fbpx
Lajme

Maliq Doçi: Pas bisedës me Xhavit Halitin e kuptova se do të ketë luftë mes shqiptarëve dhe Serbisë

Kolonel Maliq Doçi
Pyetje: Cili ka qenë momenti i parë që po bëhej e duhur se do të kishte luftë mes Shqiptarëve dhe Serbisë?
Përgjigje: Ka qenë fillimi i Prillit 97, ku jam njohur me Xhavit Halitin nëpërmjet Gjeneralit Adem Çopani, në atë kohë Shef i Shtabit në Minstrinë e Mbrotjes. Porosia e tij ishte të shihet nga Kosova, me kujdes pa rënë në sy.
Në Maj të vitit 97, në një konsultë me Xhavit Haliti(Zeka) në Vlahën, kemi diskutuar për zgjerimin dhe konsolidimin e bazave në kufirin ndarës. Baza të cilat do të shërbenin për armatimin, municionin, për furnizimin e frontit dhe për pushime të shkurtra. Kështu së bashku me Azem Sylën dhe Xhavit Halitin, është bërë zgjerimi i këtyre bazave për nevojat e furnizimit si në Morin-Pogaj-Qaf-Prush-Dobrunë-Golaj-Nikoliq-Kishaj-Cahan-Vlahën, në Tropoj–Mejdan-Elezaj-Papaj-Padesh si dhe në Borje-Koretnik-Pobreg. Në atë kohë unë isha me detyrën si Shef-Shtabi për Divizionin e Kukësit. Nga Tirana bëhesh lëvizja për në këto kanale ilegalisht. Pak më vonë nëpërmjet Xhavit Halitit mësova se Daja(Azem Sya) ishte Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së.

Pyetje: Përveç Azem Sylës(Daja) dhe Xhavit Haliti(Zeka), rrethi i njerëzve të luftës u shtua. Bashkë me to dhe angazhimi dhe strategjia apo jo?

Përgjigje: Gjatë kësaj kohë u bë intesifikimi për mbajtjen nën vëzhgim të forcave serbe të afërta në kufi. Kemi bërë punë bindëse edhe me nënoficerët e shërbimit të zbulimit për krijimin e korridoreve të sigurta për kalimin e ilegalëve të UÇK-së, me municion dhe njerëz, për logjistikën e luftës. U arrit derisa të prezantohen njerëz si Luan Haradinaj, Atom Krasniqi, Ilir Konushevci, etj. Nga Zona e Veriut aktivitet më të dendur ka patur në Zonën e Hasit. Rënia e Luan Haradinaj, shkaktoi tronditje të madhe. Në këtë kohë u kërkua lëvizja e disa bazave dhe shtimi i të tjerave.
Ishin dy elementë, morali i lartë dhe tendeca për të futur armatim dhe njerëz sa më shumë drejt Kosovë.

Pyetje: Besohet se kishte një strategji, që punohej në disa fronte, pasi kundërshtari mund ta eliminonte atë?

Përgjigje: Në atë kohë ishin krijuar disa kanale nëpërmjet Pobreg të Liqenit, ku ka lëvizur Rruzhdi Saramati dhe Xhemshit

Krasniqi. Kishaj-Gorozhup, Cahan-Maj e Pashtrikut, Vlahën-Qaf-Mullarëve, Dobrunë-Qaf-Dobrunë-Goden, Qaf-Prushi-Gjakovë. Funksionimi i kanaleve dhe lidhjeve për hir të rrethanave të lëvizjeve të djemve të UÇK-së, kishin krijuar një qendër kryesore në Tiranë, ku bëhej përqëndrimi i armatimit, municionit, grumbullimi i njerëzve në drejtim të Hasit(Veriut). Në këtë kohë jam njohur edhe me Shaip Mujën, Hamëz Morina, Feriz Selimi, Burim Marmullaku, Naser Ibrahimi, Islam Selimi.
Haki Drenica dhe Zeqir Peraj kanë jetuar në Qytetin e Krumës dhe qenë baza kryesore për lëvizjet që në fillimet e luftës e deri në fundin e saj. Ku aty shpesh shkonin udhëheqësit e luftës dhe prej aty, Hakia dhe Zeqa i përcillnin në rrugëtim brenda në Kosovë.
Këtu më duhet të kujtoj një rast ku më dt.12.12.1997, dy vëllezërit e familjes Lleshi nga Kishaj duke u marrë me furnizimin me armatim, kanë rënë në pritën serbe në Piramidën D-6. Osmani është tërhequr nga djemtë që ishin në shoqërimin me të ndërsa trupin e Xhavitit serbët e kanë shëtitur nëpër Prizren për të trembur popullin.
Zgjerimi i njësive brenda Kosovës donte një furnizim më të madh dhe kështu u bë e domosdoshme krijimi i një qendre më të organizuar të drejtimit dhe të komandimit. Për këtë arsye Azem Syla(Daja) emëroi, Komandant për Logjistikën në Zonën e Veriut Xheladin Gashi (Plaku).

Pyetje: Siç duket për Azem Sylën(Dajën) keni njohje të shumtë, kryesisht për aktivitetin e tij në Has dhe veri, po të tjerë?

Përgjigje: Vetë Daja ka udhëhequr grupet që vinin nga Perëndimi. Së bashku me të kanë udhëtuar Xheladin Dauti(dëshmor), Ibrahim Dauti, Sali Dauti, nga Golaj. Pa harruar këtu edhe djemtë e Dobrunës të cilët kanë një kontribut shumë të madh si Hamdi Mula (dëshmor) e Arben Mula, ashtu edhe grupi i djemve të Cahanit(Agron, Bedri, Qamil, Hamdi, etj)
Me sa më kujtohet ishte vera e 98, kur jam takuar nëpërmjet Dajës me Plakun(Xheladin Gashi). Daja pasi ma prezantoi, më tha:- Tani e tutje çdo gjë e ke të komunikosh me Plakun. Në fillim ai u vendos në Krumë në Lagjen Peka, pastaj në zyrat në qendër të qytetit. Ku aty mbanim Hartat e Kosovës, Zonat, telefonat satelitor, paisjet, dokumentet e drejtimit. Në ndihmë të Plakut ishte edhe Fatmira (Zogaj)Hasani, shoferi i saj Nexhi dhe Hakia e Zeqa.
Hasi shumë shpejt do të shndërrohej një qendër e madhe për organizimin, përgatitjen dhe furnizimin e formacioneve luftarake të UÇK-së, me njerëz të përgatitur, me armatim, me municion dhe materiale të tjera të nevojshme për luftë. Kështu zgjerimi i bazave solli krijimin e Qëndrave stërvitore në Kukës, Helshan dhe bazave të logjistikës Krumë-Vlahën-Cahan-Golaj-Dobrunë-Nikoliq të cilat do të shërbenin për furnizimin në vijueshmëri të frontit, në shërbim e interes dhe të njerëzve të plagosur. Vendstrehim dhe spital u përdor Xhamia në Krumë, ndërsa në Helshan u ngrit spitali fushor.
Në Krumë(Has) ishte vendosur vendkomnada që udhëhiqej nga Xheladin Gashi-Plaku.
Pyetje: Hasi ka qenë pjesë e frontit të luftës. Njerëzit e tij e ndihmuan luftën, një pjesë prej tyre u rreshtuan në radhët e UÇK-së. Çfarë nuk harroni dot nga kjo kohë dhe situatë?

Përgjigje: Situata e deshti që vendkomanda të zhvendoset në Cahan. Më 25.05.1999 kur serbët gjuajtën mbi Cahan dhe lanë të vdekur Musa Cahani dhe Meritën, të bijën, banorë të Cahanit janë angazhuar direkt në front ku ishin të vendosur armët kundërtanke 75mm të UÇK-së, në vijën Cahan-Kishaj. Pasi ishin të profilizuar, hershëm për këtë lloj arme. Gjatë shërbimit të tyre në Ushtrinë Shqiptare. Më këtë datë serbët janë zënë në befasi.
Pyetje: Ka pasur disa opinione rreth operacionit “Shigjeta”. Di që jeni njëri nga ushtarakët e këtij Operacioni. Ç’mund të na tregoni?

(Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i shqetësuar nga vonesa e fillimit të Operacionit “Shigjeta”, i cili pritej të fillonte në gjysmën e parë të Muajit Maj i udhëhequr nga ish-shef i Shtabit Bislim Zyrapi, dërgoi në Shqipëri për përforcim zv/Ministrin e Mbrotjes të Qeverisë së Përkohshme z.Fatmir Limaj, vetë i 10-të. Këto të gjithë kuadro me përvojë lufte dy vjeçare.
Zhvillimi i Operacionit “Shigjeta” u bë sipas planit tepër sekret të hartuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, më 26 Prill 99. Ky plan arriti në vend Komandën e Divizionit të Kukësit në momentin kur pranë faksit të kësaj komande ishte Bislim Zyrapi. Shënim i autores R.M)
Përgjigje: Gjatë një konsulte në mes datës 25-26.05.1999, diku rreth orës 04.00 të natës Zv/Ministri i Mbrotjes Fatmir Limaj, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, për të udhëhequr Operacionin Shigjeta, caktoi:
Hysni Syla (Daja i Vogël)-Komandant për Operacionin Shigjeta
Musë Jashari nga Prekazi-zv/komandant për Operacionin Shigjeta
Nexhip Osmani, Nexhmedin Kastrati, Kemal Shaqiri, Rifat Sylejmani, Maliq Doçi
Goditja kryesore e Operacionit “Shigjeta” u dha në drejtimin Pashtrikut-Lugu i Zi, ndësa drejtimet ndihmuese ishin Gorozhup-Prizren, Qaf-Prush-Rahovec, me vijë takimin me forcat në përbërje të Operacionit “Shigjeta” II-Lumi Drini i Bardhë.
Bashkëveprimi në luftime së bashku me Brigadën 128 nga Bregu i Drinit me Rruzhdi Saramati, Nikoliq-Dobrunë nga një pjesë e Brigadës Hasi-126, Gani Shehu, Abdurrahman Nazifi, Binak Gashi, Batalionin e Atlantikut, Bilall Syla, etj, bënë që luftimet që u zhvilluan, të ecim 6 km para nga Cahan-deri në Qaf-Tres. Kjo fazë çoi në zhvillimin e operacioneve ushtarake(operacioni që çliron pjesë territori të një shteti). Gjatë luftimeve më kujtohet Enver Rustemi i cili ka drejtuar njësitin e artilerisë. Kjo ishte faza më e vështirë e Operacionit “Shigjeta”, pasi mësyhej nga poshtë-lart.
Në luftime gjatë këtij Operacioni ranë dëshmorët: Astrit Suli nga Berati, Aliriza Selmani nga Tetova, Florim Rushiti nga Metvegja, Sali Saramati, Safet Peci, Selver Maçkaj,Beran Gashi, Ejup Kosumi, Xhelal Sopi, Liman Tejeci, Albrim dhe Ylber Fanaj, Adem Berisha, Shpend Berisha, Gani Saramati, Bafti Haxhiu, Salih Zenuni, Abdurrahman Gërdellaj, Zejnullah Zena, Lulzim Llugiqi, etj.

RAIMONDA MALEÇKA- PJESE NGA LIBRI-HASI MES LUFTES DHE LIRISE

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close