Kurti tha se plani franko-gjerman është bazë e mirë, Bislimi thoshte se është më afër pozicionit të Serbisë
Si asnjëherë deri tash, Kryeministri Kurti ka hapur letrat sot për planin franko-gjerman. Ai e ka dhënë versionin e tij se si erdhi puna deri te ky propozim ndërkohë që e ka quajtur “bazë të mirë”. Edhe pse Zëvendësi i tij tha se më shumë i afrohet qëndrimit të Serbisë, Kurti thotë e ka pranuar, por Vuçiq e ka refuzuar, e tani po bën “drama”. Ky është rrëfimi i Kryeministrit, të cilin e shpjegon në mënyrë kronologjike.
“Gjithçka nisi më 18 gusht”, thotë Kryeministri Kurti, pasi vendosi ta tregojë qëndrimin e tij rreth propozimit franko-gjerman.
Jo shumë javë më parë, vetë ai e kishte mohuar ekzistencën e një propozimi të tillë, e më pas ka thënë se “s’ka asgjë të ngurtësuar”. Sot tha se propozimi i ashtuquajtur franko-gjerman është një “bazë e mirë”. Qëndrimin e parë për propozimin nga Parisi e Berlini e kishte bërë zëvendësi i Kurtit Besnik Bislimi gjatë paraqitjes së tij në një konferencë të mbajtur në Beogradi në të cilën ishte paraqitur nëpërmjet internetit pasi serbët se kishin lejuar të shkonte aty. Ai kishte thënë se ky propozim më shumë i afrohet qëndrimit të Serbisë.
Para se të vijë te kjo, Kryeministri Kurti thotë se ngjarjet në veri të vendit, me serbët që po i braktisin institucionet e Kosovës, kanë origjinën te mospranimi i propozimit franko-gjerman, nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
“Unë e thash shumë qartë, nuk është për të mos e pranuar, por për ta maskuar refuzimin e planit. Pra, ata [pala serbe] e kanë refuzuar planin, e kanë refuzuar propozimin. Dhe, tani i bëjnë këto drama…”, ka thënë Kurti.
Për planin franko-gjerman, Kryeministri thotë se është i bazuar në vlera.
“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur, meqenëse ato nocionet që përdorën, janë vlera. Për dallim prej dakordimeve të mëhershme, që ishin përbrenda – le ta quajmë – ideologjisë së zgjidhjeve të problemeve”.
Për propozimin që ka marrë emrin si “franko-gjerman”, diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë nisur të flasin haptazi. Kështu, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borell, rishtas tha se plani i ishte dorëzuar Kosovës dhe Serbisë para verës.
“Para verës ne ua prezantuam planin të dyja palëve Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që të tejkalojmë krizën permanente. Kemi kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe u jam shumë falënderues Gjermanisë dhe Francës për këtë propozim. Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët, po i studjojmë dhe ky është një rast i mirë që ata duhet ta shfrytëzojnë në mënyrë që raportet mes Prishtinë dhe Beogradit të bëhen më normale le të themi” tha Borell.
Por, Kryeministri pikënisjen e kësaj çështjeje e konsideron në një moment tjetër. Thotë se gjithçka nisi më 18 gusht, kur ai u takua me Presidentin serb, Aleksandër Vuciq, në Bruksel.
“Tash jemi tek vlerat dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Gjithçka ka filluar më 18 gusht, kur në takimin në Bruksel, në kuadër të agjendës, pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes”.
Këtu nuk lë pa zhvlerësuar paraardhësit e tij politikë. Kurti është i bindur se deri para 18 gushtit “nuk kemi pasur dialog për marrëveshje”.
Udhëheqësi i Qeverisë kosovare thotë se më 9 shtator, dy javë, pas takimit, i erdhën në zyrë dy këshilltarë; njëri i kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe tjetri i presidentit francez, Emmanuel Macron, për t’ia sjellë një “përmbledhje modelesh e idesh”.
Atë përmbledhje, Kurti thotë se e ka pranuar, nuk e ka refuzuar, ndonëse ka pasur disa vërejtje dhe kritika, të cilat ua ka shprehur përfaqësuesve franko-gjermanë.
“Më 9 shtator, ende pa u bërë një muaj, patën ardhur në zyrën tinme këtu, këshilltarët e lartë të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron. Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, po u kam thënë se janë bazë e mirë”, ka thënë Kurti.
Sipas Kryeministrit, propozimi franko-gjerman është refuzuar nga Vuciqi, pas një mbledhje që e ka pasur ai me Këshillit për Sigurinë Kombëtare të Serbisë.
Si pasojë, Kurti beson se Vuçiq po e manifeston refuzimin me projektim të destabilizimit të Kosovës.
Sipas Kryeministrit, thirrjet për largim të qytetarëve serbë nga vendet e tyre të punës në institucionet publike të Kosovës nuk rrjedhin nga mospranimi i konvertimit të targave, as nga qortimet për to, e as nga shkarkimi i Komandantit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, që refuzoi ta zbatojë vendimin e qeverisë.
Sipas Kurtit, gjithçka rrjedh nga mospranimi i planit franko-gjerman nga Serbia. /Express/