Milaim Zeka: Do të kërkojmë nga BE-ja dhe ShBA-ja të na udhëheqin për 50 vjet
Në skenën politike të Kosovës sot u shtua edhe një parti e re, ajo Euroatlantike, me bashkëthemelues deputetin Milaim Zeka dhe Hysen Gecaj, raporton Ekonomia Online.
Sipas këtyre që e themeluan, kjo parti i duhet politikës kosovare për të sjellë frymë të re dhe t’ua mundësojë edhe të tjerëve vendimmarrjen e jo të vendosë vetëm kryetari i partisë.
Deputeti Zeka tha se nga sot po e fillojnë një luftë politike dhe u zotua se si parti e re do t’i përkushtohen interesit për Kosovën e zhvilluar.
Ai tha se fillimisht do të investojnë në çerdhe pasi sipas tij nga çerdhet varet një komb i shëndetshëm.
“Ne në Kosovë duam me bë gjithçka, të kundërtën që është bë deri tash. Do investojmë në çerdhe sepse çerdhja është bazamenti i shëndetshëm i kombit shqiptar. Do investojmë në shkolla, spitale, pacienti i Kosovës nuk do shkojë më as në Maqedoni, as në Serbi e as Turqi”, tha ai.
Zeka shtoi se në krye të shtetit ata do të nënshkruajnë marrëveshje me BE dhe SHBA që të udhëheqin fushën e rendit dhe drejtësisë.
“Shpëtimtarët e Kosovës janë mërgimtarët tanë, ata duhet të rikthehen dhe ta shpëtojnë Kosovën. Ne do ia nënshkruajmë BE-së dhe SHBA-së që prej 50 vjet me na udhëheq policën, prokurorinë dhe gjykatat. Ne nuk mundemi me i udhëheq këto sepse duke qenë shqiptarë e kemi inatin më të madh se Stambolli dhe e burgosim njeriun menjëherë. Kurrë në jetën tuaj nuk keni me pa kryeministër, zv.ministër e këshilltarë duke hipë me makinë të shtetit e duke shku në shtëpi me të. Kemi me ndërtu një jetë ku i vetmi njeri që ka me ecë me njerëz përreth ka me qenë prokurori dhe gjykatësi”, tha ai, raporton EO.
Bashkëthemeluesi Hysen Gecaj, tha se është momenti që të vetëdijesohemi dhe të mos lihen më të rinjtë të shkojnë jashtë për jetë më të mirë.
“Tani që e kemi shtetin tonë kemi detyruat fëmijët tanë të lëshojnë vendin e vet dhe të bëhen shërbëtorë në vende thera. Mos të lejojmë të na mallkojë gjaku i dëshmorëve, vaji i nënave. Të mos lejojmë që fëmijët të na mbeten jashtë vendit tonë dhe të na bëhen shërbëtorë në vende të huaja. Është momenti i fundit për zgjimin tonë”, tha ai.
Behare Sahitaj, nismëtare e themelimit te partisë, tha se Partia Euroatlantike do të ndryshojë gjendjen aktuale të krijuar siç tha ajo nga klasa politike.
“Nga sot do të fillojnë të dridhen themelet e politikanëve që janë në pushtet, do të dridhen emrat e politikanëve që u pasuruan në emër të luftës së UCK, Do të dridhen themelet e Tyre që zhvatej djersët e popullit. Ne kemi guxim dhe me aderimet tona masive do mund të ndryshojmë situatën e krijuar që e ka bërë klasa politike në Kosovë. Ne mundemi ta ndryshojmë gjendjen e popullit tonë”, tha ajo.
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, në fjalën përshëndetëse, uroi Zekën që në luftën politike të luftoj për një shtet ligjor.
“Ajo që më ka shty me ardhë sot këtu me iu përshëndet ka qenë bashkëpunimi dy vjeçar në komision parlamentar për media bashkë me Milaimin dhe e dyta sinqeriteti i Milaimit, guximi i tij, respekti dhe bindja e tij e pakompromis në ndërtimin e shtetit. Sot Sillen rreh 30 parti politike, secila e ka një luftë për pushtet, unë e uroj Milaimin që në luftën për shtet ligjor të mos thirret në pushtet por në vlerat e shteti ligjor”, tha ai, raporton EO.
Në themelimin e PEK-ut ishin 22 nismëtar, dhe për të përshëndetur themelimin e partisë më të re morën pjesë edhe politikanë të partive të tjera si Ganimete Musliu dhe Emilia Redzepi.