fbpx
Lajme

Limaj: Do ta ndalojmë privatizimin e tokave për të sjellë investime të huaja

Qeveria e Kosovës pritet të vendosë brenda ditësh për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore. Këtë iniciativë e ka marrë Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Në një bisedë për Express, Kryetari i NISMA’s thotë se qëllimi i kësaj ideje është sjellja e investitorëve të jashtëm dhe zbatimi i Ligjit për Investime Strategjike.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka vendosur ta çojë përpara idenë e tij për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore. Ka thënë se shpejt do të merret vendimi në Qeverinë e udhëhequr prej Ramush Haradinajt.

Por, pse po bëhet një hap i tillë?

Kryetari i NISMA’s thotë se ndalja e privatizimit të tokave ka për qëllim krijimi e kushteve për investimet e huaja. Ka thënë se me këtë edhe fillon zbatimi i Ligjit për Investime Strategjike, ku saktësohet se Shteti i ofron tokën kompanive që investojnë në Kosovë.

“Ideja është që fillimisht të bëhet një incizim i infrastrukturës ligjore në vendin tonë. Është bërë zhurmë e madhe dhe është pritur mirë Ligji për Investime Strategjike. Boshti i këtij ligji për t’i thithur investimet e huaja është që investitorëve të huaj me investime të fuqishme Shteti iu ofron lehtësira. Në mesin e lehtësirave është edhe posedimi i tokës për të ngritur biznesin e tyre”, ka sqaruar Limaj, në një bisedë, të dielën për Express.

Sipas tij, vazhdimi i privatizimit të tokave bujqësore nga AKP bie ndesh me vizionin e Qeverisë për zhvillim ekonomik e thithje të investimeve.

“Dhe, në anën tjetër, Agjencinë e Shtetit, AKP, që vazhdon privatizimin e tokave dhe ky veprim i kësaj agjencia krijon kaos dhe kundërthënie me vizionin tonë. Në njërën anë kemi Ligjin për Investime Strategjike që ofrohen lehtësira për bizneset që investojnë e në anën tjetër shitet toka. E ku të investohet në Kosovë”, ka shtuar ai.

Prej pasluftës janë privatizuar toka bujqësore  Agjencia Kosovar e Mirëbesimit e më vonë në Agjenci e Privatizimit. Një pjesë e këtyre tokave janë shitur me çmime qesharake.

Tash, Zëvendëskryeministri Limaj thotë se gjendja duhet të ndryshojë. Të mendohet që përmes tokave që janë të paprivatizuara të sillen investitorët në Kosovë.

“Kemi pasur vërejtje nga të gjitha komunat e Kosovës që kanë telashe me tokat. Ideja është që të bëhet pezullimi i privatizimit të tokave derisa të analizohen ato toka dhe të shihet nëse ka biznese të interesuara për të investuar dhe në këtë mënyrë të jetësohet Ligji për investime Strategjike. Qeveria mund të marrë një vendim për pezullimin e privatizimit të atyre tokave dhe të shihet cilat toka janë në interes për investitorët e huaj që mund të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Duhet të krijohen kushtet për investime strategjike e jo të vijmë në një moment kur Shteti s’ka mundësi të ofrojë asgjë për kompanitë që janë të interesuara të investojnë në Kosovë”, ka shtuar ai.

Limaj ka thënë se shpejt do t’i marrë të gjithë informacionet nga Ministria e Bujqësisë, Enti i Statistikave dhe AKP’së për të shkuar më tutje në ndaljen e privatizimit të tokave.

“Shumë shpejt. Besoj në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë, këto ditë, do ta trajtojmë seriozisht këtë temë”, ka thënë Limaj.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close