Kadare: Ditën kur është vrarë Fehmi Agani, u prit një deklarim nga Rugova, por si gjithmonë asgjë
Ra ky mort e u pamë. Një përmbledhje e shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare. Ditar personal i tij, me letra e artikuj për luftën e Kosovës dhe Konferencën e Rambujesë. Ai me 7 maj 1999 kishte shkruar në ditarin e tij për vrasjen e profesorit Fehmi Agani. Ai poashtu e ngacmon presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.
Ja rrëfimi i plotë:
Vrasja e Fehmi Aganit, ndihmësit kryesor të Rugovës, i quajtur si truri i krejt lëvizjes së LDK-së, trondit opinionin. Nuk janë vetëm rrethanat tragjike të vdekjes, rrëmbimit nga treni plot të shpërngulur, që ecte drejt Maqedonisë, torturimi, pastaj pushkatimi. Nuk është as mosha e shtyrë, thinjat, titulli, profesor-doktor, natyra paqësore e tij. Ka diçka tjetër që s’e lë mendjen të qetë: kjo vrasje duket sikur përcjell një mesazh. Pëshpërima e parë se u vra prej UÇK-së nuk ecën. Është familja e tij, e sidomos i biri, që me kurajë e hedh poshtë shpifjen djallëzore. Fehmi Agani, u rrëmbye, u torturua e u pushkatua prej serbëve.
Ç’mesazh mund të përcillte vrasja e Aganit? Për kë?
U prit gjithë ditën një deklarim, qoftë edhe i shkurtër i Rugovës. Si gjithmonë, asgjë.