Kurti: Jemi shpresë jo veç për vendin, por edhe për rajonin
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në mbledhjen e 48-të të Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik ka thënë se janë shpresë jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin.
Kryeministri tha se LVV-ja është subjekti më i madh politik dhe demokratik në vend.
“Në këtë muaj u bënë një vit i gjysmë nga fitorja e madhe e 14 shkurtit, 2021, ndërkaq në muajin e ardhshëm bëhen një vit e gjysmë nga qeveria demokratike. Kemi bërë kthesën e madhe drejt zhvillimit demokratik të gjithanshëm të cilat ua kemi dedikuar tërë kohën e ua kemi dhënë maksimumin e energjisë. Ky angazhim nuk e ka ndalur angazhimin tonë në LVV, kemi mbajtur mbledhje e vendime transparente”, tha ai në këtë mbledhje të partisë së tij.
“Prandaj themi që Lëvizja nuk është e jona e as për ne, por mundësi për gratë e burrat të ndryshojnë shoqërinë. Mirëpo, zhvillimi i demokracisë kërkon më shumë se një individë të njerëzve, nënkupton të gjithë lëvizjen tonë. Jemi subjekti më i madh politik, jemi shpresë jo vetëm për vendin tonë por edhe për rajonin. Nuk është për t’u çuditur për një qeveri që punon për barazi udhëhiqet nga LVV-ja. LVV-ja është subjekti politik më demokratik në vend”, shtoi ai.