Këshilltari i Kurtit: Iu vërsulen Shkëlzenit se është i vetëm
Elvis Hoxha, këshilltari filozof nga Shqipëria i Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar qytetarët që nuk protestuan ndaj 80 deputetëve të cilët i quajti banditë, por ndaj Shkëlzen Gashit, shkruan Gazeta Metro.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se Gashi është një e nuk ka fuqi të bëjë keq e as mirë, ndërsa deputetët janë një bandë e madhe.
“Dhe meqë nuk u ngritën kundër tyre për aferat Pronto kundër shtetit, më në fund erdhi një rast, kur mund t’ i përvishemi si trima një tipi e ta bëjmë edhe ne një herë trimin. Se boll na morën nëpër këmbë. Vallë a ka ndonjë budallë tjetër vetmitar, të thotë diçka pro dhënies së territoreve Malit të Zi? I vërsulemi atij dhe shpëtojmë prej turpit që për vizat që nuk i morëm dhamë truall atdheu.”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Nuk pashë protestë me Marshin e UÇK-së kundër deputetëve që ia dhuruan luftën një gjykate ndërkombëtare sui generis. I kuptoj. Shkëlzen Gashi është një person.
Madje e godasim sepse e dimë se nuk ka fuqi as të na bëjë mirë e as keq.
Ndërsa ata 80 deputetët janë një bandë e madhe. Ata mund të bëjnë keq. Me ata nuk po e bëjnë trimin. Ata mund ta japin territorin e Kosovës, por ata jane 80. Ata mund të bëjnë mocionin. Ata janë 80. Ata mund të bëjnë marrëveshje të dhimbshme. Ata janë gjithnjë bandë. Dhe me bandën nuk na e mban. Ata mund ta hedhin qeverinë në kohë krize, i njohim cilët janë e ç’interesa kanë. Por janë bandë e madhe.
Dhe meqë nuk u ngritën kundër tyre për aferat Pronto kundër shtetit, më në fund erdhi një rast, kur mund t’ i përvishemi si trima një tipi e ta bëjmë edhe ne një herë trimin. Se boll na morën nëpër këmbë. Vallë a ka ndonjë budallë tjetër vetmitar, të thotë diçka pro dhënies së territoreve Malit të Zi? I vërsulemi atij dhe shpëtojmë prej turpit që për vizat që nuk i morëm dhamë truall atdheu./gazetametro.net