fbpx
Lajme

Marrëveshja për të pagjeturit, Nysrete Kumnova: S’kam informacion, i besoj Albin Kurtit

Një marrëveshje për të pagjeturit është afër. Kumtin e saj e dha lehtësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, dy ditë më parë, ndonëse u tregua i rezervuar. Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se për çfarë bëhet fjalë saktësisht, edhe pse kryeministri Albin Kurti deklaroi se ka dallime në emërtime për këtë marrëveshje.

Ndërsa Andin Hoti, përgjegjës për këtë kategori në Qeverinë Kurti, nuk ka kthyer përgjigje në adresë të gazetës Nacionale.

Me shpresa, por pa informacione

Nysrete Kumnova, një figurë emblematike nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, në një prononcim për Nacionale, tha se nuk ka ndonjë informacion në lidhje me marrëveshjen që Lajçak tha se është “dy fjalë larg”.

Por, Kumnova që ende është në pritje të eshtrave të djalit të saj, Albionit (21 vjeçar në momentin e zhdukjes), thekson se ka besim te kryeministri Kurti. Ajo thotë se Kurti “nuk do të gabojë” dhe se e ka prioritet çështjen e të zhdukurve.

Tutje, ajo tha se kriminelët e Serbisë duhet të dalin para drejtësisë.

“Unë nuk jam e njoftuar për këtë marrëveshje, por besoj se kryeministri Kurti nuk do të gabojë sepse këtë çështje e ka prioritet. Së pari, duhet t’i kthejnë të gjithë trupat nga Serbia, të cilët kanë mbetur atje, dhe së dyti, kriminelët e Serbisë duhet të dalin para drejtësisë”, ka thënë Kumnova.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës së Kryeministrit lidhur me këtë marrëveshje, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të tekstit.

Përgjigje nuk ka kthyer as Andin Hoti, kryetar i Delegacionit për bisedime për çështjen e personave të humbur në dialogun Kosovë-Serbi.

“Dy fjalë afër ose larg marrëveshjes për të pagjeturit”

Me shumë siguri foli para dy ditësh për këtë marrëveshje, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, të cilit mandati për këtë detyrë sapo i është vazhduar edhe për dy vite të tjera.

Ai në një intervistë për Radio Televizionin Publik (RTK) tha se në veçanti është duke u punuar për finalizimin e marrëveshjes, e madje shtoi se për 99.5 për qind e tekstit është “dakorduar”.

“Por, duam të sigurohemi që takimi të prodhojë diçka pozitive për njerëzit, më logjike e me e dukshme do të ishte një rezultat pozitiv i takimit do të ishte marrëveshja për personat e zhdukur sepse kjo është një çështje aq e dhimbshme, po aq e dhimbshme për familjarët e personave të zhdukur në Kosovë e në Serbi. Ne jemi duke punuar për këtë në veçanti. Ne jemi dy fjalë afër apo dy fjalë larg marrëveshjes dhe ne do të kemi konsultime edhe në ditët në vijim për këtë. 99.5 për qind e teksti është i dakorduar dhe tani duhet vetëm vullnet politik”, ka thënë Lajçak.

Ndërkaq sa i përket paralajmërimit për finalizim të marrëveshjes, gazeta Nacionale bisedoi edhe me analistin Visar Ymeri.

Ky i fundit na tha se Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar shumë informata se për çka janë duke biseduar palët në lidhje me marrëveshjen.

“Duhet së pari ta shohim marrëveshjen. Për çka janë marrë vesh dhe si do të trajtohet kjo çështje. Nuk ka pasur mjaftueshëm informata nga Qeveria e Republikës së Kosovës për ta kuptuar se për çka janë duke folur e në çfarë drejtimi do të ecë marrëveshje për të pagjeturit. Arritja e një marrëveshjeje të tillë do të ishte një hap para në dialog (pa e paragjykuar substancën e saj). Mirëpo marrëveshje e dakordanca të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën. Nëse do t’i hapë rrugë ose jo marrëveshjeve tjera, mbetet të shihet”, ka thënë ai.

Aktualisht, janë mbi 1 mijë e 600 persona të zhdukur nga lufta në Kosovë gjatë viteve 1998 e 1999, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close