Kastrati: Halil Geci nuk ka prokuror që mund t’i amnistojë ata që e kanë ndihmuar vrasjen e Bekim Kastratit e Besim Dajakut
Shkruan: Rexhep Kastrati / ish kryeredaktor i mediumit botasot.
Halil Geci dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë se nuk do të ketë prokuror, ose gjykatës që do të mund t’i amnistojë ata që kanë organizuar, ndihmuar dhe kryer vrasjen e Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut, pavarësisht se kush janë ata. Vendimet e gjykatave janë vendime gjykatash dhe nëse ato do të bazohen eventualisht në ekspertiza të manipuluara, apo edhe në dëshmi të rrejshme, do të mund të jenë një akuzë morale ndaj atyre vetë. Mua nuk më intereson se çka do vendosë gjykata, por e vërteta për vrasjen e Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut.
Dhe në këtë çështje askush nuk do amnistohet, pavarësisht vendimeve të gjykatave, pavarësisht deklaratave që jepen dhe pavarësisht përpjekjeve për manipulimin e opinionit. Dhe duhet ta kenë të qartë të gjithë ata që kujtojnë se shitem, që kujtojnë së për shkak gjendjes së mjerë ekonomike që kam, mund të bëj pazare në dëm të të vërtetës së vrasjes së Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut, gabohen rëndë. Kjo e fundit le të jetë edhe përgjigjja ime në interesimet e Haxhi Gecit të pak ditëve më parë. Natyrisht se të kota do të jenë, ashtu siç kanë qenë edhe deri më tash, kërcënimet, shpifjet dhe turpet e tjera që veç mendjet e sëmura i bëjnë dhe i mendojnë.