fbpx
Lajme

Kadare 1999: Rugova gjithë ftohtësinë e tij e ruan për Shqipërinë, gjithë buzëqeshjen për Serbinë

Sot do ju sjellim pjesë nga intervista e shkrimtarit të madh z. Ismail Kadare, të dhënë në vitin 1999 për gazetarin Remzi Lani. Ismail Kadare flet për Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e proceset politike e ushtarake të asaj kohe. (Botuar me 24 korrik 1999 në KOHA JONE)

Rugova, kthimi i tij në Kosovë, marrëdhëniet e tij me UÇK-në, mosardhja e tij në Shqipëri, mbeten tema të debatit. Një opinion për këtë?

Ismail Kadare: Mendimi im për të nuk ka ndryshuar. Në qoftë se për hir të një kërkese evropiane për paraqitje unike të shqiptarëve, hyn në punë personazhi i tij, ashtu qoftë. Por, nëse ky njeri do të kërkojë më tepër se ç’meriton, asgjë të mirë s’do të ketë nga kjo. Unë jam për kompromiset e nevojshme, për të mbyllur grindjet, për t’i mbyllur sytë edhe për gabime të rënda. Por në moralitetin e një populli ka kufij që s’mund të kapërcehen. Një njeri që pretendon të jetë lideri i Kosovës, pasi kthehet i fundit në “shtetin” e vet, pasi kthehet i bronzuar nga dielli, në kohën që populli i vet është shkrumbuar e pastrehë, i uritur e me kufomat e foshnjave nëpër këmbë, një njeri pra, që nuk di t’i thotë dy fjalë këtij populli, që nuk di të shprehë asnjë dhimbje, por di vetëm të qeshë dhe si të mos mjaftojë kjo, pas disa orësh shpejton të kthehet në plazhin e Italisë, është vështirë të pranohet si i tillë. Dhe kjo që thashë më lart është ana më e paktë, ana etnike, njerëzore e çështjes. Ky njeri ende nuk ka dhënë asnjë shpjegim për marrëdhëniet e tij me xhelatin e popullit shqiptar. Ky lider është i vetmi në Evropë që nuk e ka dënuar Milosheviçin. I vetmi që nuk i ka dënuar ende krimet serbe. Populli shqiptar ka të drejtë të kërkojë arsyen e këtij qëndrimi. Pyetjet janë dy: e para, mendon vërtetë Ibrahim Rugova se Serbia dhe Milosheviçi s’kanë bërë ndonjë hata në Kosovë?  E dyta, ka ende frikë? Në këtë rast të fundit vjen pyetja tjetër: nga e ka frikën? Me se e kanë zënë peng?

Ju më pyesni për mosardhjen e tij në Shqipëri. Ka vite që ky njeri, në kohën që takohet e buzëqesh me kriminelët e popullit shqiptar, në kohën që rend në Beograd sa herë që e thërrasin, refuzon me këmbëngulje të shkojë në Tiranë. Gjithë ftohtësinë e tij e ruan për Shqipërinë, gjithë buzëqeshjen për Serbinë. E gjithë kjo nuk kërkon koment. Del pyetja tjetër: Përse ka rrethe në Evropë që e përkrahin? Besoj se arsyet janë dy: Kur ka grindje në një zonë të botës cilësimi “i moderuar” është tepër joshës për ata që i shohin ngjarjet nga larg. “I moderuari” zakonisht jep përshtypjen e mirë, përshtypjen e të urtit, e atij që qëndron mbi pasionet, që sinqerisht kërkon zgjidhjen e çështjes. Duhet pranuar që shpesh është kështu. Por jo gjithmonë. Ka kinse të moderuar, ka njerëz pa parime, që do të pranonin çdo cilësim, veç të nxirrnin përfitim prej tij. Le ta shikojmë problemin rrokshëm. Rugova quhet “i moderuar” ndërkohë që gjithmonë kërkon pavarësinë e Kosovës. UÇK-ja quhet fare e pamoderuar, ndërkohë që nuk ngul këmbë për pavarësinë (së paku për disa kohë).

Rrjedhimisht ajo Evropë që përmendëm më lart duhet të jetë me UÇK-në dhe jo me Rugovën. Mirëpo shpesh ndodh e kundërta. Ata që janë kundër pavarësisë, madje edhe ata që fjala pavarësi i tërbon, duke përfshirë këtu Milosheviçin, rusët, bjellorusët etj., për çudi janë haptas pro Rugovës. Atëherë del pyetja: ç’është kjo ngatërresë? Shpjegimi është i thjeshtë: qoftë rrethet evropiane që janë kundër pavarësisë së Kosovës, qoftë armiqtë e tërbuar të saj janë megjithatë pro Rugovës, ngaqë e dini se kërkesa e Rugovës për pavarësi është e rreme. Në këtë pikë duhet thënë se disa rrethe evropiane duhet të jenë më serioze me problemin shqiptar. Serioziteti fillon nga përjashtimi i gënjeshtrës. U bë një luftë për shkaqe etike, morale, për të drejtat e njeriut. Pas kësaj lufte nuk mund të ketë një paqe me të tjera kritere. Paqja në Ballkan është po aq serioze sa lufta, ndoshta më tepër. Kjo është, në radhë të parë, tragjedia e popullit shqiptar dhe pastaj “tragjedia e përbashkët e shqiptarëve, serbëve, ciganëve, turqve”, siç përpiqen të na mbushin mendjen disa. (Shikoni përpjekjen për relativizimin e dramës shqiptare: caktohet këshilli bashkiak me 80 shqiptarë e 60 serbë. Caktohen gjykatat me 5 anëtarë shqiptarë, 3 serbë, 1 jevg e 1 turk. Jepen me pikatore ca dhoma në spital, ca vende në postë). Unë jam absolutisht që serbët të mos largohen nga Kosova, për respektimin e gjithë të drejtave të tyre, për ndalimin e çdo hakmarrjeje kundër tyre. E kam dënuar haptas kudo, e sidomos në shtypin e Kosovës, përpjekjen për revansh nga ana shqiptare. E kam quajtur këtë si një njollë që populli shqiptar mund t’i vërë ndërgjegjes së vet. Duke mos qenë politikan, e kam bërë këtë jo vetëm sepse kam bindjen se kjo është në të mirë të shqiptarëve, por sepse e drejta njerëzore e kërkon këtë gjë, se ky është i vetmi qëndrim i moralshëm në këtë botë dhe ky moral është i detyrueshëm për të gjithë. Por që të arrihet kjo duhet që administrata evropiane në Kosovë të jetë vërtetë e paanshme. Në Ballkan smirat e xhelozitë marrin përmasa të lemerishme. Të jesh i drejtë është një nga kërkesat themelore të njerëzimit. Por të jesh i drejtë do të thotë të dënosh gjer në fund krimin. Dënimi i krimit në Kosovë është sot pjesë e historisë, evropiane. Kontinenti mbarë është përfshirë në të. Ndaj këtu nuk mund të bëhen lodra: Dënimi i krimit nuk mund të merret si favor që iu bëhet shqiptarëve.

Ballkanasit kanë të drejtë të kërkojnë që administrata evropiane të shkëputet nga çdo mundësi kolonialiste, me fjalë të tjera, të marra seriozisht këtë punë. Por këtu del pyetja: në kohën që ne kërkojmë seriozitet prej të tjerëve, a jemi ne seriozë me veten tonë?

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close