fbpx
Lajme

DOKUMENT dhe fjalët e Enver Malokut pak para vrasjes: Të gjitha shtizat çojnë tek Serbia, ja faktet

Enver Maloku, i cili ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, u vra më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta.

Pak metra prej banesës së tij, në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.

Gazetari Enver Maloku ishte kërcënuar vazhdimisht nga aparati shtetëror i Millosheviqit, i instaluar dhunshëm në Kosovë.

Demokracia.com ka siguruar një reagim të QIK-ut të datës 8 tetor 1998, ku policia serbe kishte arrestuar dhe kërcënuar Enver Malokun, pak muaj para vrasjes së tij.

Enver Maloku u mbajt tri orë në polici, u kërcënua“, ishte titulli i QIK-ut më 8 tetor 1998.

Policët e armatosur serbë, në orën 20:30, më datë 7 tetor 1998, kishin ndaluar dhe arrestuar Enver Malokun përballë Teatrit Popullor të Prishtinës dhe e kishin mbajtur në arrest deri në orën 23:45.

Gjatë kësaj kohe z. Maloku u pyet për punën e tij dhe për shkresa, fotografi, kaseta e dokumente të ndryshme që i kishte me vete dhe që lidheshin me punën profesionale në gazetari“, thuhet ndër të tjera në artikullin e QIK-ut.

Madje, gjatë marrjes në pyetje, Enver Maloku ishte kërcënuar nga një person me rroba civile, që sipas gazetës, ishte person i sigurimit shtetëror serb.

Gjatë mbajtjes në stacion, në dhomën ku mirreshin shënimet e përgjithshme, hynin e dilnin vazhdimisht policë me uniforma dhe rroba civile, disa prej të cilëve kërcënoheshin me fjalë e me gjeste. Një person me rroba civile, që duket se ishte nga sigurimi shtetëror serb, iu kërcënua Enver Malokut dhe familjes së tij“, thuhet në artikullin e QIK-ut, ku pastaj tregohet se policia serbe i kishte konfiskuar telefonin, vulën e gazetës QIK, kompjuterin dhe pajisjet e tjera.

Ndonëse në dukje një ndalim rutinor nga një patrullë policie, ndalimi, marrja në pyetje, presioni psikologjik deri në kërcënim i zotit Enver Maloku s’ka si të shihet jashtë kornizës së politikës së deklaruar e praktikave represive serbe kundër veprimtarisë profesionale, gazetareske e politike, që bëjnë shqiptarët në Kosovë“, thuhej në reagimin e QIK-ut.

Po ashtu, më datë 23 dhjetor të vitit 1998, pak ditë pas vrasjes së Enver Malokut, ishte mbajtur një tryezë nga gazetarët kosovarë ku në mesin e tyre kishte diskutuar edhe Enver Maloku dhe kishte treguar specifikisht për kërcënimet serbe.

Ne na është kërcënuar qeveria serbe, por ne nuk kemi asnjë mbrojtje, madje as një fije solidariteti nga qeveria jonë, as nga institucionet e Kosovës e partitë politike. Sulmet e kërcënimet ndaj nesh bëhen në kohën kur ne jemi kryesorët dhe kur me shpartallimin tonë, praktikisht asgjësohet informimi publik në Kosovë“, thuhet ndër të tjera në deklarimin e gazetarit Enver Maloku, më 23 dhjetor 1998. /Demokracia.com/ 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close