Kurti dhe LVV-ja ishin kundër që Adem Demaçi të bëhej President i Kosovës, ja rrëfimi i Demaçit
Sot bëhen pesë vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.
Pranë varrit të tij, kryeministri Albin Kurti sot do të bëjë homazhe.
Ndonëse, e paraqet veten si student i Adem Demaçit dhe bashkëpunëtor i tij, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje ishin kundër zgjedhjes së Adem Demaçit si President i Kosovës.
Se ishin kundër Kurti dhe VV-ja, këtë e kishte konfirmuar në një intervistë të tij edhe vetë Adem Demaçi.
“Këta kanë qenë pengesë dhe nuk kanë propozuar asgjë. Ata që kanë propozu, kanë kërku që unë të jem President. Dhe ata (Vetëvendosje) kanë refuzu dhe e kanë fitu kontestin e u bë qysh deshën ata”, kishte thënë Adem Demaçi, përcjell Demokracia.com.
Mbajtësi i çmimit “Saharov”, aktivisti shumëvjeçar për të drejtat e njeriut, i njohur edhe si “Mandela i Kosovës”, vetë njeriu që Kurti tani thotë se e frymëzoi për të drejtat e kombit gjatë periudhës 1998/1999, kohë kjo kur Demaçi ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Kurti përkthyes i tij, si opozitar nuk ishte përkrahur nga LVV-ja si kandidat për President të Kosovës.
Demaçi publikisht kishte shprehur qëndrim se do të pranonte ofertën për t’u bërë president.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Demaçi ishte deklaruar i gatshëm të marrë përsipër këtë detyrë.
“Mua zyrtarisht askush nuk më ka ofruar, unë vetëm kam përsëritur deklaratat e mia gjithmonë që jam në shërbim të popullit im, shtetit tim, kombit tim. Nuk kam çka të diskutoj, unë jam njeri i kohëve të vështira, i detyrave të vështira, i situatave kur të gjitha rrugët bllokohen”, kishte thënë Demaçi, pasi ishte konfirmuar mungesa e përkrahjes politike për të.
Simboli i rezistencës kosovare ishte propozuar për këtë pozitë nga një grup qytetarësh që jetojnë në Amerikë dhe kishte marrë pëlqimin e Partisë Demokratike të Kosovës, por këtë mbështetje nuk ia ofroi partia opozitare që udhëhiqet nga Albin Kurti.
Demaçi ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare. Ai u burgos tri herë, në vitin 1958, për tre vjet, në vitin 1964 për dhjetë vjet dhe nga viti 1975 deri më 1990. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, ai drejtoi për një kohë Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe nga vitit 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës “Zëri” në Prishtinë.
Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”./Demokracia.com/