Grenell pajtohet me O’Brien: Ekipi Biden më në fund po ndjek politikën e administratës Trump
“Ekipi Biden po *më në fund* po ndjek politikën e administratës Trump për Kosovën. 3 vjet me vonesë”, ka shkruar njeriu i ish-presidentit Trump, Richard Grenell duke e bërë tag kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit Jim O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës ka drejtuar fjalë të ashpëra në adresë të Qeverisë së Kosovës rreth vendimit për dinarin. Diplomati amerikan ka kërkuar tërheqjen e vendimit derisa ka shfaqur pakënaqësi edhe me tranzicionin tre mujor të BQK’së që u shpall dje.
“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”, ka theksuar O’Brien.
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit ka zbuluar se ka folur disa herë me Kurtin rreth kësaj cështjeje duke lënë të kuptohet se ai s’i ka dëgjuar kërkesat. Ai ka thënë se kjo është qeverisje e dobët.
“Çështja është se çfarë problemi po synon të zgjidhë vendimi i ri. Është e drejtë e Kosovës të vendosë se çfarë valute po dërgohet në juridiksionin e saj. Asociacioni do ta zgjidhte këtë problem duke qartësuar çështjen e parave që dërgohen dhe qëllimet për të cilat do të përdoreshin. Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”, ka theksuar diplomati.
O’Brien është pyetur edhe për sanksione të mundshme duke e thënë troç se ai nuk bën kërcënime të zbehta.