Kryetari i pavarur, drejtorët e PDK-së
Djali i heroit Hamëz Jashari, Bekimi, në zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti ka fituar votat e qytetarëve të komunës së Skenderajt si kandidat i pavarur për kryetar. Ai ka zgjedhur ekipin e tij me të cilin do të qeverisë në katër vjetët e ardhshëm me komunën e Skenderajt, duke emëruar zëvendës të tij Nuredin Lushtakun, të cilin gjatë fushatës zgjedhore e ka cilësuar “si shokun e babës”.
Ndonëse zyrtarisht emrat e drejtorëve të drejtorive ende nuk janë bërë publik, tashmë dihet se shumica e tyre apo 90 për qind e tyre janë përfaqësues të PDK-së. Jashari dhe ekipi i tij janë përkujdesur që shumë prej asamblistëve të PDK-së t’i kthejë nga vetja dhe në këtë mënyrë ka bërë numrat që pa asnjë problem të marrë vendime në Kuvendin e Skenderajt, shruan sot Gazeta Zëri.
Se ka përçarje të madhe në PDK-në e Skenderajt ka treguar mbledhja konstituive e Kuvendit kur është zgjedhur kryesuesi. Qëndrimi i Degës së PDK-së dhe propozimi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së ishte që postin e kryesuesit ta merrte edhe për një mandat tjetër Ismet Salihu, i cili ishte edhe bartës i listës së PDK-së në zgjedhjet e tetorit, por ndodhi ajo që ishte përfolur shumë kohë më përpara se grupi tjetër i këshilltarëve të PDK-së “ka kaluar në anën tjetër”, në anën e Nuredin Lushtakut dhe se kryesuese do të jetë Fatbardha Haliti.
Me votat edhe të asamblistëve të opozitës, Haliti mori udhëheqjen e Kuvendit për katër vjetët e ardhshme, ndërsa Ismet Salihu, i cili për tri mandate ka qenë kryesues, është dashur të pajtohet vetëm me ulëse në Kuvend. Ngjarjet kanë treguar qartazi se në PDK-në e Skenderajt ka dy fraksione, njëri i Sami Lushtakut, i cili është kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj dhe tjetri i Nuredin Lushtakut, i cili pak para zgjedhjeve nacionale të qershorit bashkë edhe me Bekim Haxhiun dhe Rafet Ramën janë zgjedhur nënkryetarë të Degës së PDK-së.