LAJMI I FUNDIT: Prokuroria inicon rast PENAL ndaj Shpejtim Bulliqit
Pak ditë pasi Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi se do të marr masa konform dispozitave ligjore, nëse konfirmohen deklaratat e ish-drejtorit të Inspeksionit, Besnik Mulliqi se kryetari Shpejtim Bulliqi ka ndërhyrë në vendimet për ndërtime e rrënimet në Komunën e Podujevës, tashmë ky është iniciuar si rast.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se ndaj Shpejtim Bulliqit është iniciuar rast penal lidhur me dyshimet për ndërhyrje në vendimet për rrënimin e ndërtimeve në Podujevë.
“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka inicuar rastin e poshtëshënuar“, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Insajderi.
Rasti tashmë i ndarë një prokurori, për të vazhduar me hetimet dhe intervistimin e palëve të përfshira, shkruan Insajderi.
Prokuroria nis hetimet për akuzat se Bulliqi ndërhyu në vendimet për rrënime në Podujevë
Kujtojmë se ish-drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, tashmë i shkarkuar nga kryetari Shpejtim Bulliqi, e ka akuzuar të parin e komunës për ndërhyrje në vendimet për ndërtimet në zonën e Orllanit.
Mulliqi në reagimin e tij pasi Bulliqi e shkarkoi nga detyra tha se kjo erdhi si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për t’a mbrojtur zonën e fshatit Orllan dhe jo vetëm.
“Të nderuar qytetarë të Podujevës, të dashur aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje! Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA”.
“Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekve të mia të vazhdushme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm!Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz.Të gjithë juve qytetarë të Podujeves dhe aktivistë të Lëvizjes, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme!”, shkroi ai. /Gazeta Insajderi