fbpx
Lajme

Kadare: LDK në zyret e NATO-s e OKB-së i quante terroristë ushtarët e UÇK-së

Ra ky mort e u pamë. Një përmbledhje e shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare. Ditar personal i tij, me letra e artikuj për luftën e Kosovës dhe Konferencën e Rambujesë.

Me 11 janar 1999, Ismail Kadare e kishte goditur fort LDK-në dhe gjithë pacifistët, duke treguar se si pacifistët e poshtruan UÇK-në, nëpërmjet tri fazave. Epilogu do ju sjell rrëfimin e Kadaresë.

Po ju sjellim rrëfimin e tij;

Të krijohet përshtypja se diku (dikur lart, në Olimp, në Bruksel) është menduar se, ndoshta është më mirë që UÇK-ja të zhduket.
Ndryshe, nuk mund të kuptohet braktisja e saj, pa asnjë ndihmë, në mëshirë të fatit.
Kam drojë se në këtë braktisje pacifistët shqiptarë kanë luajtur një rol tepër të mbrapshtë. Deklaratat e tyre cinike kundër atyre që po martirizohen janë një turp për moralin e popullit.

Poshtrimi i UÇK-së prej pacifistëve ka kaluar nëpër disa faza. Në krye filloi në një mënyrë të fshehtë, tinëzare. Lavdërohej çdo shenjë përuljeje e gjunjëzimi, madje u dërgoheshin telegrame urimi familjeve, të cilët milicët serbë i kishin çnderuar e ata kishin qëndruar duarkryq. Pastaj u kalua më tej.

Më kujtohen fare mirë dy varrime, që ndodhën njëri pas tjetrit në Prishtinë, pikërisht në atë kohë.
Një student shqiptar, i ndjekur nga milicët, nuk dorëzohet, por vritet me armë në dorë. Liderët shqiptarë pacifistë u japin urdhër njerëzve të tyre dhe gjithë popullit të mos shkojnë në varrim. Studenti varrohet me jo më shumë se dhjetë veta. Disa ditë më pas një punonjës arsimi, që nuk ia mbaj mend emrin, anëtar i komisionit famëkeq të arsimit serbo-shqiptar, pra, një njeri tepër i afërt i pacifistëve, vdes në një përplasje veturash. Liderët i organizojnë një varrim madhështor, ku marrin pjesë mbi njëqind mijë veta.

Sfida është tepër e qartë. Një student martir, që vdiste për lirinë e Kosovës, duhej të varrosej si një qen. Kurse një punonjës mediokër arsimi, pjesëtar në një komision mashtrues (nga ato komisionet e shumta që krijoheshin prej Millosheviqit, sa herë që ai ndihej ngushtë dhe kërkonte t’i hidhte hi syve të botës), nderohej si hero. Kumti, ashtu si sfida, lexohet hapur. Kërkohet përulje dhe jo qëndresë. Kështu që populli shqiptar të bëjë një ndryshim themelor në kodin e tij moral. Me fjalë të tjera, ta marrë luanin për qen dhe qenin për luan. Me fjalë të tjera, të rrëzohet përfundimisht në pluhur.

Faza e dytë ishte përgojimi i hapët i djemve dhe vajzave të UÇK-së. Quheshin agjentë të serbëve ata që jepnin jetën në luftë kundër serbëve. Nuk kam dëgjuar gjer më sot të jetë kërkuar ndjesë për këtë blasfemi.

Faza e tretë, e tanishmja, është më e rrezikshmja, ngaqë është dyfytyrëshe. Nga një anë, përpara popullit shqiptar, shqiptohet ca fjalë simpatie për UÇK-në, nga ana tjetër, prapa krahëve, në të gjitha zyrat e Këshillit të Europës, të NATO-s, të OKB-së, të senatorëve, të kongresmenëve, të ministrave, villet vrer për ta. Quhen terroristë, marksistë, fondamentalistë, fashistë etj., me fjalë të tjera, të përshtatshëm për t’u zhdukur.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close