KDI: Zgjedhjet lokale pasivizuan Kuvendin
KDI ka dalë me një raport për punën e Kuvendit të Kosovës. Sipas këtij raporti zgjedhjet lokale të mbajtura gjatë muajit tetor dhe nëntor kanë ndikuar direkt në punën e Kuvendit.
Gjatë kësaj periudhe është vërejtur një intensitet shumë më i ulët i punës në Kuvend. Fokusi kryesor i subjekteve politike dhe deputetëve ishte i zhvendosur krejtësisht tek zhvillimi i fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, duke anashkaluar detyrat dhe përgjegjësitë e marra për të ushtruar funksionin e deputetit.
“Debati parlamentar mes pozitës dhe opozitës shpeshherë ka degraduar në debate të ulëta me sulme personale dhe akuza denigruese për deputetët.
Ashpërsimi i fjalorit dhe polarizimi i skajshëm politik mes subjekteve politike paraqet një praktikë jo të mirë parlamentare dhe është i papranueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës. Edhe legjislatura e gjashtë vërehet se ka tendenca që të përfshihet në diskutime të politikave ditore, të cilat kanë qenë të gjata dhe nuk kanë prodhuar ndryshim”, thuhet në komunukatën e KDI-së.
Përgjatë sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit të Kosovës, janë realizuar gjithsej 65 pyetje parlamentare, 41 prej të cilave kanë marrë përgjigje nga kabineti qeveritar. Grupi parlamentar më aktiv me pyetje parlamentare është ai i LVV-së me 35 pyetje, i pasuar nga LDK me 21, PDK me 5, AAK me 2 si dhe NISMA e Lista Serbe me nga 1 pyetje.
Gjatë sesionit vjeshtor është iniciuar një interpelancë parlamentare. Kjo interpelancë është thirrur nga grupi parlamentar i LDK-së lidhur me rastin “Rikallo”. Përgjatë sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit, komisionet parlamentare kanë ftuar për raportim 22 herë ministrat e kabinetit qeveritar.
Shumica e raportimeve kanë pasur karakter njoftues mes deputetëve të Komisioneve me ministrat e ministrive të linjave përkatëse, për shkak të fillimit të punës së legjislaturës së gjashtë por edhe të kabinetit të ri qeveritar. Kuvendi gjatë sesionit vjeshtor ka mbajtur 9 seanca plenare, 3 seanca të jashtëzakonshme dhe 1 seancë solemne. Kurse, sa i përket mbledhjeve të Komisioneve parlamentare, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 103 mbledhje. Legjislatura e gjashtë në sesionin vjeshtor të këtij viti ka miratuar vetëm 5 ligje, tri prej të cilëve janë marrëveshje financiare dhe dy të tjerë që ndërlidhen me buxhetin.
Në tërësi, agjenda legjislative e planifikuar për vitin 2017 është përmbushur vetëm 5%. Ndërkohë që në komisionet parlamentare në procedurë të shqyrtimit kanë mbetur edhe 25 projektligje (27%) ndërsa 62 projektligje (68%) nuk janë proceduar fare në Kuvend. Edhe këtë radhë, sponzorizuesi kryesor i ligjeve në vend mbetet Qeveria. Tema e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është diskutuar në 7 seanca parlamentare, përderisa deputetët kanë parashtruar vetëm 4 pyetje parlamentare me ketë temë. Gjatë kësaj periudhe Kuvendi nuk ka nxjerrë ndonjë Rezolutë të ndërlidhur me dialogun. Nga numri i përgjithshëm i mbledhjeve të komisioneve të mbajtura këtë vit, në vetëm 3 prej tyre janë diskutuar edhe çështjet e dialogut dhe marrëveshjet e arritura mes këtyre dy shteteve.