Milaim Zeka: E vetmja zgjidhje përfundimtare me Serbinë është Shkëmbimi Territorial
Ish-deputeti Milaim Zeka, ka folur rreth marrëdhënieve dhe problemeve që Kosova ka me Serbinë, duke thënë se shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve për të mbyllur plagën e vjetër të përplasjeve, shkruan Gazeta Metro.
Duke folur për televizonin A2, Zeka ka thënë se veriu i Mitrovicës kontrollohet nga bandat serbe dhe kjo nuk pranohet nga liderët në Kosovë. “Prej urës së Ibrit, deri në kufi me Serbinë, duhet të ecësh me makinë 40 minuta, të cilat janë 100% nën kontrollin e Vucic. Këtë realitet të dhimbshëm nuk kanë dashur ta pranojnë liderët gënjeshtarë të Kosovës. Askush nuk ka thënë se veriu kontrollohet nga bandat serbe. Deshëm apo nuk deshëm ne të pranojmë realitetin e hidhur, 17% e territorit të Kosovës, kontrollohet nga bandat serbe. Ne kemi një kushtetutë të dhimbshme, pasi në Kosovë nuk mund të ndodhë asnjë ndryshim i proceseve politike pa votën e deputetëve të Listës Serbe. Edhe këtë realitet të hidhur nuk e pranojnë politikanët e Kosovës”, është shprehur Zeka.
Tutje ai ka thënë se shkëmbimi i territoreve është mbështetur edhe nga ish-presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova dhe se kjo do ishte zgjidhja që dy vendet, Kosova dhe Serbia të mbyllin plagët e vjetra të përplasjeve.
E vetmja zgjidhje përfundimtare me Serbinë, që të largojmë njëherë e përgjithmonë atë luftën tonë 120-vjeçare, të shkëmbejmë territoret. Leshaku, Leposavici, Zubin Potoku, t’i jepen Serbisë, ne të marrim Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin dhe ta mbyllim këtë plagë”, u shpreh Zeka.
“Ideja e shkëmbimit të territoreve ka qenë një ide e vjetër, e cila është mbështetur edhe nga ish-presidenti Rugova, edhe nga akademiku Daci edhe nga Rexhep Qosja, edhe nga njerëz të tjerë, është mbështetur edhe nga unë. Leshaku, Leposavici, Zubin Potoku, të cilët janë me banorë 100% serbë, një territor tepër i vogël, një territor që i ka takuar Serbisë deri në vitin 1960. ” ka thënë ndër të tjera Milaim Zeka./gazetametro.net