dhe ekzekutuesit e këtyre akteve kanë qenë njerëz të afërt të Berishës e vazhdojnë të jenë kasaforta e parave të familjes së tij. Pa u shkatërruar mbështetja financiare e më pas ajo shpirtërore e këtyre, do vazhdojnë të plasin bomba edhe më të fuqishme.

Mira Kazhani: Drejtësia i di këto?

Izet Haxhia: Drejtësia i di këto. Unë do bëja pyetjen pse nuk vepron… Qeveria duhet të bëjë presion të përditshëm mbi të. Nëse duan të bëhet vërtet shtet. Në mënyrë të habitshme e kryen këtë presion për fukarenjtë që nuk paguajnë energjinë elektrike, por nuk bën presion politik për të çuar përpara drejtësisë këta njerëz njëherë, që me paratë e pista që kanë fituar në qeverisjen e Berishës, vazhdojnë të fitojnë edhe në qeverisjen e tanishme.

Mira Kazhani: Ju besoni se funksionon si atëherë në ’97-tën ende? Krimi politik dhe ai në përgjithësi, është sofistikuar mjaft në krahasim me ’97-tën, kur bombat e tritolit ndizeshin me fitil. Tani keni bomba të telekomanduara që pëlcasin me telefon …

Izet Haxhia: A e dini ju kur janë përdorur për herë të parë këto bomba? U përdorën tek VEFA nga një bashkëpunëtor i Gazidedes me urdhër të tij e të Berishës, për të fajësuar opozitën e atëhershme në prag zgjedhjesh. Atëherë janë vendosur nga urdhrat e Berishës. Mund të jetë ndryshe tani, por nuk besoj. U përdorën nga po i njëjti autor për të vrarë Haklajt dhe u blenë në Mal të Zi nga miku personal i Berishës dhe kasaforta e parave të tij. Për mua nuk ka asnjë dyshim që këto bomba e këto fushata terrori janë vazhdimësi e fushatave të mëparshme, përfshirë ato të ’97-ës.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close