LDK s’ka interesim për koalicione në Mitrovicë
Kandidati i LDK-së në zgjedhjet e 22 tetorit, Safet Kamberi ka deklaruar për lajmi.net se ka pasur ofertat edhe nga AKR-ja por edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Qëndrimet tona dhe të miat si kandidat janë publike. Ne kemi pasur kërkesa për kontakte për të biseduar për koalicionet të mundshme edhe prej AKR-së mirëpo ka pasur edhe nga PDK-ja”, ka thënë Kamberi.
Ai tutje ka bërë të ditur se strukturat e LDK-së dhe ai si kryetar nuk kanë shprehur ndonjë interesim të veçantë për këtë çështje.
“Mirëpo si strukturë ne nuk kemi shprehur interesim të veçantë për këtë çështje. Nuk kemi pasur interesim që të bashkëpunojmë”, ka thënë Safet Kamberi për lajmi.net
Ndryshe mbrëmë gjatë një debati televiziv, Agim Bahtiri pretendoi se të gjitha partitë po duan koalicion me AKR-në.
“Fituesi dihet tani, pa asnjë dyshim, të gjitha partitë duan koalicion me mua, kështu që çdo parti apo çdo individ do të bashkëngjitet me fituesin”, kishte thënë kryetari aktual i Mitrovicës.
Ndërsa, në raundin e parë fituese kishte dalur Valdete Idrizi e PDK-së me 29.63% të votave, duke lënë prapa Agin Bahtirin me 27.03%.
Kurse, Safet Kaberi i LDK-së doli i treti me 21.66% të votave.
Balotazhi në Mitrovicë, dhe në komunat e tjera të Kosovës zhvillohet më 19 nëntor.