Këshilltari i Konjufcës: Serbia e ka qarkulluar një dokument te vendet e BE’së, s’e ka ndalë fushatën kundër Kosovës
Kreshnik Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje që kishte qenë shef stafi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të udhëhequr nga Glauk Konjufca, ka deklaruar se Serbia ka dërguar te misionet diplomatike një dokument, ku theksohet se problemi i tyre me Kosovën nuk ishte për shkak të tarifës, por, për shkak të reciprocitetit, raporton Gazeta Express.
Ahmeti ka shkruar në Facebook se vendimi i marrë nga Qeveria e kaluar për reciprocitetin ka filluar që të tregojë efektet pozitive, pasi që disa kompani nga Serbia kanë filluar të përfshijnë demonimin “Republika e Kosovës” në dokumentet e tyre.
“Në ndërkohë, dje kishim një tentim dezinformimi se Serbia do ta ndalë fushatën diplomatike kundër Republikës së Kosovës. Kjo, sigurisht për ta shtruar rrugën për largimin e reciprocitetit. Një gjë e tillë u demantua menjëherë nga Daçiq, përderisa sot Gjuriq ia paska vënë si provë ekzistence Qeverisë “Hoti” të Thaçit, heqjen e reciprocitetit.
Por, edhe po të ishte e vërtetë ndalja e fushatës diplomatike të Serbisë, reciprociteti nuk negociohet. Ai është parim i marrëdhënieve ndërkombëtare. Nëse ky parim largohet nga marrëdhëniet tona me Serbinë, atëherë këto marrëdhënie nuk do të jenë më ndërkombëtare, por do të degradojnë dhe do të përputhen me Kushtetutën e Serbisë”, ka thënë ai.
Ahmeti thotë se Qeveria aktuale gjendet para dy provave, njëra është heqja e reciprocitetit ndërsa e dyta prova e mbrojtjes së shtetësisë dhe parimit të raporteve të barabarta mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pra, Qeveria aktuale gjendet para dy provave: e para është nga Gjuriq për ta hequr reciprocitetin, nese duan jetëgjatësi të Qeverisë së varur nga Lista Serbe; e dyta është prova e mbrojtjes se shtetësisë dhe parimit të raporteve të barabarta mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Situata është padyshim e qartë. Dyshimi i bazuar mbetet vetëm tek vullneti i Qeverisë “Hoti” të Thaçit”, ka shkruar ai./GazetaExpress/