fbpx
Lajme

Kryeshefja e Telekomit, e lidhur me VV-në, ka të punësuar në Telekom vëllanë dhe kunatën. Ajo kërkon kompensim mbi 9 mijë euro

Ndonëse gjatë gjithë kohës së opozitës e periudhës së fushatës ishin thirrur në depolitizimin e ndërmarrjeve publike, Vetëvendosja e Albin Kurtit e ka vazhduar avazin e emërimit të bordeve, duke vënë kështu në pozita kyçe të Telekomit, zyrtarë e militantë të kësaj partie.

Më 24 prill, Burbuqe Hana u emërua Ushtruese e Detyrës së Kryeshefes së Telekomit.

Hana në këtë pozitë e zëvendësoi Bedri Istrefin, që u shkarkua nga kjo pozitë nga Bordi i emëruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Më 2016-të, Burbuqe Hana kishte qenë pjesë e protestave të Vetëvendosjes në sheshet kryesore të Prishtinës.

Madje, pjesëmarrja e Hanës faktohet edhe nga fotografitë.

Mediat kanë raportuar se Burbuqe Hana e ka edhe vëllanë të punësuar në Telekom, Burim Hana si dhe gruan e vëllait, Luljeta Maloku Hana. Dyshohet edhe për një person të tretë të afërm më Hanën që është i punësuat në Telekom, shkruan Ballkani.info.

Emërimi i Burbuqe Hanës në Telekom, nuk është i vetmi emërim partiak që ka bërë Vetëvendosje ditët e fundit.

Feim Kelmendi është emëruar po ashtu ushtrues detyre në pozitën e zyrtarit kryesor financiar në Telekomin e Kosovës.

Kelmendi duket se është përkrahës shumë i madh i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe partisë së tij, Vetëvendosje.

Kelmendi madje këtë e shpreh haptazi edhe në postimet që ai bën në rrjete sociale.

Kryeshefja e re e Telekomit, Burbuqe Hana jeton në lagjen luksoze, Marigona në Prishtinë.

Përveç kësaj, Burbuqe Hana e cila punon që një kohë të gjatë në Telekom, e kishte paditur punëdhënësin e saj në vitin 2019.

Sipas padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Hana kërkon nga Telekomi kompensim prej 9,513.00 euro, në emër të diferencës në gradë.

Këtë shumë, ajo e kërkonte me pretendimin se Telekomi i Kosovës, pa të drejtë ia ka zbritur gradën dhe atë nga grada 12 në gradën 11, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, në seancën e shqyrtimit kryesor palët ndërgjygjëse kanë dhënë fjalën përfundimtare. Në fjalën përfundimtare, paditësja Hana, ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesë së saj, duke kërkuar nga gjykata që ajo të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura, që atë ta kompensojë diferencën e gradës, për periudhën 1 shkurt 2015, e deri 31 gusht 2019. Hana pati thënë se kërkesën e saj, për kompensimin e shumës prej e 9,513.00 euro, e ka mbështetur në ekspertizën financiare të datës 2 shtator 2019, të punuar nga ekspertja Hidajete Sejdiu.

Lidhur me shpenzimet e procedurës, paditësja tha se nuk i kërkon. Në anën tjetër, përfaqësuesi i Telekomit të Kosovës, Halil Haliti, në fjalën e tij përfundimtare, e ka kundërshtuar në tërësi padinë e paditëses dhe ka kërkuar nga gjykata që e njëjta të refuzohet si e pabazuar. Haliti tha se paditësja me të paditurën, për periudhën kontestuese, kanë nënshkruar kontrata te reja, me të cilat është themeluar marrëdhënie e re e punës dhe ndërmjet tyre ka vazhduar edhe më tej marrëdhënia e punës. Gjithashtu, as përfaqësuesi i të paditurës nuk i ka kërkuar shpenzimet e procedurës.Paditësja i ka kundërshtuar pretendimet e përfaqësuesit të paditurës, duke thënë se nënshkrimi i kontratave të reja është bërë me presion dhe nën kërcënimin për largim nga puna. Gjykatësi i rastit, Enver Shabanaj, pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me vendimin. /Ballkani.info/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close