“Little Albania” në New York
New Yorku është stacioni i parë i emigrantëve shqiptarë që vijnë nga Evropa në Amerikë. Një pjesë e tyre qëndrojnë në këtë epiqendër zhvillimi në bregun lindor të kontinentit, shumë të hapur për të sapoardhurit. Pjesa tjetër vazhdon rrugën më tej për të shkuar në thellësi të Amerikës. Nga 200 mijë shqiptarë që kanë imigruar në Amerikë pas viteve ’90, një e katërta ka qëndruar në New York. Këta shqiptaro-amerikanë jetojnë në enklava shqiptare nëpër lagjet në Bronx, Staten Island, Queens, Brooklyn, të ngritura sipas zonave prej nga kanë ardhur nga Ballkani.
Dy të tretat e emigrantëve shqiptarë të New Yorkut janë përqendruar në Bronx, ku kanë krijuar “Little Albania” në zonën e Pelham Parkway-it, Morris Parkut dhe Belmontes.
Vala e parë e imigrantëve shqiptarë ka ardhur në Bronx në fund të viteve gjashtëdhjetë dhe fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar. Ata u zunë vendin familjeve italiane dhe irlandeze që ikën nga qyteti për një jetë më të qetë në periferi. Zona është kthyer tashmë në një nga komunitetet më popullore shqiptare të Amerikës.
Kur vijnë këtu imigrantët shqiptarë fillojnë punë të çfarëdoshme në ndërtim, restorante, dyqane, pastrim, administrim ndërtesash, shërbim ndaj të moshuarve. Ata që arrijnë një mirëqenie ecin në gjurmët e grupeve të tjera imigrante. Disa prej tyre kanë ndjekur biznesin me pasuritë e patundshme. Ata kanë blerë ndërtesa banimi gjatë krizës së vitit 1973, kur çmimet e pasurive të patundshme në Bronx ranë shumë, por edhe më vonë.
Një e treta e ndërtesave me apartamente në këtë pjesë të Bronxit janë të shqiptarëve. Me kalimin e kohës zonat u zhvilluan, kriminaliteti ra dhe lagjet e Bronxit janë kthyer në qendra komforte për familjarët. Familjet që kanë sukses ndikojnë në zhvillimin e zonës. Por, ashtu siç kanë bërë migrantët e etnive të tjera edhe shqiptarët e suksesshëm largohen nga Bronxi për të shkuar në zona më të pasura, më të qeta dhe me prosperitet më të lartë. Bronxi mbetet gjithnjë stacioni i parë i emigracionit, kur migrantët kanë shumë nevojë për njëri-tjetrin për fillimin e jetës në vendin e ri.
Ndihma që i japin njëri tjetrit migrantët është shumë e rëndësishme sidomos mes shqiptarëve, ku mungojnë organizatat e institucionalizuara në përfaqësimin e interesave. Punësimi, banimi, këmbimi i informacioneve bëhet ende në bazë të lidhjeve familjare dhe shoqërore, shpesh në kafene. Pjesa më e madhe e shoqatave dhe e organizatave merren me kulturë folklorike si ajo e dasmave dhe mexhliseve. Interesimi më i madh i grupit shqiptar të emigrantëve vazhdon të mbetet prosperiteti ekonomik.
Me sigurimin e punës dhe banimit, arsimimi i fëmijëve mbetet një nga prioritetet e prindërve shqiptarë. Pjesa më e madhe e fëmijëve ndjekin shkollat publike, ku mësimi është falas. Kurse në gjuhën shqipe ofrohen pak. Interesimi më i madh mbetet tek integrimi në shoqërinë amerikane. Por, shoqëria amerikane shihet shumë e kufizuar. Në familjet shqiptare asimilimi ndaj normave kulturore dhe sociale të shoqërisë amerikane është i lejuar. Ky asimilim shkon deri tek përshtatja ndaj obsesionit amerikan ndaj racave. Afinitetetin më të madh imigantët shqiptarë në New York e kanë me imigrantët që kanë ardhur nga vendet fqinjë italianë, grekë, boshnjakë. Përzierja shqiptare me racat e tjera mbetet e dëshiruar vetëm brenda “white”. Por kjo nuk e pengon brezin e ri, sidomos të lindurit në Amerikë, që të ndjekë rrugën e vet të amerikanizimit. Këtë e sheh për shembull tek rap-istat shqiptarë të Nju Jork, produkti mbase më i suksesshëm i shqiptarëve të Amerikës. /DW/