fbpx
Lajme

Milo: Ollbrajt deri vonë u përpoq të thyente rezistencën e Thaçit, por pa dobi, ishte kokëfortë

Milo për Konferencën e Rambujesë e të Parisit shkurt – mars 1999


Shqiptarët i thonë “Po” marrëveshjes


23 shkurt 1999


       Po shkruaj 24 orë pasi kam mbërritur në Paris dhe jam duke fluturuar për në Vjenë ku nesër zhvillohet mbledhja e grupit “Miqtë e Shqipërisë” dhe ku jemi ftuar të marrim pjesë. Qëndrimi në Paris ka qenë një kalvar i vërtetë diplomatik. Me të mbërritur fillova menjëherë të kontaktoj me disa anëtarë të delegacionit kosovar, me Xhavit Halitin (Zekën), me Jakup Krasniqin, me profesor R. Qosjen, me Azem Sylën, Veton Surroin.. Ata ma paraqitën situatën brenda delegacionit alarmante, po përçaheshin dhe Konferenca mund të pësonte fiasko. Të gjithë përgjegjësinë e përqendronin te një emër: Hashim Thaçi. U përpoqa të lidhesha me atë, po ai më fshihej. Rastësisht e kapa te telefoni i Zekës, por më “rrëshqiti” dhe e mbylli. Përpjekjet për t‘u rilidhur përfunduan pa sukses. Me Majkon në Tiranë komunikoja vazhdimisht.


       Qëkur u nisa nga Tirana kisha kërkuar takim me zonjën Ollbrajt, Vedrin dhe Kuk. Amerikanët ishin përgjigjur pozitivisht dhe përmes zëdhënësit të Departamentit të Shtetit ia kishin dhënë lajmin dhe shtypit. Gazetarët ishin mbledhur në hotel “Intercontinental” ku qëndronte Ollbrajti, deri në mesnatë në pritje të takimit tonë. Por takimi nuk u realizua. Ollbrajt deri vonë u përpoq të thyente rezistencën e Thaçit, por pa dobi. E zhgënjyer dhe e zemëruar, ajo u kthye në hotel.


       U lidha me delegacionin amerikan, fola me Tinën, Karl Sibentritin dhe më në fund me Hillin. As ata nuk më jepnin shpjegime. U kërkova të na ndihmonin të takonim po atë natë delegacionin shqiptar të ngujuar në kështjellë, por na kthyen përgjigje që francezët nuk donin. Madje atyre nuk u kishte pëlqyer as ardhja ime në Paris. Ata ishin përpjekur të na mbanin larg Rambujesë.


       Hilli më foli shumë i zemëruar. Për Thaçin më tha se duhet të shkojë me pushime. Më tha gjithashtu se Ollbrajti ishte shumë e prekur dhe kishte deklaruar se n.q.s. nuk do të kishte marrëveshje, ajo do ta harronte fjalën Kosovë! I kërkova Hillit që të na e sillnin delegacionin shqiptar në hotel. Ai na premtoi se do të përpiqeshin të rregullonin takimin. E organizuan për ditën tjetër (sot) në orën 8.00 brenda në territorin e kështjellës. Të lodhur dhe plot tension ramë të flemë pak orë.


       Në orën 8.00 sot u takuam me R. Qosjen, V. Surroin, A. Sylën dhe H. Thaçin në një zyrë të administratës së kështjellës. I. Rugova, megjithëse e kishim kërkuar, nuk erdhi. Dëshmoi edhe një herë hapur se nuk dëshironte të kishte lidhje me ne, inferioritetin dhe mungesën e kurajës për t‘u ballafaquar dhe parë sy më sy. Nga amerikanët prapa derës qëndronte Sibentriti.


       Ngadalë dhe me qetësi u sqarova kosovarëve se ne do t‘i mbështesim dhe nuk do t‘i lëmë kurrë vetëm. E dinim që Thaçi duhej të bindej me argumente, por ai kishte marrë një qëndrim të pandryshueshëm dhe kokëfortë, aq sa bisedimet që zgjatën mbi një orë nuk sollën asnjë përfundim! U ndamë si miq me mendimin se ata, gjatë shqyrtimit të projektit përfundimtar që do t‘u dorëzohej në orën 9.00, do reflektonin pozitivisht.


       U kthyem në Paris, në ambasadë, në pritje të orës 12.00, kur delegacionet do të jepnin mendimet e tyre me shkrim për projektin. Nuk kishim veçse disa minuta që ishim kthyer, kur Kris Hill nga Rambujeja më telefonoi e më kërkoi një takim në orën 11.30.


       Iu drejtuam përsëri Rambujesë dhe eskorta na çoi në selinë e delegacionit amerikan, një shkollë që u kishte dhënë nxënësve një javë më tepër pushime. Në takim me Hillin dhe Sibentritin shkuam unë, Godo dhe ambasadori L. Rama. Hill filloi të fliste dhe nuk e fshihte zemërimin. Gjithçka e kishte me Hashim Thaçin. “Takimi me Demaçin në Lubjanë, turfullonte Hilli, ka luajtur një rol shumë negativ. Çudia më e madhe ka qenë se, duke mos besuar tek Ollbrajt, delegacioni shqiptar i ka kërkuar asaj që të lidhen drejtpërdrejt dhe të flasin me Presidentin Klinton. Kjo të bën të mendosh se ata vijnë nga një planet tjetër”. Hilli tha dhe shumë fjalë të tjera i plagosur rëndë edhe në sedrën e tij, por edhe në përgjegjësinë që kishte si negociator amerikan që donte të siguronte suksesin e Konferencës që do të ishte njëkohësisht edhe sukses amerikan, por edhe arritje personale e tij. Interesa të kombinuara, por që jo gjithnjë është e lehtë të gjesh ekuilibrin midis tyre.


       Deklaratat e Hillit ishin sigurisht pak të nxituara e në inat e sipër, që reflektonin një tension e lodhje të jashtëzakonshme. “Kam 42 orë pa gjumë, na tha dhe zonja Ollbrajt, nuk ka qenë kurrë më e zemëruar se dje.”


Së bashku me zotin Godo u përpoqëm ta qetësojmë duke i thënë se Thaçi ndodhet nën presionin e segmenteve të caktuara të UÇK-së në terren, se ai djalë nuk është i lirë të vendosë vetë dhe të marrë përgjegjësi kaq të rënda, se është i ri e nuk ka shumë përvojë politike etj. Në momentin që dëgjoja Hillin e zemëruar, mendova se çfarë dëmi mund t‘i bëhej çështjes së Kosovës nga kokëfortësia apo nga frika e marrjes së përgjegjësisë. Menjëherë i kërkova Hillit që të na krijonte mundësinë që t‘i takonim dhe një herë shqiptarët për pesë minuta. Godo në fillim kundërshtoi, po më vonë më dha të drejtë.

 
       Pas më tepër se gjysmë ore, erdhën për t‘u takuar përsëri R. Qosja, V. Surroi, A. Syla dhe H. Thaçi. Fillova t‘u flas me qetësi për çfarë tha Hilli, rëndësinë që kishte në parim miratimi i marrëveshjes për Kosovën, iu referova bisedave të bëra me Bedri Islamin, u përmenda letrën e Presidentit Meidani. Ismail Kadare i kishte dërguar dje delegacionit një letër mbresëlënëse që unë e lexova në zyrën e Majkos. Majko më mori në telefon dy herë gjatë bisedës.


       Të gjitha këto veprime ishin mbështetje edhe për mua që të këmbëngulja fort e më fort. Në fund e ngrita tonin kundër Thaçit dhe i thashë se me qëndrimin e tij po i kursente Serbisë bombardimin, por të mos harronte që kishte përgjegjësi edhe ndaj Shqipërisë, sepse ne vuajmë rrjedhojat e konfliktit në Kosovë. Ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të mirëkuptohemi me njëri-tjetrin. Rexhep Qosja foli përsëri bukur dhe me logjikë, po kështu Surroi. Edhe Syla, ndonëse i kontraktuar, e mbështeti marrëveshjen në princip.


       Thaçi në përfundim kërkoi gjysmë ore afat që të mbyllej vetëm në dhomë dhe të reflektonte! E kuptova që do të këshillohej me ata që e mbanin peng! Para se të ndaheshim i thashë Thaçit: “Po të shikoj drejt në sy dhe ato sy më thonë se ti do të marrësh një vendim të drejtë”.


U larguam nga kështjella, pasi amerikanët e miratuan shtyrjen e afatit edhe pas orës 13.00 për t‘i dhënë mundësi delegacionit shqiptar të arrinte konsensusin. Abdyl Sylës ( është fjala për Azem Sylën – Sh.B ) i lashë numrin tim të telefonit dhe i kërkova të më njoftonte për vendimin. Shkuam në një restorant në pritje të përgjigjes.


       Në restorant fola disa herë me Presidentin, me Majkon e Gjinushin. Tirana ishte në ankth si të gjithë ne. Fola edhe me Demaçin, i cili në momentin kur çdo gjë pothuajse kishte mbaruar, më tha që të kërkoja shtyrjen e Konferencës për një javë, ardhjen e tij si anëtar i delegacionit dhe sigurimin e një takimi me M. Ollbrajtin! Kodra pas bregut!


Përfundimisht rreth orës 15.30, A. Syla më njoftoi se konsensusi u arrit dhe letra e delegacionit shqiptar iu dorëzua negociatorëve. Morëm frymë lirisht dhe u drejtuam nga ambasada në Paris. Godo shkoi të çlodhej në hotel, ndërsa unë u dhashë intervista BBC-së, “Zërit të Amerikës”, kanaleve televizive shqiptare, “Gazetës Shqiptare” etj.


       Kur isha në ambasadë, shumica e anëtarëve të delegacionit shqiptar më morën në telefon dhe më përgëzuan për kontributin personal që kisha dhënë për të bindur Thaçin. Madje u çudita kur më telefonoi dhe më përgëzoi edhe Bujar Bukoshi! Vetëm Ibrahim Rugova nuk u bë i gjallë.


       Megjithëse konsensusi u arrit, ai ishte shumë i brishtë. E kuptova edhe më shumë, kur i ndodhur pranë tij, dëgjova Thaçin në intervistën që i dha RTSH-së në emisionin e orës 18.35. Përsëri u përpoq ta distancojë veten nga marrëveshja.


Në Rambuje kosovarët arritën të bashkohen. Po kur të kthehen në Kosovë? Demaçi doli kundër, por edhe komandantët lokalë të UÇK-së. Çfarë do të ndodhë? Të presim. Në Rambuje shqiptarët ranë dakord që të krijojnë edhe një qeveri të përbashkët. Pse u nxituan? Për të ndarë portofolat për të ardhmen? Ishte një kompromis për të qëndruar së bashku? Qosja më tha se Kryeministër u zgjodh Jakup Krasniqi, ndërkohë që më vonë mora vesh se flitej për Hashim Thaçin. Demaçi, në një deklaratë për shtyp, e hodhi poshtë këtë qeveri dhe vetë Marrëveshjen e Rambujesë. Demaçi po pengon, ndoshta pa dashje. Me të duhet biseduar.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close