Holbrooke – Thaçit pas zgjedhjeve të 2001: Nëse do të votonin votuesit amerikanë, ti do të fitoje
Para pak vitesh ishte botuar libri “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography” nga autorët britanikë Roger Boyes dhe Suzy Jagger. Libri biografik përmban jetën private dhe publike të ish presidentit, Hashim Thaçi.
Në libër, autorët britanikë japin detaje interesante sa i përket marrëdhënies së Thaçit me diplomatin amerikan, Holbrooke, negociatave për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe triumfit të Thaçit në zgjedhjet nacionale, përcjell Demokracia.com.
Hashim Thaçi ishte pjesë e ekipit të unitetit nga pozita e opozitarit. Sipas autorëve të librit, anëtarët e ekipit të unitetit nuk kërkonin asgjë tjetër veç pavarësisë pa kompromise.
Finlandezi (Ahtisari) shpesh habitej me Thaçin: “Ndonjëherë nuk dija çfarë të mendoja për të.” Por nga të gjithë anëtarët e ekipit të unitetit, ishte Thaçi ai që kishte mësuar më shumë se si funksiononte bota, loja gjeopolitike. Çdo gjë që kishte ndodhur që prej Rambujesë, kishte qenë një shkollë më vete në Realpolitikë.
Pas negociatave, ishte koha për zgjedhjet e reja. Këshilltarët amerikanë e ndihmuan Thaçin të bënte një fushatë me profesionalizëm dhe ai nisi të mbante takime me qytetarë në qendrat e qyteteve. Në anë (faqe) të autobusit të tij të fushatës spikaste: “Të jesh krenar për Kosovën!” Thaçi kujton: “Njerëzit vinin e na pyesnin, “Çfarë ka për të qenë krenar?” Por një shoqëri që kishte kaq vullnet për të përqafuar ndryshimin, kishte shumë për të qenë krenar. Dhe kjo e dha rezultatin e pritshëm.”
Në nëntor PDK-ja e Thaçit fitoi shumicë të pastër votash. Më herët në 2001, tregon Thaçi, “Dick Holbrooke ma tha në mënyrë të drejtpërdrejtë – nëse do të votonin votuesit amerikanë, ti do të fitoje. Por po të them që ti duhet të tërhiqesh kësaj radhe“. Gjashtë vite më pas, Thaçi e kuptoi mesazhin e Holbrook-ut: ti duhet t’i fitosh zgjedhjet bazuar në bindjen e votuesve dhe jo pse të takon t’i fitosh ato.
Pasi i fitoi zgjedhjet, ora e Thaçit kishte ardhur.
Autorët britanikë tregojnë se sikur të ishte në dorën e Thaçit, ai do ta kishte shpallur pavarësinë ditën kur e ashtuquajtura Trojka – BE, SHBA dhe Rusia – formalisht kishte hequr dorë nga gjetja e një zgjidhjeje konsensuale për Kosovën. Por Thaçi me të drejtë kishte dëgjuar këshillën për të pritur pak më gjatë. SHBA-ve, i patën thënë, i duhej kohë për të bindur aleatët.
“Për Europën nuk do të ketë ndonjëherë kohë të përshtatshme” – thoshte Holbrook-u. “Nuk ka kuptim të presim më gjatë.”
“Le ta bëjmë,” tha Wisner-i, “javën e dytë apo të tretë të shkurtit.”
Periudha u vendos në agjendë dhe Thaçi u betua të mbante datën sekret deri në momentin e fundit, në mënyrë që të zvogëlohej mundësia e sabotimit nga rusët apo serbët, dhe të merrte kohën e duhur për të organizuar kalendarin për vendet mike të Kosovës. Më tepër se sa mendonte që ata të shpallnin njohjen në Ditën e Pavarësisë, do ishte më mirë që shpalljet për njohjen e pavarësisë të bëheshin të njëpasnjëshme. “Një ortek njohjesh,” sipas fjalëve të një diplomati amerikan “do t’i mbyste kritikët.“
Autorët britanikë me tutje tregojnë se Thaçi kishte lënë përshtypje të mira në takimet e Nju Jorkut; ai ishte një udhëheqës, binin dakord ata, që do të prodhonte rezultate. /Demokracia.com./