fbpx
Lajme

“Grundlagenvertrag” apo Plani Gjermano-Gjerman, lexojeni si është arritur dhe si duket Kosova me këtë propozim

Në arkivin federal të Gjermanisë, mes miliona dokumenteve, mund të gjendet edhe një letër bashkë me njollat që ia ka lënë koha, e përbërë nga 5 faqe dhe 10 nene.

Dokumenti është i nënshkruar në vitin 1972, në dhjetor. Në faqen e fundit, me vula qiriri, janë ngurtësuar edhe stemat e dy shteteve që e nënshkruan – Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane.

Në histori do njihej me emrin “Grundlagenvertrag” ose “Traktati Themelor”.

Serbia sot nuk e njeh Republikën e Kosovës si realitet legal, njëjtë siç pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania Perëndimore nuk e njihte Gjermaninë Lindore.

Është gërmuar 50 vjet në të kaluarën, për të gjetur një alternativë valide, të pranueshme, për të dyja palët dhe e nevojshme për gjetjen e një zgjidhje.

Opsioni është aktualisht në debat publik, por siç jo rrallë ndodhë në Kosovë, kur sfera publike ballafaqohet me ide që tentojnë zgjidhjen finale, opsionet refuzohen para se të kuptohen.

Debati udhëhiqet kryesisht nga mendime klishe, fjali konvencionale, të përgjithshme dhe shpjegime banale, apo siç një herë i kishte përmbledhur sociologu francez, Pierre Bourdieu, nga “fast (food) thinkers”.

Çfarë është modeli i dy Gjermanive? Cili ishte konteksti që e solli në jetë? Çfarë përmbante, çka prodhoi dhe çfarë mund të përfitohet tani me këtë model?

Ostpolitik”, 1969

Kishin kaluar dy dekada nga përfundimi i Luftës së Dytë botërore dhe Gjermaninë Perëndimore e udhëhiqte koalicioni i fuqishëm në mes të Unionit të Kristian-demokratëve (CDU-së) dhe Unioni Kristian Social (CSU).

Në vitin 1969 ishte hera e parë kur Partia e Socialdemokratëve (SPD-ja) shënoi rritje të madhe dhe kandidati i tyre, Gustav Heinemann, u bë president. Në atë kohë Gjermania Perëndimore përjetoi rrotacionin e parë të plotë politik në qeverisje.

SPD-ja, në koalicion me Partinë Demokratike të Lirë (FPD-në) mori edhe postin e kancelarit me Willy Brandt, kurse lideri i FPD-së, Walter Scheel, u zgjodh ministër i Punëve të Jashtme.

Koalicioni, atëherë i quajtur social-liberal, ndërmori masa për ndryshime të mëdha në politiken e brendshme, por impakti më i madh do vërehej në qasjen e Republikës Federale në raport me Gjermaninë Lindore dhe në përgjithësi me shtetet evropiane që udhëhiqeshin nga ideologji komuniste.

Duke bërë të qartë se Gjermania Perëndimore vazhdon të jetë e përkushtuar për Aleancën Perëndimore, qeveria gjithashtu njoftoi për një politikë të re, të guximshme, e cila do quhej “ostpolitik”, apo “politika e lindjes”.

Më parë, kur në qeveri ishin forcat kristian-demokrate, Gjermania Perëndimore refuzonte ta pranojë ekzistencën e Gjermanisë Lindore. Me termat e “Doktrinës Hallstein”, emërtuar kështu bazuar në emrin e Walter Hallstein, njërit nga këshilltarët kryesorë të Konrad Adenauer, Boni zyrtar refuzonte të futej në marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet tjera që e kishin pranuar për shtet Gjermaninë Lindore.

Por, me ardhjen e dyshes Brandt-Scheel këto politika ndryshuan duke u futur direkt në negociata me Gjermaninë Lindore në vitin 1970, siç thuhej atëherë “për të normalizuar raportet”.

Willy Brandt idenë e tij revolucionare “Wandel durch Annäherung” (Ndryshimi nëpërmjet Afrimit), do ta shndërronte në platformë politike.

“Ostpolitika” e tij i ngjante një rrjeti të ndërlikuar marrëdhëniesh, në të cilin të gjitha pikat ishin të ndërvarura në raporte reciproke në mënyrë që të sillnin ekuilibër. Bërthama morale e politikës së tij ishte ideja e përafrimit të njerëzve, për çka më vonë do merrte edhe çmimin Nobël për Paqe.

Por, “Ostpolitik” takonte refuzimin e egër të CDU-CSU-së po ashtu.

Përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje ata do t’i denonconin si “dorëzim e tradhti”, sidomos kur flitej për njohjen eventuale të asaj pjese të territorit si një shtet tjetër, me pretendimet se iu mor padrejtësisht Gjermanisë në vitin 1945.

Ish-kancelari Adenauer deklaronte se “Republika Federale e Gjermanisë është organizata e vetme legjitime shtetërore e popullit derisa të arrihet uniteti gjerman”.

Kristian-demokratët paralajmëronin se nëse bisedimet e hapura mes dy Gjermanive për normalizim raportesh përfundojnë me ndonjë lloj marrëveshje, ata nuk do ta ratifikonin në parlament, po që se kthehen sërish në qeverisje.

Por, populli kishte plane të tjera. Qeveria e Brandt do merrte aprovimin e qytetarëve dhe në zgjedhjet e ardhshme do ta shndërronin SPD-në në partinë më të madhe në vend, për herë të parë.

Gjithashtu, në zgjedhjet e nëntorit në vitin 1972 edhe partneri i koalicionit FDP, përjetoi rritje të madhe elektorale.

Një muaj më vonë pas zgjedhjeve, me 21 dhjetor, përfaqësuesit e Perëndimit e Lindjes do uleshin për t’i dhënë pajtimit të tyre një formë konkrete duke nënshkruar “Grundlagenvertrag” ose “Traktatin Themelor” dhe hapur rrugë normalizimit.

Momenti i nenshkrimit te marreveshjes, 1972

Çfarë përmbante marrëveshja për normalizim?

Marrëveshja e negociuar provonte të vendoset marrëdhënie të mira nder-fqinjësore në mes të dy Gjermanive dhe të siguronte de facto, jo de jure, njohjen legale të Republikës Demokratike të Gjermanisë.

Përfaqësi diplomatike të përhershme – jo ambasada – do hapeshin në të dyja shtetet.

Në dokumentin e nënshkruar, para se të jepeshin nenet e marrëveshjes, kumtohej në një paragraf qëllimi pse po arrihej ky pajtim.

“Duke pranuar se si rrjedhim dy shtetet gjermane duhet të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës në marrëdhëniet e tyre… pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane për çështjet themelore, përfshirë çështjen kombëtare; me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane; në dobi të njerëzve në dy shtetet gjermane, kemi rënë dakord si më poshtë”.

Pas këtij deklarimi shpaloseshin nenet dhe çdo faqe e marrëveshjes nënshkruhej.

Ndër nenet më të rëndësishme ishte Neni 2, i cili theksonte se “Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane do udhëhiqen nga qëllimet dhe principet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, sidomos ato për sovranitetin e barabartë të të gjitha shteteve, respektin për pavarësinë e tyre, autonominë dhe integritetin territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mos-diskriminimin”.

Nen tjetër me rëndësi ishte Neni 3, i cili thoshte se “në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”.

Shtesë e rëndësishme e këtij neni ishte se të dy shtetet “riafirmojnë paprekshmërinë e kufirit, tani dhe në të ardhmen, që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit”.

Pjesë qendrore e marrëveshjes ishte edhe Neni 6, i cili konstatonte se “Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane vazhdojnë në parimin se juridiksioni sovran i secilit prej dy shteteve është i kufizuar në territorin e vet. Ata respektojnë pavarësinë dhe autonominë e njëri-tjetrit në punët e tyre të brendshme dhe të jashtme”.

Një nen më poshtë sqaronte se çfarëdo marrëveshje për bashkëpunim dypalësh që arrihet në të ardhmen, do ta ketë për bazë këtë marrëveshje themeltare.

Ndërsa Neni 4 precizonte se “Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane vazhdojnë me supozimin se asnjë nga dy shtetet nuk mund të përfaqësojë tjetrin në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të tjetrit”.

Marreveshja e nenshkruar mes dy Gjermanive, faqja e fundit e dokumentit

Pjesa e neneve të tjera kishte të bënte me pajtime për rrethanat e kohës, siç ishin ato për zotim në mos posedim të armëve bërthamore dhe të tjera të ngjashme, derisa në secilin nen qartësohej fakti se po bëhet fjalë për dy entitete të ndryshme autonome e sovrane.

Marrëveshja e nënshkruar kishte rezultuar me përfitime të mëdha për Gjermaninë Lindore.

Në momentin që Boni zyrtar pranoi realitetin faktik se ekziston edhe një shtet me emrin Republika Demokratike Gjermane, pasuan njohjet e njëpasnjëshme të Gjermanisë Lindore edhe nga shtetet tjera që deri në atë kohë kishin refuzuar ta njihnin.

Gjermania Lindore do gëzonte pranueshmërinë ndërkombëtare që prej kohësh e kërkonte.

Si përfundim, Gjermania Lindore u pranua fillimisht si vëzhguese në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1972 dhe një vit më pas, me 18 shtator, do fitonte statusin si anëtare më të drejta të plota nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Më vonë, dy Gjermanitë do të bashkoheshin në një, por kjo ndodhte për arsye të tjera që nuk lidheshin me marrëveshjen e përbashkët, madje e kundërta. Ribashkimi nënkuptonte zhbërjen e marrëveshjes.

Ishte sistemi komunist autoritar në Gjermaninë Lindore që kishte shkaktuar shumë pakënaqësi te qytetarët, sidomos kur filluan të udhëtojnë në pjesën Perëndimore dhe të shihnin si jetonin kushërinjtë matanë murit.

Hallkë tjetër drejt bashkimit ishte vala demokratizuese që po ndodhte në ish shtetet sovjetike komuniste dhe hapja e tyre në raport me Perëndimin.

Qytetarët nga Gjermania Lindore çdo ditë iknin drejt familjeve të tyre në Perëndim. Kur Hungaria u hap, ata iknin edhe përmes Hungarisë dhe shkonin në Gjermani, pasi ishte çelur kufiri me Austrinë.

Më vonë, Gjermania Lindore – si përgjigje ndaj problemeve – mundësoi zgjedhje të lira me sistem shumëpartiak. Në zgjedhje do fitonte dega e CDU-së dhe ri-bashkimi ishte çështje kohe.

Kush e ngjizi idenë që modeli i dy Gjermanive të përdorët në rastin Kosovë – Serbi?

Kur Evropa e delegoi një përfaqësues special si ndërmjetësues në bisedimet për statusin final të Kosovës, ai kishte deklaruar se traktati mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore mban shumë mësime që mund t’u hynë në punë Kosovës dhe Serbisë.

Wolfgang Ischinger, diplomat karriere nga Gjermania, prezantoi qysh në vitin 2007 atë që e kishte emëruar si “Modeli i dy-Gjermanive”.

Vitet kalonin, por Ischinger mbetej i bindur se ky ishte modeli që çon drejt zgjidhjes.

Në një intervistë të vitit 2013, nga pozita e Udhëheqësit të Konferencës së Sigurisë në Munih, thoshte se ajo çfarë kishte ndodhur në 72-në “nuk ishte zgjidhja përfekte, por një mënyrë e mirë për t’i ikur bllokadës”.

“Në rastin e Gjermanisë, duke lënë anash çështjet e njohjes formale, marrëveshja pati ndihmuar për t’u zgjidhur shumë çështje praktike me interes për njerëzit në të dyja anët”.

Në foto: Tre të dërguarit për bisedime për statusin final të Kosovës: Nga e majta, i dërguari i BE-së, Wolfgang Ischinger, në mes i dërguari rus, Alexander Botsan-Kharchenko dhe djathtas, i dërguari amerikan, Frank Wisner.

Ideja e modelit gjerman nga viti 2007 kur Ischinger e kishte përmendur në Prishtinë, vazhdoi të rishfaqej gjatë bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, por asnjëherë si tema qendrore.

Ischinger ishte i pari, por jo i vetmi që foli për këtë model.

Përtej diplomatëve, edhe zëra si Elizabeth Pond nga Qendra për Marrëdhënie Transatlantike, autore e librit “Fundloja në Ballkan”, deklaronte se “njëri nga opsionet (për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë) është precedenti i marrëveshjes mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore në kohën e Luftës së Ftohtë, nëpërmjet të së cilës u normalizuan marrëdhëniet, pa e njohur formalisht njëra-tjetrën”.

Si u pa në Kosovë?

Politika në Kosovë atëherë e kishte kundërshtuar në parim këtë model.

Alkimistët politikë formulimet kundërshtuese i kishin gati. Ide konspirative se modeli vjen si propozim nga Beogradi.

Një grup tjetër, meqë njihnin Gjermaninë, por jo historinë, e kishin ndërlidhur idenë me një bashkim eventual të entiteteve të cilat e aplikojnë atë model.

Në një nga tekstet e asaj kohe që mund të gjendet në internet, për modelin kishin folur politikan si Adem Grabovci e Ismet Beqiri.

Edhe tani diskursin publik e udhëheqin deputet si Haki Abazi i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka deklaruar se “propozimi vjen nga Beogradi”.

Në padije për çfarë përmban marrëveshja e arritur mes dy Gjermanive, Abazi ka deklaruar se ai model mund të implementohet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke e supozuar marrëveshjen si një hap drejt bashkimit të dy vendeve.

Kjo qasje, e pati detyruar Institutin “Democracy for Development” që në vitin 2012 t’i adresohej me një letër të hapur presidentit, kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme të asaj kohe, duke iu sugjeruar “që të pranohet menjëherë modeli gjerman”.

Pasi propozimi po trajtohej sipërfaqësisht, Instituti shkruante se “modeli i dy Gjermanive është përmendur shpesh”, por “është diskutuar shkurtimisht dhe refuzuar shpejt, pa i analizuar fare avantazhet”.

D4D u sqaronte liderëve politikë që “Kosova do të përfitonte nga ky model pasi është në interes të vendit shumë më shumë se procesi aktual i dialogut”.

“Modeli i dy Gjermanive”, thoshte letra, “mund të shërbejë si platformë e përkohshme për normalizim raportesh”.

Madje D4D u kërkonte autoriteteve të Kosovës që “të insistoni që modeli i dy Gjermanive të lansohet si platformë”.

“Kosova duhet të lobojë për këtë model te aleatët kryesorë të saj”, vazhdonte sugjerimi i shprehur në formë të letrës së hapur.

Këshillat nuk u morën. Fitoi narracioni konspirativ mbi rrënjët e propozimit “në kuzhinat e Beogradit”.

Rikthimi i Modelit të dy Gjermanive

Një gjerman tjetër prapë e ka sjellur modelin e dy-Gjermanive në Prishtinë, por këtë herë nga një pozicion më zyrtar dhe nuk e solli i vetëm.

Jens Plotner bashkë me kolegun diplomat Emmanuel Bonne nga Franca, të angazhuar nga liderët Emmanuel Macron e Olaf Scholz, vizituan Kosovën.

Foto nga Albanian Post: Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner

Perëndimi do ndërrim marshi në procesin dialogues, meqë situata në Ukrainë përveç problemeve ka rritur dhe shqetësimet.

Kur Plotner e Bonne mbërritën në Prishtinë ata u takuan me Albin Kurtin, por takimi ishte i mbyllur.

Albanian Post ekskluzivisht arriti ta nxjerr jashtë atij takimi propozimin e ri/vjetër që po u ofrohet liderëve ballkanikë.

Dokumenti të cilin e ka publikuar Albanian Post dhe në publik është fremuar si “korniza e re”, flet për një njohje de facto, por jo de jure të Kosovës nga Serbia.

Fillimisht, Serbia e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin Perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Në fazën e parëKosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia përfiton ndihmë financiare, asistencë ekonomike dhe njihet si fuqia e rajonit.

Dokumenti prej katër faqesh, i cili e shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Por, me rikthimin e këtij vizioni, u kthyen edhe konspiracionet.

Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, aspak kreativ, ri-përdori frazën e vjetër se “kjo është një listë dëshirash e Beogradit”.

“Pundit”-ët, përkrahës të Qeverisë, refuzuan të merren me përmbajtjen, por filluan ndërtimin e rrëfimeve për prejardhjen e dokumentit.

Duke parë këtë diskurs, i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me tone sugjerues e kritike, gjatë adresimit të tij përmes video linkut në edicionin e parë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë (KPDS), kërkoi nga shoqëria civile që “të mos i mbysin propozimet e reja sapo të rrjedhin në publik ato”.

“Kam një përshtypje se nganjëherë në rajonin tuaj ka një propozim shumë të mirë, që secili do ta pëlqente, që do sillte zhvillim, dashuri e paqe për të gjithë, por mbytet sapo të ketë një rrjedhje që tregon se ky është propozimi i ri dhe më pas, natyrisht prapë fillojnë komentet”.

Ekziston mundësia që përshtypja e Sarrazin të vlejë edhe në këtë rast.

Propozimi i Plotner dhe Bonne mund të përfundojë si ideja e Ischinger’it dikur – refuzim pa shqyrtim.

Për të ndodhur e kundërta do të duhej të kishim liderë të guximshëm si Willy Brandt, por, mbase, edhe gjermanët që e votuan atë. /Albanianpost.com

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close