fbpx
Lajme

Kosova nën Kurtin: 41 mijë persona varfërohen, gati 43 mijë ikin – të tjerët përballen me çmime të larta

Në aspektin ekonomik e social, bilanci i 18 muajve të Qeverisë Kurti II nuk është aspak i mirë. Kosovarët po varfërohen. Madje shumë. Numri i njerëzve të varfër pritet të rritet tutje gjatë vitit 2022. Saktësisht 41 mijë persona, sipas një raporti të UNICEF-it, do t’i shtohen klasës së varfër në Kosovë, nga të cilët 16 mijë fëmijë.

Ikjet nga Kosova, sipas statistikave zyrtare, janë të larta. Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), në vitin 2021, mbi 42 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën, duke kërkuar një jetë më të mirë në mërgim.

E kosovarët, që për një apo tjetër arsye jetojnë në Kosovën e qeverisur nga kryeministri Albin Kurti, përballen me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale e krizë energjetike.

Për më shumë, rritja ekonomike e Kosovës, në parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), do të jetë vetëm 2,7 për qind.

Megjithatë, një botë tjetër, paralele, e ka krijuar kryeministri Kurti, i cili, përkundër statistikave e raporteve ndërkombëtare, shkruan e flet për “progresin ekonomik të Kosovës”.

Varfërimi

Kosovarëve u është vështirësuar jeta gjatë vitit 2022, aq sa e ardhmja e mijëra personave nuk do të jetë e mirë.

Sipas raportit të fundit të UNICEF-it, që i analizon ndikimet e luftës në Ukrainë mbi rënien ekonomike, thekson se miliona njerëz në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore do t’i shtohen pjesës së varfër të shoqërisë.

Bazuar në një pamje demografike të rajonit, modeli ynë parashikon një 10-milionësh shtesë të njerëzve – përfshirë 4 milionë fëmijë – që do të kalojnë në varfëri krahasuar me parashikimet para luftës”, theksohet në raport.

Bazuar në parashikimet e UNICEF-it, 41 mijë e 450 persona në Kosovë do të kalojnë në varfëri si pasojë e ndikimeve të luftës në Ukrainë. Nga kjo shifër, 15 mijë e 354 persona do të jenë fëmijë të moshave 6 deri 17-vjeçare, të cilët do të bëjnë pjesë në klasën e të varfërve.

Ikja

Emigrimi vazhdon të mbetet njëra nga çështjen që ndikon më së shumti në tkurrjen e popullsisë së Kosovës. Në raportin e rregullt vjetor të ASK-së, i titulluar “Vlerësimi i Popullsisë”, gati 43 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën.

Emigrimi ndërkombëtar- numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thuhet në raport.

Agjencia shkruante edhe për arsyet e emigrimit.

Pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantë të ligjshëm. Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetjes së një vendi pune, shpërnguljes së përhershme (kryesisht në shtetet fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Përveç në vende të BE-së dhe EFTA-së, një numër i kosovarëve ka emigruar edhe në vende të tjera, kryesisht në ShBA, Turqi, Kanada dhe vende të tjera”, theksohet në raportin e ASK-së.

E kur futen në ekuacion shtimi natyror dhe migrimi neto, në fund, popullsia e Kosovës në vitin 2021 është tkurrur për 24 mijë persona.

Shtimi natyror në Kosovë në vitin 2021 ishte 14,391 banorë ndërsa migrimi neto -38,606 banorë. Popullsia e Kosovës gjatë vitit 2021 u zvogëlua për -24,215 banorë”, shkruan tutje ASK në raportin e publikuar në qershor të vitit 2022.

Inflacioni e rritja “shkurtabiqe” ekonomike

Dy javë më parë, nëpërmjet një statusi të gjatë, Kurti u krenua për progres ekonomik, duke theksuar se gjatë qeverisjes së tij, kishte rritje të eksportit (25,6%), të punësimit e investimeve të huaja direkte (47%).

Për më shumë, kryeministri Kurti vazhdimisht e thekson rritjen ekonomike prej 10,7% të Kosovës. Sidoqoftë, krejt tjetër pikëpamje mbi rritjen ekonomike e ka FMN-ja, ndër institucionet më të besueshme ndërkombëtare.

Në raportin e titulluar “Perspektiva Ekonomike Botërore”, FMN-ja vlerëson se ekonomia e Kosovës do të rritet për vetëm 2,7% në vitin 2022, duke e ulur parashikimin e prillit për 0.1 për qind.

Krahas ngadalësimit ekonomik, kosovarët janë përballur edhe me problemin e inflacionit, që vazhdon të jetë i madh edhe aktualisht. Në fakt, gjatë muajve qershor e korrik, inflacioni zyrtarisht, sipas ASK-së, ishte 14,2 për qind dhe përkatësisht 14,1 për qind, ndërsa në shtator, inflacioni ishte 12,7 për qind.

E kjo e ka sfiduar edhe më shumë jetesën në Kosovë, pasi çmimet e produkteve themelore për jetë janë rritur.

Kujtojmë që Qeveria Kurti, megjithatë, ka miratuar disa pako për ringjallje ekonomike, përfshirë një paketë për përballje me inflacionin, duke shpërndarë miliona euro për qytetarët e sektorit publik e privat.

Megjithatë, këto pako janë kritikuar nga ana e opozitës, duke dyshuar për ndikimin që ato mund ta kenë në përballueshmërinë e jetesës së vështirësuar të kosovarëve.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close