Mbështetësja e madhe e Kosovës e bën horë Qeverinë për aplikim në Këshill të Evropës
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës rreth aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” në KTV, ajo ka thënë se aplikimi ka qenë një veprim i gabueshëm, duke shtuar se tash Serbia ka një vit kohë për të lobuar kundër anëtarësimit.
E dini, mund t’i bëni gjërat shumë mençur dhe po ashtu mund t’i bëni gjërat me kokëfortësi. Dhe dukshëm, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i bëjë gjërat me kokëfortësi. A është kjo një strategji e mençur? Këtë nuk e di. Natyrisht se e mbështetim rrugëtimin e Qeverisë së Kosovës për t’u bërë anëtar i Këshillit të Evropës. Por, a ishte aplikimi në Këshillin e Evropës në kohë të duhur? Do të thosha JO”, ka thënë Von Cramon, e cila njihet si mike e madhe e Kosovës.
Ajo ka vlerësuar se ishte jorealiste të pritej që këtë vit Kosova të hyjë në agjendë të Këshillit të Evropës.
“Sepse ishte absolutisht jorealiste të pritej që do të futej në agjendë këtë vit, dhe tash Serbia ka një vit për të lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, është shprehur ajo.
Ajo ka treguar se udhëheqësve të Kosovës u ka kërkuar që të mos e bëjnë një veprim të tillë.
“Në ato momente, po. Absolutisht. Nuk është e mençur. Nuk do ta bëja. Njëjtë sikurse aplikimin në BE dhe NATO. Herën e kaluar kur kam folur prapa dyerve të mbyllura u kam thënë: ‘ju lutem mos e bëni këtë.’ E kanë bërë pavarësisht se çfarë u thashë. Mirë, le të presim dhe të shohim pasojat”, ka thënë ajo.
Më tej, eurodeputetja është shprehur skeptike për suksesin e Kosovë në këtë rrugëtim.
“Nëse nuk negocioni dhe nuk organizoni ta keni shumicën, ato [vota] nuk do të vijnë nga qielli. Nuk po e presin Kosovën”, është shprehur ajo, duke shtuar se ajo nuk ishte konsultuar për vendimin e Qeverisë për aplikim në KE.
“Jo nuk ia kisha idenë, sepse nuk isha këtu kur e kanë marrë vendimin për aplikim në Këshillin e Evropës”, ka thënë Von Cramon, duke shtuar se ndihet e zhgënjyer me këtë veprim të qeverisë së Kosovës.
Von Cramon ka vlerësuar se një proces i tillë është dashur të përgatitet mirë nga institucionet e Kosovës.
“Por nuk mund të bësh një gjë të tillë. Më vjen keq. Duhet ta përgatisësh terrenin për gjëra të tilla. Duhet ta shtrosh rrugën për gjëra të tilla. Nuk mund vetëm të çohesh: ‘Përshëndetje, vitin e ardhshëm, ne jemi anëtari i ri. Aty ka interesa të ndryshëm dhe ka shumë vende që nuk janë në favor të Kosovës. Do të ishte më e lehtë nëse së bashku do të kishim lobuar për këtë aplikim”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, nuk është fakt i rëndësishëm që 31 vende anëtare të KE-së e përkrahin Kosovën për anëtarësim.
“Ju duhet Asambleja Parlamentare. Ajo nuk është një trupë koherente. Për shembull, ka vende që kanë delegacione shumë të djathta apo shumë të majta. Ata do të votojnë. Nuk do të votojnë në favor. Kështu që, ne duhet t’i numërojmë secilën votë. Dhe për këtë na duhet përgatitje e madhe. Kështu që për mua, nëse unë jam këshilltare e Qeverisë së Kosovës, do t’u thosha: ju lutem, le t’i ndërtojmë aleancat, le t’i kemi bashkë partnerët, miqtë, e le të shohim kush është në anën tuaj, e pastaj dorëzojeni aplikacionin dhe jo anasjelltas”, ka deklaruar ajo./Koha.net/